Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit, ku është debatuar për planin franko-gjerman ka arsyetuar kërkesën e thirrjes së kësaj seance duke thënë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë epilogu i këtij procesi. Dialog me epilog, njohje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë. Do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte opozitën për një diskutim të tillë, të hapur e transparent që të na njoftonte për ecurinë e dialogut. Memli Krasniqi tha se qëndrimet e PDK-së në raport me temën e dialogut janë të njohura e konsistente dhe kjo seancë ka karakter të kërkesës për informim legjitim, nuk ka karakter të përplasjes e akuzës, por karakter informues. Nuk jemi këtu për të dhënë qëndrimet tona për çështje specifike sepse ne nuk e dimë cila është përmbajtja e pikave që ofrohen në propozimin franko-gjerman. Përkundër faktit se ju si kryeministër keni dështuar në pothuajse çdo fushë në rrafshin e brendshëm, nuk dua të besoj se në rrafshin e jashtëm jeni në gjendje që të shkoni aq larg sa të veproni kundër interesave të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Sepse, Kosova nuk është projektuar, as s’mund të bëhet, e as nuk do të lejojmë të bëhet një shtet jofunksional dhe unë nuk besoj që as ju e keni këtë dëshirë”, ka thënë mes tjerash në fjalën e tij në Kuvend, Memli Krasniqi.
