Avdi Kelmendi (21.12.1951–18.1.1996) një veprimtar i mirënjohur dhe i paharruar

Mergim Bekteshi: NJË JETË PËR ATDHEUN, Kujtim i Pashlyeshëm për Profesor Avdi Kelmendin

Janari për mua nuk është thjesht një muaj i ftohtë dimri. Është një muaj i ngarkuar me kujtime, një stinë e rëndë emocionesh, një kohë kur njeriu kthehet pas në vitet e vështira dhe mendja ndalet te figura e Profesor Avdi Kelmendit, njeriut që e deshi atdheun më shumë se veten. Ky muaj shënon ditën e ndarjes së tij nga jeta, por njëkohësisht edhe përjetësinë e veprës së tij.

Profesori ishte i përndjekur politik, i anatemuar pas daljes nga burgu jugosllav, i lënë në harresë nga një sistem i pamëshirshëm dhe nga një shoqëri e frikësuar. Megjithatë, përballë çdo padrejtësie ai mbeti i pathyeshëm. Shpesh më vjen ndër mend një thënie e Frojdit që sikur përshkruan shpirtin e tij: kur njerëzit më kritikojnë, di si të mbroj veten, por jam i pafuqishëm përballë lëvdatave. Kështu ishte profesori, i heshtur, i përmbajtur, por me një forcë të brendshme të jashtëzakonshme.

Vitet pas burgut ishin periudha më e rëndë e jetës së tij. Sistemi i kohës nuk mjaftohej me burgosjen fizike, por aplikonte edhe dënime plotësuese: të burgosurve politikë u mohohej e drejta për shkollim dhe punësim. Shoqëria nuk dinte, ose nuk guxonte, ta mbronte. Vetëm një rreth i ngushtë miqsh i qëndronte pranë. Por edhe në ato ditë të errëta, ai nuk e humbi kurrë dinjitetin dhe besimin te e drejta.

Aktiviteti i tij politik kundër aparteidit nuk u shua asnjëherë. Së bashku me Profesor Anton Çettën, ai dha një kontribut historik në pajtimin e gjaqeve, një mision fisnik që kërkonte guxim, urtësi dhe dashuri për njeriun. Këtu merr kuptim edhe mendimi i Ismail Kadaresë: Gjakmarrja te një pjesë e ballkanasve, kryesisht te shqiptarët, ka qenë pjesë e atij mekanizmi kushtetues që rregullonte tërë jetën e tyre juridike, morale e filozofike.
Profesori arriti, me fjalë të thjeshta dhe me zemër të madhe, të shtrinte dorën e pajtimit dhe të hapte plagë që dukej se nuk do të mbylleshin kurrë.

Vetëm kur arsimi shqip u distancua nga regjimi dhe filloi të organizohej arsimi paralel, dikujt i ra ndër mend se tani Profesor Kelmendi mund të kthehej në shkollë. Papritur ai nuk paraqiste më rrezik për mjedisin. Kështu, me vonesë dhe pa bujë, iu hap dera e klasës.

Dhe aty ai rilindi. U kthye në mësimdhënie me përkushtim të rrallë. Ligjëronte kiminë me seriozitet, por për të shkolla nuk ishte vetëm vend i formulave. Çdo orë mësimi ishte një mision kombëtar. Gjithmonë i merrte pesë minuta për të folur për atdheun, për librat, për muzikën, për vlerat njerëzore. Donte që nxënësit të mos ishin vetëm të ditur, por edhe të ndershëm, të ndjeshëm dhe të vetëdijshëm për rrënjët e tyre.

Rrapëllimat e dyerve të shkollës e shqetësonin shpesh. Kujtimet e kohës së përndjekjes nuk e kishin lënë kurrë të qetë. Por ai nuk e fshehu asnjëherë të kaluarën dhe nuk u pendua për asnjë hap. Përkundrazi, e kthente atë në mësim jete, duke u mësuar nxënësve se liria nuk dhurohet, ajo fitohet me sakrifica.

Për mua, Profesori nuk ishte vetëm mësues. Ishte mik i familjes sonë, njeri i afërt i shtëpisë sonë. Mbaj mend me mall vizitat në shtëpinë e tij dhe vizitat e tij te ne. Në dhomën e tij mbante një mandolinë, të cilën e luante me një butësi që të prekte shpirtin. Unë, që kisha filluar të luaja instrumente me tela, e shikoja me admirim. Shpesh këndonim këngë të lehta qytetare, ndërsa babai na dëgjonte në heshtje, me një krenari të brendshme.

Kur vinte te ne, sillte me vete dritë dhe shpresë. Ne, fëmijët, e pyesnim për fatin e shqiptarëve, për të ardhmen, për kohët që do të vinin. Ai fliste pak për burgun. Kishte lënë një jetë të qetë si drejtor për t’iu bashkuar ilegales dhe idealit të lirisë, dhe kurrë nuk u pendua për këtë zgjedhje.

Si fëmijë mbaj mend frikën e atyre viteve: izolimin e familjeve të të burgosurve politikë, vëzhgimet e vazhdueshme, linçimet publike. Disa funksionarë krahinorë, puthadorë të sistemit, fatkeqësisht edhe shqiptarë, i etiketonin veprimtarët si armiq të shtetit. Përpjekjet e djemve dhe vajzave që synonin lirinë i quanin veprimtari antishtetërore. Sot, kur e kujtoj atë kohë, më duket sa absurde, sa e padrejtë dhe sa e dhimbshme ka qenë.

Në janarin e vitit 1996 shëndeti i tij filloi të përkeqësohej rëndë. Kishte hyrë në ditëlindjen e dyzetepestë. Jashtë mbretëronte acar, ndërsa presioni mbi shqiptarët bëhej gjithnjë e më i egër. Një shkëndijë shprese po dukej larg në horizont, por ai nuk arriti ta shohë. Më 18 janar mbylli sytë përgjithmonë, me mallin e madh që nuk i pa celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat më vonë u shndërruan në brigada dhe i dhanë lirisë formë konkrete.

Varrimi i tij ishte një ditë dhimbjeje kombëtare. Intelektualë, nxënës, miq e familjarë e përcollën me lot një personalitet të rrallë, një njeri që jetoi me nder dhe vdiq me dinjitet. Edhe sot, pas kaq vitesh, kur liria është realitet dhe shteti ynë është ngritur mbi sakrifica, kuptojmë sa e madhe ka qenë pesha e brezit të tij.

Sot e kujtoj profesorin tim si shembullin e njeriut të drejtë, të përkushtuar dhe atdhetar. Kujtoj mandolinën e tij, këngët e mbrëmjeve, bisedat e gjata dhe dëshirën e tij të përhershme që njerëzit të shtrinin dorën e pajtimit. Kujtoj një njeri që besoi te e mira edhe atëherë kur errësira dukej e pafund.

Kjo është historia e një jete të tërë për atdheun.
Dhe kjo është arsyeja pse emri i tij nuk do të shuhet kurrë nga kujtesa jonë.

Pusho në paqe, profesor i dashur.

Janar, 2022

Janar,2026
Mergim Bekteshi

 

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani: Pse Albin Kurti nuk mundi të krijojë një qeveri ?!

Milaim Sylejmani: Pse Kosova duhet të investoj në “patriotizimin shtetndertues të rinisë”?!

Pse Kosova duhet të investojë në “Patriotizmin Shtetformues” të Rinisë *Në kohën e fundit, e …