Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit demokratik dhe mosrespektimin e vullnetit qytetar. Krasniqi tha se qytetarët e Kosovës, katër muaj më parë, përmes votës së lirë, dhanë një mesazh të qartë për ndryshim dhe i dhanë shumicën parlamentare opozitës. “Qytetarët i thanë jo sundimit të një partie për katër vite dhe i besuan shumicën opozitës. Por është pikërisht Vetëvendosje që po e bllokon konstituimin e Kuvendit, duke mos e respektuar këtë vullnet. Është kaluar çdo kufi i racionalitetit. Kjo nuk është politikë, por një përpjekje e hapur për të mbajtur peng demokracinë dhe të ardhmen e vendit”, theksoi ai. Krasniqi kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më parë, në përputhje me rezultatin zgjedhor dhe përgjegjësinë institucionale që kërkohet në këtë fazë të ndjeshme për vendin.
