Në 26-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari Memli Krasniqi ka shprehur mirënjohje dhe krenari për rrugëtimin e partisë, duke e cilësuar PDK-në si “ide për shtet, dinjitet dhe të ardhme”. Në një videomesazh drejtuar anëtarëve dhe mbështetësve, Krasniqi tha se PDK-ja lindi nga idealet e lirisë dhe u bë shtyllë e ndërtimit të shtetit të Kosovës, ndërsa theksoi se kjo ditë shënon jo vetëm përvjetorin e themelimit, por edhe një moment reflektimi mbi kontributin e brezave që ndërtuan themelet e saj. “PDK është më shumë se një parti politike – është ide për shtet dhe për të ardhmen e Kosovës. Kjo është festa jonë e 26-të, por njëkohësisht festa e fundit pa themeluesit tanë, sepse drejtësia po afrohet”, u shpreh ai, duke përmendur ish-udhëheqësit Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët ndodhen në Hagë. Kreu i PDK-së bëri thirrje për mobilizim të plotë në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke theksuar se “vetëm fitorja e PDK-së është fitore për qytetarët dhe familjet e tyre”. Ai paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale partia do të jetë e gatshme të marrë përgjegjësinë edhe në nivel kombëtar për ta udhëhequr vendin drejt një faze të re zhvillimi. “PDK ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë aty për Kosovën – për ta çuar përpara me dinjitet dhe me vizion për të ardhmen”, përfundoi Krasniqi.
