Ministri Shala në mbështetje të industrisë së ndërtimit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në “Konferencën informuese për legjislacionin e produkteve të ndërtimit” theksoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe hyrjes në fuqi janë hapur rrugë që prodhimet e Republikës së Kosovës të plasohen në tregun evropian. Ministri Shala potencoi: “Ne si ministri jemi të përkushtuar që të rrisim mbështetjen për këtë industri, në hulumtimin dhe njohjen e tregut, në dizajnimin dhe mbështetjen e prodhuesve për certifikimin e produkteve të tyre me skema të veçanta të subvencioneve përmes KIESA-s, në mënyrë që të rritet konkurrenca për t’iu qasur tregjeve të jashtme që ta përmirësojmë bilancin tregtar. Po ashtu edhe ngritja dhe funksionalizimi i shtyllave të infrastrukturës së cilësisë janë kërkesa të rëndësishme që dalin nga MSA (neni 80), ku Kosova duhet t’i marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh ministri Shala. Ai shtoi se lidhur me këtë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI)  ka ndryshuar së fundmi kornizën ligjore për vlerësim të konformitetit, standardizim, akreditim dhe metrologji dhe njëkohësisht jemi duke përafruar legjislacionin sektorial për fushat që janë kompetencë e MTI-së duke i dhënë fokus edhe implementimit të tij, si dhe duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe të shërbimeve  të shtyllave të infrastrukturës së cilësisë. Edhe njëherë, ministri Shala ritheksoi se Kosova ka bërë një hap të madh përpara dhe me miratimin e Ligjit për Produktet e Ndërtimit, i cili u miratua në nëntor të vitit 2018, e që së shpejti do të hyjë në fuqi, ku do të rregullohen shtyllat e infrastrukturës së cilësisë në fushën e ndërtimit. Dhe krejt në fund, ministri Shala ka sqaruar se ky ligj është vetëm një pjesë e një procesi më të gjerë të zhvillimit nëpër të cilin duhet të kalojmë dhe që ka gjasa të marrë kohë për të përfunduar plotësisht, por megjithatë nëse e zbatojmë siç duhet ky ligj mund të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm për të na ndihmuar në këtë rrugëtim.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra për Komunitete dhe Kthim pranon dhe shpërndan donacion për nxënësit nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Zyra për Komunitete dhe Kthim e komunës së Ferizajt ka pranuar një donacion nga Qendra …