Nga një partneritet që dikur premtonte ndryshimin epokal në Kosovë, raporti mes Albin Kurtit dhe Presidentes Vjosa Osmani është shndërruar sot në një fushëbetejë të heshtur për fuqi, legjitimitet dhe mbijetesë politike. Me konstituimin e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 28 Dhjetorit, Kosova po hyn në një cikël ku bashkëjetesa mes Kryeministrisë dhe Presidencës nuk do të matet më me buzëqeshje protokollare, por me numra të ftohtë parlamentarë, përcaktues për fatin politik të tyre.
Tri momemte që po e lëkundin këtë aleancë, e cila dikur dukej e pathyeshme.
Së pari, në një farë mënyre, heqja dorë nga Albin Kurti lidhur me mandatin e dytë të Presidentes. Deklarata e tij se ai nuk mban përgjegjësi për sigurimin e 80 votave të nevojshme për rizgjedhjen e Osmanit është një sinjal i qartë politik. Pra Albini paralajmëron se nuk do të bëjë koalicion qeverisës për të siguruar vota për President! Për Kurtin, Osmani nuk është më “aset” elektoral i domosdoshëm, nuk paraqet figurë unifikuese qysh do të duhej të jetë, e që në fakt kurrë s`ka qenë. Me një Vetëvendosje që dominon skenën, Albini duket se po e përgatit terrenin për një figurë më unifikuese me partinë e tij, ose po e përdor rizgjedhjen e Osmanit si një “monedhë këmbimi” për t’i nxjerrë lëshime asaj në vendimmarrjet e ardhshme.
Së dyti, përplasja për çështjen e Asociacionit. Ky nuk është thjesht një dallim konceptual, por një ndarje ideologjike. Kur Presidentja deklaroi se “Qeveria ka pranuar Asociacionin”, ajo goditi në zemër narrativën sovraniste të Kurtit. Kjo divergjencë tregon se Osmani ka zgjedhur rrugën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, ndërsa Kurti vazhdon të luajë kartën e rezistencës. Në sytë e Albinit, ky distancim i Presidentes shihet si një lloj “tradhtie” ndaj kauzës së përbashkët, ndërsa në sytë e Osmanit, qasja e Kurtit rrezikon izolimin e vendit.
Së treti, raportimet e fundit dhe hetimet e Agjencisë së Antikorrupsionit rreth pasurisë së Presidentes kanë krijuar një krisje morale. Në një ambient politik ku Albini e ka ngritur imazhin e tij mbi “pastërtinë” dhe “luftën kundër korrupsionit”, çdo njollë mbi partneren e tij politike shfrytëzohet për ta dobësuar, e për ta diskredituar ate moralisht e politikisht. Heshtja e pushtetit karshi këtyre zhvillimeve flet po aq sa edhe vetë hetimet. Këto informata kane qenë të disponueshme, dhe mundësia për hetime ka qenë që nga vera e kaluar!
Në prag të marsit 2026, kur duhet të zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të përballet me një test kushtetues. Nëse Albini nuk bënë përpjeke për të siguruar kuorumin, Osmani mund të mbetet “shkretëtirë” politike. Por, ky është një thikë me dy teha, sepse dështimi për të zgjedhur Presidentin e dërgon vendin sërish në zgjedhje, një rrezik që askush nuk e dëshiron kaq herët.
Përfundimisht, ajo që dikur quhej “Lista Guxo” dhe “Vetëvendosje” si një trup i vetëm, sot janë dy pole që po largohen. Albini po konsolidon pushtetin ekzekutiv, ndërsa Osmani po lufton për të mbetur relevante në skenën politike, ani se largimi nga hija e VV, Listën Guxo e pret fati tragjik i Nismës. Pyetja që shtrohet nuk është më nëse kanë dallime, por nëse këto dallime do ta çojnë Kosovën drejt një krize të re institucionale në pranverën e ardhshme. Në këtë lojë shahu, lëvizja e radhës i takon Albinit, por kostoja do të paguhet nga stabiliteti i shtetit, në rrethana tejet të ndjeshme gjeopolitike ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
