Limak Kosovo
Fillimi / Kultura / Mendjendrituri Erazmi i Roterdamit dhe çmenduria njerëzore

Mendjendrituri Erazmi i Roterdamit dhe çmenduria njerëzore

Erazmi i Roterdamit është njëri ndër zëdhënësit më të guximshëm të shprehjes së fjalës, idesë dhe mendimit të lirë, në kohën kur fjala e lirë jo vetëm censurohej, por deklamuesi i saj digjej në turrë të druve bashkë me të, apo mbahej  me burg gjatë tërë jetës. Për mbështetje në botëkuptimin shkencor, për të vërtetën e kundër dogmatizmit, Kisha katolike, më vonë  kishte djegur në turrë të druve,  Xhordano Brunon, kishte ekskomunikuar, Galileun, Kopernikun dhe sa e sa shkencëtarë e mendimtarë të lirë, të cilët me flijimin e jetës së tyre, duke i qëndruar besnikë arsyes njerëzore dhe të vërtetave, këputen vargonjtë e shekujve të paditurisë, obskurantizmit  dhe të errësirës mesjetare.


 


Erazmi i Roterdamit ( 1466 1536) është i njohur në literaturën botërore për veprat e tij të shumta, ndërsa në botë njihet me traktatin filozofik, apo esenë e mirënjohur “Lavdërimi i Çmendurisë” që është jo vetëm kryevepra e tij, por me të drejtë radhitet ndër kryeveprat e literaturës botërore. (Emri i tij i vërtetë është  Geer Gertz, kurse Erasmus Desiderius, ose Erasmus Roterdamus është pseudonimi i sajuar nga greqishtja dhe latinishtja).


Ai ishte një erudit i kohës, njohës i pasionuar i trashëgimisë letrare e filozofike të antikës greke e romake, njohës i literaturës fetare dhe filozofike të kohës, i arteve dhe letërsisë, njohës i greqishtes, latinishtes, frëngjishtes e gjuhëve të tjera, doktor i teologjisë,  humanist, filozof me ide përparimtare, përgjithësisht njëri nga gjenitë e rrallë të njerëzimit.


I pajisur me armët më të forta të diturisë dhe mençurisë, ai arriti t’i godasë pamëshirshëm veset e mbrapshtitë njerëzore, paditurinë, hipokrizinë, idiolatrinë, moralin e kalbur të shoqërisë feudale të kohës, fshikulloi sundimtarët madje edhe kreun fetar, dobësitë e pa pastërtitë shpirtërore të  njeriut, fëlligështinë dhe shthurjen morale të asaj kohe.


 


Vepra e tij “Lavdërimi i Çmendurisë” me të drejtë është quajtur “Komedi njerëzore” në analogji me “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit. Në këtë vepër me një stil plot gjallëri e tërheqës, ai ka shprehur krizën morale të shoqërisë së epokës së tij, duke përdorur me mjeshtri të rrallë alegorinë e paradoksin. (Ferdinad Leka, pasthënia e librit).


 


Erazmi i Roterdamit në esenë e tij filozofike, letrare, ka sajuar një personazh kryesor me të cilin identifikohet vepra dhe ky personazh është “Çmenduria”, që flet në veten e parë. Ai, për të shpëtuar nga kisha dhe nga linçimi publik ka marrë nëpër gojë veten e botën, ka ruajtur me fanatizëm pozicionin idealist të fetarit të pastër, të cilin nuk e ka atakuar, por ka sulmuar pamëshirshëm ata, që fenë e kanë përdorur për qëllimet e tyre, të cilët ia kanë punuar mbi kurriz madje edhe duke e deformuar deri në skajshmëri. Ai ka goditur pamëshirshëm dogmatizmin, mendjemadhësinë e atyre që hiqen si të ditur, lakminë e pangopur të njerëzve, amoralitetin, përfitimin mbi kurriz të të dobëtëve dhe të paditurve, gënjeshtrën, maskën, meskinitetin, vanitetin, shpirtin e deformuar të njeriut dhe të gjitha të ligat troç. Po jo vetëm kaq. Erazmo, në njëfarë mënyre na ka bindur se të gjitha veset dhe prapësitë njerëzore janë të lidhura me njeriun,  si thoi me mishin, janë veset e shumicës njerëzore dhe ato nuk janë karakteristikë vetëm e një kohe apo e një epoke, por janë vetë përmbajtja njerëzore, janë vetë tharmi i jetës së njeriut dhe i shumicës së njerëzimit. 


