1.
Të gjithë ne, qoftë si individ, shoqëri apo shtete, ballafaqohemi për çdo ditë, me pasojat e vendimeve tona. Të mëdha apo të vogla, të shpejta apo të ngadalshme, të mira apo të gabuara, në kohë të duhur apo të vonuara, dashur e padashur, vendimet shëndërrohen në një lloj spirance, për të ‘ankoruar’ anijen e quajtur jetë. Sepse, vendimet e ndryshojnë thelbësisht jetën e njerëzve, qoftë duke e përmirësuar, ose duke e përkeqësuar ate. Mirëpo, marrja e secilit vendim, bartë një përgjegëjsi e frikë të madhe, arsye këto, që shumë njerëz i detyrojnë të mos marrin vendime, dhe t’i shtyjnë ato vazhdimisht. Natyrisht, përkeqësim të madh, shkakton edhe mos marrja e një vendimi, e që buron nga mosdija, hezitimi, pavendosmëria, apo neglizhenca. Sepse, në këtë rast humbë edhe diçka, që nuk kthehet kurrë më – koha. E shumica e fatkeqësive, por edhe mjerimi rrjedhin mu nga shpërdorimi i kohës.
2.
Në një rast, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeministri britanik W.Çerçil kishte reguar ashpër ndaj vartësve të tij, kur ishte informuar, për vonesat në një operacion urgjent ushtarak, për ndërtimin e transportuesve të tankeve, mjeteve luftarake e ushtarëve. Ata po harxhonin kohën e çmuar, duke diskutuar, se si do të dukej transportuesi, duke rrezikuar operacionin. U kishte tërhequr vërejtjen, në mënyrë spirituoze e kuptimplote duke u thene: Shikoni, maksima e njohur “Asgjë nuk është e vlefshme përveç perfektes”, mund të emërtohet edhe ndryshe, madje shumë më shkurt: Paralizë! I vetëdijshëm, për çdo minutë të humbur, dhe, per çmimin e lartë që mund të paguante kombi për trillet, tekat apo edhe papërgjegjësinë e ndokujt, burrshtetasi i madh britanik, nuk kishte lejuar të vazhdonte tutje kjo situatë. Lideri i madh, sikurse edhe në qindra raste tjera dramatike, kishte vlerësuar drejt momentin, dhe, kishte marrë vendimin e duhur, duke mos i lën asgjë rastit. I pajisur me dije të gjërë, dhe me menqurinë aq të nevojshme të liderit, ai e dinte se ishte detyra e tij, që të udhëhiqte kombin ne ato kohe te veshtira. Njerëzit ia kishin besuar këtë, andaj, ai nuk do t’i linte në baltë në asnjë rrethanë. Ai kishte menqurinë, guximin, autoritetin dhe kredibilitetin për të marrë vendime. Prandaj, nuk do të lejonte që të zvarritej marrja e vendimeve. Nuk do të lejonte, diskutime shterpe, për formën në dëm të përmbajtjes. Nuk do të lejonte kurrfarë paralize në dëm të çështjes!
3.
E marrja e vendimeve, duke përfshirë edhe ato te rendesise kapitale për interesin e përgjithshëm kombëtar, shpeshëherë paralizohet nga analiza të tepruara, e te sterholluara, qe ne esence jane te padobishme. Në të tilla rast, jo vetëm se huqet tërësisht thelbi, por humbet edhe vizioni Mendimtarë të ndryshëm, kanë shpjeguar arsyet, se si, dhe, pse, nuk mund të mirret një vendim. Se si, duke analizuar së tepërmi alternativat, duke u marrë me gjëra jo relevante, duke humbur energji te çmuar kot, arrihet në një pikë bllokuese, nga ku të gjitha alternativat, shihen si të njejta, duke pamundësuar kështu marrjen e vendimit. Behet ndarje në taborre thuajse të barabarta, duke humbur në debate e argumentime të pafundme, rreth gjërave terciare, duke mbetur keshtu peng i paaftësisë për të vendosur. Në këso rastesh, qasjet jo kompetente shkaktojnë një kakofoni te vërtetë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, dhe, opinioni bombardohet pamshirshëm nga tirania e opinioneve shterpe. Në aspektin psikologjik, kjo, shpjegohet me ekzistencën e një impulsi rutinor, që shpesh nxit ata që duhet të marrin vendimin, por kundërshtojnë marrjen e rrezikut: Të kërkuarit e të pamundurës prej analizave, të shumë më shumë të asaj që vetë analizat mund të japin – eliminimin e pasigurisë e paqartësisë.
