Jakup Krasniqi

Miftar Kurti: Ballafaqimet e një historiani me robërinë dhe historinë, në 71-vjetorin e lindjes së Jakup Krasniqit

Miftar Kurti
Miftar Kurti

(Jakup Krasniqi, Ballafaqime historike për çlirim dhe bashkim kombëtar, Instituti i Historisë-Prishtinë, 2019)

            Dr. Jakup Krasniqi është emër i njohur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare. Është i njohur për veprimtarinë e tij atdhetare dhe politike, i njohur si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe si ministër, parlamentar dhe kryeparlamentar i Republikës së Kosovës. Është Doktor i shkencave historike, por edhe autor i disa librave në fushën e historisë. Gjurmët e tij janë të dukshme jo vetëm në këto veprimtari, por edhe fushën profesionale dhe intelektuale. Produkt i veprimtarisë së tij profesionale dhe intelektuale është edhe libri “Ballafaqime historike për çlirim  dhe bashkim kombëtar”.

            Libri “Ballafaqime historike për çlirim dhe bashkim kombëtar” është goxha voluminoz. Voluminoz jo vetëm për nga numri i faqeve, por edhe për nga temat, çështjet e problemet që trajton. Libri është një përmbledhje shkrimesh të ndryshme: kumtesa, seminare, trajtesa, fjalë rasti, punime diplome, ese, recensione etj., të sistemuara në kapituj, nënkapituj dhe njësi tjera më të vogla. Ato janë shkruar në periudha të ndryshme, në kohë dhe rrethana të ndryshme. Disa prej tyre janë të botuara më herët e disa botohen për herë të parë. Pavarësisht kur janë shkruar a botuar shkrimet, ato e plotësojnë njëra-tjetrën, nxjerrin në sipërfaqe shumësinë e temave të trajtuara, librin e bëjnë më gjithëpërfshirës, por edhe e pasurojnë atë me të dhëna të reja, me dëshmi dhe me referenca.

Temat e çështjet e trajtuara këtu, për arsye praktike mund t’i ndajmë në tri grupe. Në grupin e parë hyjnë ato tema që janë trajtuar e stërtrajtuar në kohë e periudha të ndryshme (Epoka dhe figura e Skënderbeut, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë etj.). Grupit të dytë i përkasin temat që nga historiografia nuk janë trajtuar sa duhet. Edhe kur janë trajtuar, nuk janë trajtuar duke u bazuar vetëm në kritere profesionale, por më shumë në kritere politike dhe ideologjike (tema e Kosovës dhe lufta e saj për liri e bashkim kombëtar). Në grupin e tretë hyjnë temat që nuk janë trajtuar (për disa arsye) pothuajse aspak nga historiografia shqiptare dhe jo vetëm (Lufta e UÇK-së, Familja Jashari dhe roli i saj në luftën për liri etj.).

Disa nga temat kryesore me të cilat autori është i lidhur më shumë, të cilat edhe kanë zënë vendin kryesor në këtë libër, janë: Epoka e Skënderbeut, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Luftërat ballkanike, Kongresi i Lushnjës, Revolucioni i qershorit 1924, Luftërat ballkanike, Kosova mes dy luftërave botërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën administrimin ushtarak 1945, nën sundimin e Jugosllavisë së Titos e të Millosheviçit, deri te çlirimi dhe shpallja e pavarësisë së saj etj. Përveç këtyre temave, në këtë libër kanë zënë vend të konsiderueshëm edhe shkrimet për disa personalitete historike. Si personalitete historike, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe me të cilët autori është jashtëzakonisht i lidhur (prandaj disave prej tyre ua kushton nga dy-tri shkrime), janë: Skënderbeu, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Shaban Polluzha, Adem Demaçi, Adem Jashari, Ahmet Haxhiu etj. Shumica e shkrimeve kanë karakter afirmativ, vlerësues.

Në faqet e këtij libri parakalojnë mendime, pikëpamje, ide dhe opinione të ndryshme, të shtrira në kohë dhe hapësirë, me të cilat autori është shërbyer, natyrisht duke pasur për bazë literaturën profesionale, të cilës edhe i është referuar. Literatura profesionale këtu nuk është referenca e vetme. Sepse, për shkak të natyrës së disa shkrimeve, herë pas here citon edhe vargje e strofa këngësh, por edhe thënie e proverba popullore; vargje dhe strofa nga poezi të poetëve të traditës sonë letrare dhe kombëtare; thënie, mendime dhe ide të dijetarëve botëror. Ai nuk ka komplekse as kur e citon Marksin, Engelsin a Leninin, as kur e citon Barletin, Nolin, Hasan Prishtinën e ndonjë tjetër. Ai ka guximin intelektual të pozicionohet më shumë se një herë për ndonjë ngjarje a personalitet. Të pozicionohet dhe ta shprehë mendimin e tij të ndryshëm nga të tjerët, pavarësisht literaturës, pavarësisht referencave. Disa prej personaliteteve historike i quan korifenj të lirisë, të demokracisë etj. Kështu, jo rrallë, duke përdorur edhe figura stilistike (kryesisht epitete dhe krahasime), disa nga korifenjtë i quan: yll lirie e pavarësie, krenari të kombit e njerëzimit, trima Arbërie e legjendar lirie etj. Mirëpo, disa që nuk i takojnë grupit të korifenjve, herë i quan “bastard”, herë “jurishnik”, herë “kryemizor të Shqipërisë” etj. Përkundër këtij diskursi, Krasniqi me profesion është historian. Është historian i kohës dhe rrethanave. Është historian i angazhuar. Historian që është ballafaquar me ngjarje, rrethana e personalitete historike, disa prej të cilëve i ka njohur personalisht dhe ka bashkëpunuar me ta.

