Ministri i Infrastrukturës priti në një takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë Bojan Bertoncelj, si dhe Janez Satjovic, nga kompania sllovene “Kontel” njëherit edhe përfaqësues i mbi njëzet kompanive sllovene të infrastrukturës. Në fillim të takimit ministri Lekaj, i dëshiroi mirëseardhje ambasadorit Bertoncelj, duke e falënderuar atë edhe për kontributin e Republikës së Sllovenisë në shtetndërtimin e Kosovës. Ministri Lekaj, e njoftoi ambasadorin lidhur me projektet të cilat janë duke u realizuar në Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe lidhur me interesimin e ministrisë që t’iu jepet mundësi dhe hapësirë të gjitha kompanive vendore dhe ndërkombëtare që kanë nivel të lartë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit. Ambasadori duke e falënderuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për pritjen ka theksuar rëndësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, jo vetëm në zhvillimin e brendshëm të vendit, por edhe në zhvillimin rajonal, nëpërmjet projekteve infrastrukturore. Ministri Lekaj dhe Ambasadori Bertoncelj kanë biseduar edhe për projekte që kanë të bëjnë më infrastrukturën hekurudhore dhe nevojën e modernizimit të tyre, si dhe projekte të infrastrukturës rrugore, e për të cilat kërkohet standard dhe teknologji e lartë.