Ministria e Shëndetësisë njofton se sot në vendin tonë ka arritur kontingjenti me 182 mijë e 900 doza të vaksinës Astra Zeneca. Në njoftimin e ministrisë thuhet se kontigjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje nga Qeveria Norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tonë. Në pranimin e vaksinave në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të pranishëm ishin, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl dhe Udhëheqësi i sektorit për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa. Ministri Vitia shprehu mirënjohjet më të sinqerta për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë dhe BE-së në përballjen me COVID-19, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin publik.
