Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar me emocione intervistën e fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke theksuar se ajo përmbante mesazhe të qarta dhe të rëndësishme për të ardhmen e vendit. “Edhe pas pesë vitesh në paraburgim, Thaçi tregoi dashuri të madhe për vendin dhe vizion të qartë politik,” u shpreh Krasniqi. Ai shtoi se, me gjithë mungesën fizike dhe distancën kohore nga angazhimi publik, intervista shfaqte një vizion racional dhe të mençur për atë që Kosova duhet të bëjë sot, duke përfshirë edhe këshilla të rëndësishme për pozicionimin e Kosovës në zhvillimet gjeopolitike globale. “Besoj se këshillat e tij duhet të merren seriozisht nga të gjithë politikanët, veçanërisht sa i përket pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare,” theksoi Krasniqi. Ai përfundoi duke shprehur shpresën që qytetarët e Kosovës ta kenë vlerësuar sinqeritetin dhe thellësinë e mesazheve të dhëna nga Thaçi.
