Memli Krasniqi

Memli Krasniqi pas dëshmisë së Clark-ut: “Një mik besnik i Kosovës dhe i së vërtetës”

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas paraqitjes së gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykatën speciale në Hagë, ku ai nisi dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krasniqi ka vlerësuar lartë gjeneral Clarkun, duke e cilësuar si një figurë të pandryshuar në përkrahjen e Kosovës, si gjatë luftës ashtu edhe sot, në proceset ku po kërkohet e vërteta historike. “Dje, në mbrojtje të popullit tonë në Kosovë. Sot, në mbrojtje të çlirimtarëve tanë në Hagë. Gjenerali Wesley Clark mbetet me këmbëngulje në anën e drejtë të historisë – një pjesë të së cilës e shkroi me lidershipin e tij,” ka shkruar Krasniqi. Ai e përshkroi gjeneralin Clark si një mik besnik dhe të vendosur, që sipas tij, ka qëndruar gjithmonë në anën e drejtësisë dhe parimeve të pandryshueshme. “Në skenën e madhe të historisë sonë, ai shfaqet gjithmonë i njëjtë: besnik, i vendosur, i drejtë. Një mik që nuk mban uniformë vetëm në fushën e betejës, por edhe në betejën për të vërtetën. Ai nuk ndryshon. Sepse parimet nuk ndryshojnë,” ka shtuar Krasniqi, duke përmbyllur me mirënjohje.

Kontrolloni gjithashtu

Milazim Krasniqi reagoi ashpër ndaj deklaratës së Hysamedin Ferajt

Deklarata e këshilltarit të Kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, i cili i cilësoi PDK-në dhe …