Duke i bërë autopsinë shoqërisë feudale evropiane të shekujve 15-16, Erazmi i Roterdamit ka përcaktuar diagnozën e çmendurisë njerëzore, nga e cila njerëzimi nuk lirohet dot, dhe mjerisht, ky konstatim i tij profetik është i pranishëm edhe sot jo vetëm në Holandën e tij, por kudo në vendet e Evropës dhe të botës, kudo në botën kapitaliste e globaliste, e cila ka jetuar dhe jeton mbi kurrizin e të paditurve, të dobëtëve, skamnorëve dhe turmave të shfrytëzuara njerëzore në tërë rruzullin


Pavarësisht se Erazmi nuk është marrë me profecitë, duke i bërë përshkrimin realisht veseve dhe mbrapshtive njerëzore, ai ka arritur të zbulojë se jeta njerëzore është e pandreqshme dhe atë jo vetëm që nuk e ndreq dot kisha apo sundimtarët e ndryshëm, të prirë nga idetë dhe synimet e tyre grabitqare , por ata me ndërhyrjet e tyre jetën njerëzore  e katandisin edhe më keq. Kjo ndodh, jo sepse feja është e keqe, por për shkak se hierarkia sunduese, kastat priftërore deri te kardinalët e papët janë njerëz të veseve, të cilët nuk i kanë bërë dot zap ato, dhe, nuk ua kanë nënshtruar arsyes, as të vërtetës. As sundimtarët,  sado të drejtë që na duken nuk e përmirësojnë dot botën, ndërsa luftërat për ta përmirësuar botën janë Çmenduria vetë, thotë Erazmo. “A ka në botë gjë më të çmendur sesa të sajosh një përleshje, në të cilën të dyja palët kanë më shumë dëme sesa fitime, duke u grindur për çështje  fare të parëndësishme. Për të rënët në luftë nuk bëhet fjalë fare!” ( Lavdërimi i Çmendurisë f. 63).


Çmenduria sipas Erazmit do të thotë  të jesh spontan, pak mendjelehtë, i gatshëm për të marrë përsipër rreziqet duke përjashtuar pasojat. Çmenduria  nuk do t’ia dijë urtësisë, ajo i çliron njerëzit nga turpi dhe frika. Cilat qytete dhe cilat perandori do të ishin mëkëmbur pa ndihmën e saj? Sepse me sinqeritet nuk arrihet larg. (Ronald H. Bainton, Parathënia e librit, f. 26). Ky konstatim i filozofit prek atë cipën e hollë të fenomenit, për faktin se çmendura është ves jo vetëm i njeriut por i mbarë njerëzimit, sidomos i atyre që duan ta sundojnë botën, duan ta marrin për vete, duan t’ua nënshtrojnë vullnetit të tyre pagan egoist e zullumqar,  pavarësisht se arrijnë apo deri ku arrijnë.


 


