Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka lëshuar akuza të rënda ndaj pushtetit aktual, duke deklaruar se gjatë vitit të fundit Kosova është shndërruar në një “mesjetë kushtetuese” për shkak të shkeljeve të shumta të Kushtetutës. Hasani tha se në periudhën shkurt–dhjetor nuk ka pasur asnjë shtet tjetër në rajon që ta ketë dhunuar Kushtetutën më shumë se Kosova. Sipas tij, kjo përbën një precedent të rrezikshëm për një shtet sovran që synon konsolidimin demokratik dhe integrimin evropian. “Kjo periudhë është mesjetë kushtetuese. Kurrë më shumë në rajon nuk e ka shkelur askush kushtetutën dhe nuk është dhunuar kushtetuta e një shtetit sovran e të pavarur, se që ka ndodhur në periudhën shkurt-dhjetor”, deklaroi Hasani. Ai kritikoi ashpër edhe përkrahësit e pushtetit në rrjetet sociale, të cilët, sipas tij, po përpiqen t’i justifikojnë këto shkelje përmes propagandës dhe debatit të rremë publik. “Janë njerëz që i njohim, intelektualë digjital-fiktiv. Po t’i thirrësh në debat dhe t’u thuash përsërite atë që ke shkruar, jam i sigurt se nuk janë në gjendje asnjë fjalë ta përsërisin. Ata nuk dinë as ta ndezin kompjuterin”, tha ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