Mirëpo, në këtë rast, do të duhej dalluar obsesionin e dikujt, me perfeksionin dhe arritjen e më të mirës, e të cilën liderë me bagazh të madh të dijes sikurse Çerçili e kishin kuptuar se ishte i barasvlershëm me paralizën. Sepse, paraliza e njejtë (bile me pasoja edhe më të këqija) arrihej edhe në një situatë tjetër – në mungesën e veprimit për të marrë një vendim, të shkaktuar nga një sërë faktorësh: qoftë si rezultat i paaftësisë, neglizhencës, mungesës së përgjegjësisë, apo veprimeve të caktuara penguese nën rrogoz. Të menduarit e paktë, çkyçja e arsyes dhe reagimi emocional, është edhe më e rëndë, sepse përfundimisht aftësia për të marrë vendimin rrëgjohet.
4.
Si, pse, dhe, kur nuk mund të mirret një vendim i caktuar? Përgjigjja më e thjeshtë, tregon se është në pyetje pamundësia e paaftësia për të vendosur për njërën nga alternativat që duhet të ndodhin pas marrjes së vendimit. Ndonjehere, ai qe vendose nga mungesa e kompetences, madje as nuk sheh fare asnje alternative, ose, i duken të njejta te gjitha ato. Mendimtarët e kanë shpjeguar këtë situatë, përmes metaforës së paradoksit të gomarit të Buridanit (sipas filozofit francez të shekullit XIV), dhe, bazuar në kontekstin e konceptit të forcave të ekuilibruara pro dhe kundër, të cilat e pamundësojnë marrjen e vendimit. Kështu, hipotetikisht, gomari i uritur dhe i etur (në prag të shterrimit të fuqive të fundit), i vendosur në mes të dy duajve të sanës dhe dy kovave ujë, krejtësisht identike dhe në distancë të barabartë, nuk mund të vendosë racionalisht, për të shkuar te njëra apo tjetra, dhe keshtu ngordhe nga uria dhe etja. Ky koncept, pothuajse në mënyrë të njejtë, dhe, në kontekst identik është përmendur edhe nga mendimtarë tjerë të famshëm si Aristoteli, Spinoza etj. Spinoza shkruante, se njeriu i ndodhur në mes dy alternativave vërtetë të ngjashme, nuk mund të jetë plotësisht racional në veprimet e tij. Natyrisht, që mesazhi i drejtohet njeriut, që ai të jetë në gjendje, që përmes kyçjes së gjykimit racional, vullnetit të lirë dhe sidomos aftësisë për të dalluar të mirën nga e keqja, përfitimet nga humbja dhe sidomos perspektivën afatgjate të merr vendimet e duhura. Edhe Ezopi, përmes fabulave të tij edukuese, rreth dymijë e gjashtëqind vjet më parë thoshte: ”Më mirë një rrugë e sigurtë se sa njëqind tjera në të cilat veq mund të llogaritësh.”
5.
Nuk ka asnje dyshim, se, zhvillimi dhe progresi i kombeve e shteteve të zhvilluara, është produkt i vendimeve të mençura, të drejta, të duhura e në kohën e duhur, dhe duke vjelur tash frutat e punës së mençur. Të tjerët, ata, që dështojnë t’i marrin ato, në vend të kësaj arsyetohen, ankohen, justifikohen, apo edhe vetengushellohen, duke ofruar zgjidhje, pasi të ketë kaluar koha, duke thënë nën zë, e pa brejtje të ndërgjegjes: Nuk është mirë, që ndodhi kjo, por, s’ke q’i ben, ja që paska qenë kështu e shkruar!
Duke përshtatur një shprehje letrare, mund të thuhet, se, njerëzit hyjnë në rrugë e mënyra të ndryshme, në ‘godinen’ e katrahures se paaftesise se marrjes së vendimeve, mirepo, pa perjashtim, te gjithe, dalin njejtë nga ajo katrahurë – të gjymtë, te mjere, dhe te pazhvilluar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
