Mexhid Yvjesi: MULLA IDRIS HAJRULLAHU (1901-1949)

Lindi në katundin Velekincë, në afërsi të Gjilanit, me 4 qershor 1901. Rrjedh prej një familje bujqësore, fshatare, por arsimdashëse, fetare dhe atdhetare.
Mësimet fillestare i kreu me sukses të shkëlqyeshëm, nën kujdesin e Mulla Halimit, në mejtepin e katundit Cërnicë, rrethi i Gjilanit, në vitin 1911. 
Mësimet i vazhdoi në shkollën “Ruzhdie”, ndërsa më vonë në Medresenë “Atik” në Gjilan, ku diplomoi, me 1926, pranë Myderrizit të njohur, Abdurrahim Efendisë. 
Posa diplomoi, për Mulla Idrisin një jetë e re filloi. Filloi n’Emën të Zotit, me shumë përkushtim, për Fe e Atdhe, deri në flijim…
Me vendim e caktuen Imam në xhaminë e katundit Pidiç, në Karadak, ku shërbeu rreth tri vjet. 
Duke e parë përkushtimin e tij, e caktojnë në detyrë të re, si Imam-ofiçar në Hogosht, ku shërbeu deri në vitin 1938. 
Në muajin maj, të vitit 1938, Mulla Idris Hajrullahu u zgjodh bashvaiz (kryepredikues) në Ulema Mexhlisin e Shkupit, që përfshinte territorin e Kosovës, Sanxhakut dhe të Maqedonisë, ku shërbeu, ku shkëlqeu, deri në muajin prill të vitit 1941, kur krisi lufta dhe i erdhi fundi Jugosllavisë… 
Lufta e Dytë Botërore, siç dihet, e shkatërroi Jugosllavinë e Kralit, nën të cilën shqiptarët e shkretë kishin të drejtë veç me vdekë…!
Kosova dhe trevat tjera shqiptare, kryesisht, në pushtimin italiano-fashisht dhe gjermano-nazist, merrnin frymë pakëz më lehtësisht, më lirisht, por çështja kombëtare shqiptare rrezikohej vazhdimisht…! 
Rrezikoheshin shqiptarët dhe trojet etnike nga forcat pushtuese partizane-çetnike… 
Mulla Idrisi ishte vizionar, këtë rrezik për popullin shqiptarë e kishte paraparë. Tani e gjithë veprimtaria e tij përmblidhet në një fjali: 

“S’ka Fe pa Atdhe” 

Në fillim u përpjekë për ngritjen e vetëdijes fetare-kombëtare. Më vonë, si ushtar vullnetar, u bë frymëzuesi kryesor për liri në rrethin e tij. 
Në muajin gusht të vitit 1943, pas dy vjetësh përpjekjesh për liri, Mulla Idrisi nuk ishtë më një ushtar, por ishte një Komandant Legjendar…! 
Në një tubim, para mijëra pjesëmarrësve, ai e mbajti një fjalim: 

“Vllazën, trima, luftëtarë! 
Ju keni ndëgjue se Tito, i quejtun baba i Jugosllavisë, po e lypë Kosovën për Jugoslavinë e dytë, komuniste, në kufijtë e asaj të Krajl Pjetrit…
Kosova jonë, edhe ashtu e coptueme, nesër ka për t’u ba kasaphane e komunistëve jugosllavë dhe çetnikëve serbë. Sepse, për Kosovën e kundër shqipatarëve janë bashkue dreqi dhe i biri, e do të bashkohen çetniki e drazhisti, nediçevci e komunisti…!
Ne vetëm të bashkuem rreth Flamurit të Shqipnisë, të gjithë pa tarafe e partina, mund t’u bajmë ballë anmiqëve shekullorë, e jo vetëm t’i ruejmë pragjet e shtëpive tona, por edhe ta bashkojmë Shqipninë Etnike….
Pra, burra, t’i kapim armët me të djathtën dhe të vrapojmë në kufinë e Shqipnisë…!” 
Burrat i kapën armët, u betuan pranë Kur’anit, me za të naltë, më fjalët, tekstin e betimit, të cilin e kishte hartue Mulla Idrisi: 
“Betohem se nuk do të tradhëtojë, kthim mbrapa s’ka, plaçkë s’ka, dhunë s’ka, në njerëz e në namuz t’anmikut nuk preki dhe do të luftojë deri në fund të jetës sime për Lirinë e Shqipnisë së Bashkueme…”!
Mulla Idrisi, me mijëra trima, burra, luftëtarë, ashtu siç ishin betue, pranë Kur’anit, njashtu kishin luftue për lirinë e Atdheut, Vatanit…
Kishin luftue kundër forcave partizane-çetnike, për Lirinë e Atdheut, për Bashkimin e Shqipnisë Etnike…
Me 25 nëntor 1949, forcat partizane-çetnike e dogjën për së gjalli Mulla Idris Hajrullahun, e bënë trupin e tij shkrumb e hi, por idealin i tij, për një Shqipni të Bashkueme, s’mund ta kallin, s’mund ta ndalin asnjë fuqi, derisa të ketë shqiptarë, deri sa të ketë Shqipni…!

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …