Ministri Gashi: Tash e tutje financimi nga MKRS në bazë të meritave dhe rezultateve

Pas miratimit të akteve normative, të cilat rregullojnë procedurat dhe mënyrën e financimit të federatave sportive në vendin tonë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK). Përmes nënshkrimit të memorandumeve përcaktohet financimi i këtyre organizatave sportive nga MKRS-ja, tashmë për herë të parë me kritere të reja, të cila janë të parapara me rregulloren për kategorizime. Memorandumet në emër të MKRS-së janë nënshkruar nga ministri Gashi, ndërkaq në emër të KOK-ut, ka vënë firmën kryetari Besim Hasani, duke siguruar shumën prej 250 mijë euro përkrahje financiare. Në emër të FHK-së, ka nënshkruar kryetari Eugen Saraçini me ç’rast federata të cilën ai e udhëheq ka fituar përkrahje prej MKRS-së shumën prej 219,375 euro për vitin 2018. Ndërsa, sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku, ka nënshkruar në mungesë të kryetarit për arsyet që janë të ditura tashmë, pas dorëheqjes së ish-kryetarit Eroll Belegu, duke siguruar përkrahjen financiare në vlerë prej 217,425 euro për këtë vit. Ministri Kujtim Gashi, me këtë rast tha se përkrahja e MKRS-së për Komitetin Olimpik dhe dy federatat iu mundëson atyre të kenë planifikim më të mirë të aktiviteteve dhe të realizojnë programin e tyre në mënyrë më të suksesshme. Përfaqësuesit e organizatave të cilat nënshkruan memorandumet u shprehën të lumtura se tashmë ka filluar një mënyrë e re e financimit të tyre, në bazë të punës dhe sukseseve që ato arrijnë duke e marrë mirënjohjen dhe shpërblimin meritor nga buxheti publik që shteti ofron si mbështetje për sportin.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për ndëprerje të qarkullimit rrugor në rrugën “Ilaz Kodra”

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin “Klina” …