Mimoza Ahmetaj

Mimoza Ahmetaj: Kosova me vullnet të madh për BE, por pa angazhim politik dhe pa institucione funksionale

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se në Kosovë ekziston një vullnet i jashtëzakonshëm i qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por se ky vullnet nuk po përcillet me përkushtimin e duhur politik dhe institucional. Ahmetaj theksoi se mungesa e një Ministrie për Integrim Evropian dhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po e izolojnë vendin nga proceset zhvillimore dhe fondet e BE-së. “Në Kosovë kemi një vullnet të popullit që është 95 për qind për integrim në Bashkimin Evropian, por politikat janë në diskrepancë me këtë vullnet. Ne nuk kemi Ministri të Integrimit Evropian; për më tepër, jemi nën masa ndëshkuese dhe po rrezikojmë të mbetemi jashtë fondeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Ahmetaj. Duke iu referuar vizitës së pritshme të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Ahmetaj paralajmëroi se Kosova mund të mos përfitojë nga fondi ekonomik i BE-së për rajonin, për shkak të mungesës së institucioneve të reja dhe mosfunksionimit të administratës pas zgjedhjeve të fundit. “Fakti që nuk kemi arritur të shfrytëzojmë as 7 për qind të fondeve të lejuara tregon dështim institucional. Nga 880 milionë euro, Kosova rrezikon të mos përfitojë as 60 milionë,” shtoi ajo. Sipas ish-ministres, pa një strukturë të qëndrueshme për integrime dhe pa bashkërendim të politikave të brendshme me prioritetet e BE-së, Kosova rrezikon të mbetet prapa në procesin e zgjerimit evropian dhe të humbasë mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Begaj në Samitin e Brdo-Brijunit: Dialogu rajonal, çelës për paqe dhe integrim në Ballkan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar rëndësinë e dialogut dhe fqinjësisë së mirë në …