(“E shpërdorova kohën, dhe tash koha do t’më shpërdorojë mua.”) W. Shekspir
1.
Gjuha ka edhe një kod të fshehte, që po të vëzhgohet e zbërthehet kujdesshëm, tregon shumëçka për mentalitetin, karakterin, shpirtin e njeriut dhe qëndrimin ndaj jetës. Tregon për virtytet, veset, e cenet e njeriut, të mbruajtura, e ngulitura nëpër thellësitë e gjeneve gjatë shekujve të kohës. Nganjëherë, ato sikur zgjohen nga letargjia, nxjerrin kokën befas nga honet e thella, duke zbuluar në forma të ndryshme, veti e cilësi përcaktuese, për të tashmen, por edhe për të ardhmen.
Nuk është se ndodhë rrallë, që p.sh. njeriu ynë në pyetjen se, “ç’po bën”, përgjigjet më shumë se tronditshëm: “Asgjë, po humbë kohë”, ose “Po e kaloj pak kohë”, ose “Po e shtyj kohën” etj, etj. Sikur të mos mjaftonte vetëm ky autosugjestion rregjues e dëmsjellës për ‘zotësinë’ për të humbur resursin më të çmuar, por madje janë krijuar, edhe lloje te ndryshme mallkimesh morbide për të, si: ‘Kohë e ligë’, ‘Kohe e prishtë’, etj për të arritur deri te shprehja më absurde ‘kohë e pakohë’!
Të trajtosh kohën, sikur ajo të qe një hiqgjë, dhe fajtor kujdestar për çdo gjë, e bën këtë diskurs, jo vetëm fatkeq, por, edhe të dëmshëm, e veçmas kur bartësit e saj kanë përgjegjësi më të gjërë se sa individuale. Sepse, pesha e fjalëve është e rëndë, dhe ato gjithmonë kanë fuqi të madhe në krijimin e mendimit, dhe në marrjen e vendimeve. Prandaj, duhet pasur kujdes me gjuhën, sepse secila sjellje e keqe, secila dhunë, së pari fillon me gjuhën e dhunshme.
Raporti i njeriut me kohën, në gjithë trajtimet e mendimtarëve dhe filozofëve të njerëzimit gjatë historisë, përfshirë edhe pikëpamjet religjioze, është krejtësisht tjetërfare, dhe thënë më së shkurti konsiston në pohimin se vetë njeriu, është përgjegjës se si e përdorë kohën, dhe jo anasjelltas. Kjo qasje e gabuar, nuk haset te kombet e zhvilluara dhe as te njerëzit e menqur. Edhe në Kuran, në një nga ajetet, thuhet: “Pasha kohën”, ku edhe Zoti betohet në kohën!
2.
Si e përdorim kohën? Sa e çmojmë atë? Sa shpesh ankohemi, se nuk kemi kohë për këtë apo për atë gjë. Se ajo kalon shumë shpejt, dhe sikur na humbë ndër duar duke na pamundësuar kryerjen e punëve. Sa shpesh ndjehemi përgjegjës dhe fajësojmë veten e jo kohën, duke u ngushëlluar se po gjejmë një fajtor? Mirëpo, ngushëllimi i gjendur në fajësimin e kohës është jetëshkurtër, pasi që e vërteta, gjithnjë, heret a vonë del në shesh.
Pse ndodhë kjo? Cilat janë shkaqet, që dikush çdoherë vepron në kohën e duhur, kurse të tjerët gjithherë vonohen? Natyrisht, se mentaliteti luan një rol të madh, dhe karakteri, dhe menquria. Filozofi dhe shkrimtari B.Graciani ka thënë: “Një njeri i mençur bën menjëherë, atë që bën budallai më në fund. Të dy bëjnë të njëjtën gjë; vetëm se në periudha të ndryshme kohore. “
Ata që ankohen më së shumti për kohën e paktë, e përdorin atë në mënyrën më të keqe, sepse një nga shpërdorimet më të mëdha të kohës është vonesa, zvarritja, neglizhenca. Cilatdo qofshin arsyet e zvarritjes dhe faktorët që e shkaktojnë, ajo është fatkeqësi e madhe për jetën e njeriut. E si të mos jetë e tillë, kur puna që duhet kryer sot zvarritet për nesër, pasnesër apo pakufi. Sa herë që bëhet një zvarritje premtohet dhe shiqohet në të ardhmen duke dëmtuar pamshirshëm të tashmen. Zvarritja e një punë pamundëson edhe kryerjen e një tjetre, zhvendosjen e vëmendjes dhe humbjen e energjisë kot. Me zvarritje, javashllëk e vonesa ishte e mbushur jeta e shqiptarit, e shembuj të tillë ka mjaft. Mirëpo, nuk duhet harruar se mosaftësia për të zgjidhur punën e caktuar në kohën e duhur gjithnjë ka një kosto të lartë, e shpesh here edhe fatale.
3.
Historia është e mbushur me shembuj të ndryshëm të sukseseve apo mos sukseseve të kombeve e shteteve, kur progresi apo regresi i arritur, ka qenë thjeshtë qështje e menaxhimit, dhe dëshmi e shpërdorimit apo e përdorimit si duhet të kohës. Zaten, kjo është edhe një nga vijat ndarëse në mes të suksesshmëve e të pa suksesshmëve, të zhvilluarëve dhe të pazhvilluarëve.
Fundja, gjërat kanë kuptim dhe vlerë, vetëm nëse kryhen në kohen e duhur. Paramendoni, se cila do të ishte vlera e këshillave të një gjenerali pas një beteje të humbur, ku është pësuar fiasko? Nuk thuhet kot, se pas betejës ka shumë komandantë. Më ka ndodhur, që pas lufte, të isha prezent në një takim, të një oficeri të larët të KFOR-it me banorë në një lokalitet të Kosovës, i cili ndër të tjerat ka pas thënë: “Punoni tetë orë në ditë, dhe flini gjithashtu tetë orë, mirëpo, sigurohuni, që t’ mos i përzieni ato në mes veti”!
4.
Jeta e njeriut nuk është e pafund, dhe magjia e saj, ndër të tjerash qëndron, në faktin se ajo përshkohet në mënyrë të njejtë, si kur jemi zgjuar, si kur jemi fjetur, si kur punojmë si kur vegjetojmë, si kur e përdorim si kur e shpërdorim atë. Ajo ka orën e limitin e vet, trajektoren, dhe ligjësitë e veta.
Koha dhe universi kanë ligjet e tyre dhe detyrë e njeriut është të jetojë në harmoni me to, sepse të shpërdorosh kohën, është njëjtë sikurse të presësh degën ku je ulur, pasi që në të tilla raste do të perfundosh vetë i shpërdoruar. Bjerrakohësit, sehirxhinjtë vulëhumburit kohëhumbës mendojnë se koha nuk mund të kalojë pa lejen e tyre, dhe gabojnë rëndë, padyshim.
Disa njerëz, presin që koha të vijë, kurse të tjerët luftojnë që ta fitojnë atë. Eshte thënë me të drejtë nga njerëz te menqur: “E ardhmja nuk fillon nesër, por sot”! Kurse ekonomisti eminent P. Drucker në një rast ka thënë: “Koha është resursi më i pamjaftueshëm, dhe po të mos menaxhohet si duhet, asgjë tjetër nuk mund të menaxhohet”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