Në këtë libër janë gërshetuar përvoja jetësore, profesionale dhe intelektuale. Mirëpo, kryefjalë e kësaj vepre është ballafaqimi. Ballafaqimi historik në luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Ballafaqimi historik me historinë, me ngjarje, data, epoka e personalitete historike. Këto përbëjnë brumin, esencën e librit, fokusin kryesor. Prandaj, togfjalëshi ballafaqim historik ose “ballafaqime historike”, siç del në titull të librit, duhet kuptuar në kontekst të shtrirjes në kohë dhe hapësirë, në kontekst të kohës dhe rrethanave të kësaj lufte. Duke trajtuar tema të ndryshme, ai ballafaqohet edhe me historinë e historisë, edhe me ngjarje historike dhe histori të ngjarjeve historike, por edhe me personalitete historike dhe historinë e tyre; me politika e ideologji të ndryshme; me dije e koncepte të ndryshme për ngjarjet, për temat, për historinë. Historiani Krasniqi është ballafaquar njëkohësisht me historinë dhe me robërinë, por edhe me vetveten. Është ballafaquar qoftë si lexues i pasionuar i historisë, qoftë si dëshmitar, pjesëmarrës a protagonist në ngjarje të caktuara historike, por edhe si shkrues i historisë.

Gjatë përgatitjes të disa prej këtyre shkrimeve të përfshira në këtë libër, autori nuk ka mundur t’i shmanget ballafaqimit me vetveten. Ballafaqimi me vetveten nuk ka qenë më pak sfidues se në ballafaqimet tjera gjatë veprimtarisë së tij atdhetare, politike, por edhe profesionale. Pozita e tij ka qenë sfidues, sepse në raste të caktuara është detyruar të pozicionohet, të shprehë mendimin dhe pikëpamjen e vet për ndonjë ngjarje a personalitet. Kështu, duke u gjendur në mes të dy rivalëve (subjektivizmit dhe objektivizmit), ka bërë përpjekje që t’i përafrojë aq sa ishte e mundur në këso rastesh, megjithatë ka raste kur ai lëkundet sa në njërin anë (subjektivizëm) sa në anën tjetër (objektivizëm). Se sa ja ka arritur t’i harmonizojë, t’i pajtojë këta “dy rivalë” mbetet ta vlerësojë lexuesi.

Këto e ballafaqime të tjera, sikur ia kanë imponuar edhe gjuhën me të cilën shkruan, edhe mënyrën e ligjërimit me të cilën ligjëron, diskursin, fjalorin, shprehjet, madje edhe figurat stilistike jo shumë të zakonshme në diskursin e historianit.

Autori, disa nga shkrimet e shkruara para tri-katër dekadash, qofshin ato të botuara apo të pabotuara, të cilat i ka përfshirë në këtë libër, ka pasur mundësi t’i ndryshojë, t’i redaktojë, reduktojë a plotësojë. Mirëpo, siç duket, nuk ka dashur t’i ndryshojë, qoftë edhe kur ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Sepse, nëse këto i lexojmë në kontekstin e kohës dhe rrethanave kur janë shkruar, ato kanë kuptim, kanë domethënien e vet, sepse janë ruajtur të pandryshuara nga koha kur janë thënë e shprehur. Këto, në njëfarë mënyre janë një dëshmi e sinqeritetit të autorit, e guximit të tij dhe gatishmërisë së tij që të sakrifikojë nga jeta e tij personale dhe profesionale. Sepse, në rrugën për çlirim e bashkim kombëtar, ai u ballafaqua me shumë sfida, me shumë të panjohura, të cilat ja cenuan edhe veprimtarinë profesionale, madje edhe lirinë. Lirin e tij dhe popullit të cilit i takon. Liria dhe bashkimi i të cilit janë alfa dhe omega e këtij libri. Natyrisht edhe ideali jetësor i veprimtarit të çështjes kombëtare, veteranit të Luftës së UÇK-së, politikanit dhe historianit Jakup Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …