akp deri me 4 nentor
vipa
Fillimi / Personalitete / Millosh Gjergj Nikolla (1911 -1937), poeti e prozatori ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Millosh Gjergj Nikolla (1911 -1937), poeti e prozatori ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Millosh Gjergj Nikolla, është poeti ndër më të veçantit dhe më të njohurit të  letërsisë sonë kombëtare.

Ai u lind më 13 tetor të vitit 1911, në Shkodër, në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës së Maqedonisë ku ishte pjesë e besimit ortodoks. Po atje lindi edhe një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begeri. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924), i ati i Milloshit dhe Kriston.

Gjergji, i ati, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i komunitetit. Vlen për tu përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli). Gjergji ishte i martuar martua me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në 1900. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Migjeni arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes, në një shkollë ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua, në Tivar ku  asokohe ishte shpërngulur motra e tij Lenka dhe ishte martuar me Llazar Jovanin, familja e të cilit e kishte origjinën nga Kavaja.

Daja, Jovan Kokoshi, i kishte mundësuar një bursë për në gjimnazin e Manastirit. Në vjeshtë të  vitit 1925,  u nis për qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe. Pasi përfundoi semi-maturën në vitin 1927 me rezultate meritore, në vitin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks “Jan Shën Teologu” po në atë qytet.

Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, shpallet kandidat i aftë për shërbim kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në fakultetet universitare. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka.

Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë të Shkodrës dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat “Iliria”, “Bota e re” etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon, Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me Lazër Radin, gjë që do frymëzonte këtë të fundit t’i kushtonte një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali, në Sonatoriumin “Torre Peliçe” me shpresë  për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. Përpjekjet e mjekëve kishin qenë të kota, meqë sëmundja e kishte bërë të veten.

Vdes më 26 gusht të vitit 1938.

Migjeni  ka lënë  në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Pas Çlirimit  të Shqipërisë,  trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tri herë në vitet 1954, 1957, 1961. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” pas vdekjes, në vitin 1957.

“Poeti i mjerimit”, Migjeni ka qenë zëdhënësi më besnik dhe më i ndërgjegjësuar i kohës kur njeriut të thjeshtë, fshatarit e punëtorit shqiptar, iu kishte rrezikuar qenia, kur apoteoza e perëndive ishte strukur në kokrrën e misrit, kur malësori që kishte përballuar uraganin shkatërrimtarë të robërisë, po vdiste urie, në kohën kur Mbreti Zog  organizonte ballo në Tiranë, prishte parat e Shtetit duke forcuar xhandarmërinë, jo për ta ruajtur Shqipërinë e përgjysmuar e të leckosur, jo për t’i ndihmuar çetat kryengritëse të Azem e Shote Galicës, që luftonin robërinë barbaroide serbe, por për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, duke i vrarë pas shpine duke i ndjekur madje edhe në dherat e huaja, duke i syrgjynosur e duke i katandisur për jetë të jetëve.

Andaj, edhe sot vargjet kuptimplote të Migjenit fuqishëm lëshojnë alarmin dhe çjerrin maskat e shfrytëzuesve, të gjakpirësve të veshur me petkun politik, të stolisur me hipokrizitë e premtimeve të shumta, të dalldisur në orgjitë e përditshme, me qëllim  për të mbetur përgjithmonë në pushtet, me qëllim  për ta gllabëruar e për ta shitur çdo cep të Shqipërisë.

Secila poezi, skicë, rrëfim a novelë e shkruar nga Migjeni, është antologjike, për faktin se ai ka arritur që me vizionin e tij krijues të shkruajë për të gjitha plagët sociale të njeriut, të shqiptarit të kohës, por jo vetëm të atij. Në rrugën e tij të shkurtër jetësore, nuk ishte kursyer, as atëherë kur ishte dërrmuar fizikisht dhe  sëmundja i thoshte, hesht, mor hesht!. Ishte i ndërgjegjshëm se po shuhej dalëngadalë, se skenat e vurratat e mjerimit shoqëror ia kishin katandisur shpirtin dhe trupin, se e kishin plagosur në trup e në shpirt, por ishte i ndërgjegjshëm se në mos më shumë i kishte përshkruar diagnozën fatale shoqërisë së kohës, e cila marshonte e sigurt në theqafje.

Askush më mirë se Migjeni në kohën e tij nuk e kishte kuptuar zhvillimin dialektik të shoqërisë, botën kapitaliste, (sipas tij)  në rrugë të pashmangshme drejt theqafjes, madje nuk e kishin kuptuar as grupet komuniste të kohës, të cilat sado që e simpatizonin poetin, nuk ia kishin besën, sepse ai nuk ishte komunist i ekzaltuar, nuk ishte fare komunist dhe përveç ndonjë vargu frymëzues, nuk gjejmë një poezi të mirëfilltë, ku do ta ketë glorifikuar valën e diellit alegorik.

Migjeni ishte realist. Ishte intelektuali, që rrezatonte me filozofinë e tij, sepse ishte shumë më i emancipuar se rrethi intelektual i kohës ku jetoi dhe krijoi. Ai kishte përhapur idetë dhe mendimet e tij realiste mbi botën, njerëzit dhe problemet e shoqërisë shqiptare, por edhe njerëzore. Në ndonjë frymëzim momental i referohet edhe Niçes, krejt pa të keq, ashtu sikur i referohet edhe “paçavureve” të vjetra mijëvjeçare, ku  “krahët i kanë varë pa shpresë-simbolet e shpresave të humbura, që me klithma të dëshpëruara bëjnë fjalë mbi jetën e perëndueme”, meqë kishin besuar se kishte mbetur dikur larg koha, ”kur kështjellat mijëravjeçare si xhixha shkëlqenin të lumtura”.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

 Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare (“Të çelen arkapijat”, “Studenti në shtëpi”). Në “Studenti në shtëpi” vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar (“Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novelë mbi krizën” etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat “Luli i vocërr” dhe sidomos te “Zeneli”, shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore (“Mollë e ndalueme”). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.( Behar Gjoka)

             Duke parë vuajtjet e skamjen e shumicës shqiptare, duke qenë edhe vetë bashkëvuajtës e bashkë-skamnor, Migjeni arriti jo vetëm të identifikojë shkaktarët e vërtetë të mjerimit, por edhe t’ i satanizojë dhe t’ i diskreditojë me aq sa mund të bënte këtë punë një poet, te i cili rrihte delli i gjenit të pastër njerëzor e kombëtar. Asnjë poet tjetër i kombit shqiptar nuk ka qenë aq diskret në përshkrimin realist të gjendjes shoqërore të Shqipërisë, në kohën kur jetoi poeti.

Ai nuk ishte një uragan, që mund të ta bënte më të mirë Shqipërinë, nuk ishte një “Pontifex maximus”, as një Papë, sikur thotë për veten e vet, por ishte një poet guximtar, që i nxori në sipërfaqe të palarat, prapambetjen, injorancën, fudullëkun, bajraktarizmin e pse jo edhe mungesën e shprehur të qytetarisë në shoqërinë e kohës, të asaj kohe të zezë kur ai jetoi. Ishte një grusht pothuajse i vetmuar që donte ta godiste “malin që nuk bëzante”, ndërsa mali nuk tundej dot, për më keq ai heshtte ndërsa poeti vuante dhe në vuajtje do të vdiste.  Ishte i vetëdijshëm se fjala e tij e guximshme do ta dëmtonte dhe do ta rrezikonte, por ai nuk e tradhtoi ndërgjegjen, sikur bënë shumë poetë të asaj kohe, veprat e të cilëve nuk prekin dot nivelin artistik dhe përmbajtjen e fuqishme të krijimtarisë së Migjenit.

Ai nuk e qesëndis religjionin si të tillë, por i vë para sprovave të ndërgjegjes njerëzore klerikët, ata të cilët mësonin dhe interpretonin përmendsh mësimet e Biblës dhe të Kuranit, në një vend ku vdisej urie, ku foshnja ngrinte nga të ftohtit, ku malësorja tregtonte me nderin për të shpëtuar djalin e sëmurë, filizin e vetëm të qenies së vet, ku hajni i vogël, i cili kishte vjedhur vetëm aq, sa për ta bërë zap vetëm për një çast urinë, nuk gjente dot strehë as në kishë, sepse prifti predikonte dhe kërcënonte me ferr ata që vidhnin, por nuk i tregonte vjedhësit se si të jetonte ai nga lëmosha, kur po këta priftërinj e hoxhallarë nuk jepnin lëmoshë, por mjaftoheshin duke uruar gjithandej me fjalët tashmë monotone: “Zoti të dhashtë”. E Zoti ishte diku larg, ai si duket kishte harruar tërë njerëzimin se lërë më shqiptarët, konstatonte me keqardhje dhe i kapluar nga pesimizmi, shpirti shumë i ndjeshëm, dhe po aq i zemëruar, i Migjenit.

Për dallim nga të gjithë poetët shqiptarë të kohës, Migjeni dispononte një botë të veçantë të ndjesive. Në thellësi të shpirtit të tij kryengritës jetonte Migjeni humanist, altruist, njeriu që vuante me të gjithë të vuajturit e botës, sepse në vuajtjet e tyre identifikonte vuajtjet dhe mjerimin njerëzor, vuajtjet e njerëzve që nuk arrinin t’ i shijonin të mirat dhe kënaqësitë e kësaj bote, ndërsa për botën “tjetër” nuk e çante kokën.

