Ministri, Ejup Maqedonci priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Andris Sprūds

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Andris Sprūds. Ceremonia zyrtare e pritjes u zhvillua me nderime shtetërore dhe u shoqërua nga togu ceremonial i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në vend e Evropë. Ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij rreth gjendjes në veri të vendit, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, si dhe rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, si shteti i vetëm që vazhdon të ruajë lidhje të afërta me Rusinë. Në këtë aspekt, të dy ministrat theksuan dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, mbrojtjes totale, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike. Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme që Letonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Vizita e ministrit Sprūds shënon një hap tjetër të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Letonisë, duke reflektuar angazhimin e ndërsjellë për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2025, me shumicë votash

I propozuari nga koalicioni VV&Alternativa dhe “Lista Guxo” Hekuran Murati, sërish nuk mori votat e mjaftueshme

I propozuari nga koalicioni “Vetëvendosje”, :Alternativa” dhe “Lista Guxo”, Hekuran Murati, sërish nuk mori votat …