Me rastin e pensionimit, pas shumë viteve të përkushtimit në arsim, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur në takim mësimdhënësin dhe kryetarin e Sindikatës së Arsimit në komunën e Vitisë, Kemajl Bislimi. Me këtë rast, kryetari i komunës i ndau një mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e arsimit në komunën tonë.
Në fjalën e tij, kryetari vlerësoi punën e palodhshme të profesorit Bislimi, duke e cilësuar atë si shembull frymëzimi dhe model për gjeneratat e ardhshme të mësimdhënësve.
“Z. Kemajl Bislimi nuk ka qenë vetëm një mësues, por një udhërrëfyes, një mik dhe një mentor për shumë nxënës gjatë gjithë këtyre viteve. Kontributi i tij nuk harrohet dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë arsimore,” tha ndër të tjera kryetari Haliti.
Mësimdhënësi Bislimi u shpreh falënderues për vlerësimin, duke theksuar se për të arsimi ka qenë më shumë se një profesion – një mision jetësor, pasi që në proceset mësimore ishte i kyçur që nga vitet 80-90.