Migjeni vuante me vuajtjet e nxënësve, me hallet dhe brengat e punëtorëve e të fshatarëve, me afshin djaloshar, që nuk arrinte të shprehej në rrugë normale, por gjente shtigje të shprehjes së degjeneruar, të ndragët e të zvetënuar.

 Migjeni, mbi të gjitha, në jetë dhe në vepër ka qenë humanist, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm kurdoherë për t’ u sakrifikuar për të mirën e përgjithshme. Po ashtu ishte i gatshëm të denonconte çdo padrejtësi dhe të stigmatizonte çdo shpërdorues të moralit, çdo mashtruese e abuzues, sepse vetë ishte njeri i drejtë, i dashur, jo vetëm sepse ishte një tip i veçantë dhe i padjallëzuar, por sepse kishte shpirt dhe bindje të intelektualit të shkolluar e të emancipuar. I vetëdijshëm se pozita e intelektualit të njëmendtë nuk është rehatia e tij shpirtërore, llokma dhe përfitimi vetjak, Migjeni kishte pranuar jetën e Sokratit të vuajtur, e jo të derrit të kënaqur.

Këngët e tij të “këndueme” e të “pa këndueme” i kushtoheshin njeriut, njeriut të thjeshtë, që përpiqej ta gjente rrugën e mbijetesës, rrugën e njerëzisë, rrugë e cila trasohej me shumë mund e sakrifica. Dhe ato këngë ishin djepi ku ai flinte dhe rehatohej për një çast, por edhe arkivoli ku do t’i pushonin eshtrat në përjetësi.

Në rrugën e tij të shkurtër jetësore, por shumë të gjatë me vuajtje e mjerime, Migjeni ishte ballafaquar me grushtet e rënda të jetës. Dhe, për më keq ai vuante edhe me mjerimin e të tjerëve, vuante me vuajtjen e të gjithë të mjerëve të kësaj bote. Në një gjendje të tillë shpirtërore, i trajtuar keq materialisht dhe i sëmurë nga kushtet e rënda të jetës, ai me vizionin e tij të fuqishëm artistik krijoi një diskurs të veçantë komunikativ me lexuesin e kohës kur jetoi dhe veproi.

E dinte Migjeni se sfida kundër të ligave të shumta ishte e rëndë dhe shumë e pabarabartë, Ishte i vetëdijshëm po ashtu se nuk do ta fitonte luftën kundër të ligave, kundër padrejtësive dhe nopranive njerëzore. Shëndeti i dobët, shokët, motrat dhe të gjithë ata që e donin ia preferonin heshtjen. Edhe regjimi kërkonte që ai të heshtte. Kishte çaste dëshpërimi kur edhe vetë Migjeni fizik i thoshte, hesht, Migjeni krijues, por nuk i bënte dot shpirti për të heshtur para tërë asaj katrahure, tërë asaj bote të zhytur në padituri, në skamje e mjerim.

Dhe poeti nuk do të heshtë deri në rëktimën e fundit të shpirtit, deri kur kishte shkruar tri radhët e fundit te shënimi “I fundi Skanderbe” “Ku janë orat dhe muzet?

Shtojzovallet e zanat ku janë? S’ po flitet ma për vallet e tyne, As për sytë e tyne që të shitojnë, as të bajnë fatbardhë, S po flitet ma!”

Njëri ndër poetët më të shquar shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, ashtu sikur pati fatin e keq në jetën e tij të shkurtër, ashtu vazhdon ta ketë fatin e keq jo vetëm krijimtaria e tij e shkëlqyer, por edhe bustet dhe emri i tij. Indiferenca, keqinterpretimet dhe satanizimi që po i bëhet Migjenit dhe krijimtarisë së tij, nga disa qarqe në Shqipëri dhe në Kosovë, vë në pikëpyetje të madhe ndërgjegjen intelektuale shqiptare në përgjithësi e në veçanti papërgjegjësinë e organeve relevante shtetërore, arsimore dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat, me apo pa qëllim po e anashkalojnë poetin ndër më të njohuri të letërsisë sonë kombëtare.

A.Qeriqi: Migjeni, poeti e prozatori i madh shqiptar, që asnjëherë nuk u kuptua si duhet.

Behar Gjoka: Migjeni rast i pazakonshëm, Shekulli 2013.

Skënder Luarasi, “Migjeni:Jeta dhe veprat”

Dh. Shuteriqi. Letërsia shqipe për shkollat e mesme.

Kontrolloni gjithashtu

Thoma Kacori, (1922-2008) Rilindësi i fundit, shkencëtar, shkrimtar dhe atdhetar i dalluar

Thoma Kacori, (1922-2008) Rilindësi i fundit, shkencëtar, shkrimtar dhe atdhetar i dalluar

Thoma Kacori me të drejtë është konsideruar si rilindësi i fundit shqiptar, meqë jeta dhe ...