Njohës i thellë i religjionit por edhe i Kishës së krishterë, Erazmi konstaton se “Kisha e krishterë është themeluar me gjak, është përforcuar me gjak dhe është zgjeruar me gjak”. Është fjala për martirët e parë, por kohët kanë ndryshuar dhe ajo tashmë i zgjedh punët me luftë, sepse nuk e kanë më  me vete Krishtin, për t’i mbrojtur sipas mënyrës së tij. E megjithatë, lufta është diçka tepër çnjerëzore, që u shkon për shtati bishave të egra e jo njerëzve. ( Lavdërimi i Çmendurisë f. 136). Stigmatizimi që Erazmo i ka bërë autoriteteve të larta kishtare  nuk ka të bëjë me fenë e krishterë, por me keqpërdorimin e fesë me deformimin e saj me qëllim  përfitimi. Duke demaskuar fanatizmin ekstrem dhe bindjen e verbër fetare, që njerëzit i bën ta harrojnë fare vetveten, Erazmo konstaton se: “Asnjë i çmendur nuk ta jep më mirë idenë e marrëzisë, sesa ai që është pushtuar njëherë e mirë nga dalldia fetare e krishterë. Ata aq shumë heqin dorë nga vetvetja, sa nuk u vënë vesh fyerjeve, nuk dallojnë miqtë nga armiqtë, ngopen me agjërime, vuajtje… A nuk i thonë kësaj të jesh i pa mend… ( Vepra e cituar, f. 154-155). Fanatizmi ekstrem fetar ka qenë dhe ka mbetur një çmenduri e përhershme e njerëzve të paditur, të cilët e teprojnë çdo segment të jetës së tyre në emër të shenjtërimit, deri në ekstazë shpirtërore sikur është rasti me klanet ekstreme fetare apo edhe  kastat e dervishëve, të cilët në orgjitë e tyre të lutjeve kalojë në ekstazë shpirtërore dhe nuk i kontrollojnë më tej veprimet.


Kjo është marrëzia dhe çmenduria bashkë, e cila edhe sot e kësaj dite nuk po lirohet nga vetvetja, sepse ka humbur kontaktin me arsyen dhe të vërtetën, të cilat qëndrojnë në ballë të universit, do të thoshte më vonë mendimtari i shquar i Prusisë, Frederiku i Madh.


 


Duke qenë në kulmin e diturisë, i vetëdijshëm se zotëronte një shkallë të lartë të arsimimit dhe emancipimit,  i aftë në polemika e trajtime filozofike, bashkëkohës dhe mik i Tomas Morit, polemizues i ashpër me Martin Luterin, Erazmi duket se  flet nga këndi superior, flet si një “Pontifex maximus” i cili i di të gjitha dhe mban anën e mirësisë, çiltërisë, humanitetit, pastërtisë, harmonisë së natyrës fenomene këto që në vetvete paraqesin botën tjetër, tharmin e vërtetë të jetës, sepse “lumturia më e madhe është të jesh i kënaqur, që je ai i cili  je dhe jo dikush tjetër”. ( Vepra e cituar f. 63).  Por, mjerisht  kjo jetë në harmoni dhe kënaqësi të vërtetë i përket pakicës njerëzore, e cila ka qenë dhe mbetet e rrezikuar nga shumica.


 


Kanë kaluar 500 vjet dhe sentencat e përshkrimet e ligësive njerëzore kanë mbetur po ato, që i kishte paraqitur mendjendrituri, Erazmo. Ka kaluar aq kohë dhe ajo përvojë e neveritshme njerëzore paraqitet e njëjtë, edhe sot, sidomos kur flasim për sundimtarët. Erazmi thotë: “Nuk më rrihet pa thënë se sundimtarët sado të lumtur që janë, prapë se prapë nuk janë të lumtur sepse nuk kanë njeri afër nga i cili mund të dëgjojnë të vërtetën dhe janë të detyruar të kenë rreth vetes ca lajkatarë në vend të miqve. Sundimtarët nuk e honepsin të vërtetën, i zë frika kur dikush merr guximin dhe iu thotë gjëra të pakëndshme, sepse ata e kanë zët të vërtetën. (Vepra e cituar f. 82). Asgjë nuk ka ndryshuar me sundimtarët, askund në botë dhe as te ne. Këtu edhe qëndron fuqia e argumenteve të filozofit dhe eruditit holandez, i cili në esenë e tij filozofike “Lavdërimi i Çmendurisë” i ka dhënë një vulë kohës së tij, ndërsa këtë vepër e  bëri të pavdekshme dhe e radhiti në majat më të larta të literaturës së përgjithshme botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Azizi: Sanxhaku duhet ta gëzojë një autonomi speciale, substanciale, mbështetur mbi të drejtën e Vetëvendosjes

Ismet Azizi: Sanxhaku duhet ta gëzojë një autonomi speciale, substanciale, mbështetur mbi të drejtën e Vetëvendosjes

Në emisionin “Bisedë në Studio” të TV-Diellit, studiuesi, veprimtari dhe profesori,  Ismet Azizi ka folur ...