Mona Agrigoroaiei: Intervistë me drejtorin Ekzekutiv të ISEJ –së në Tiranë, dr. Enver Bytyçi

Mona Agrigoroaiei: Intervistë me drejtorin Ekzekutiv të ISEJ –së në Tiranë, dr. Enver Bytyçi

  1. Z. Enver Bytyçi, ju jeni drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Të Siguris[ për Evropën Juglindore në Tiranë, si e vlerësoni përgjithësisht mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor?

Enver Bytyçi: Pas bombardimeve të NATO-s në Serbi për çlirimin e Kosovës nga dhuna e terrori serb, Ballkani duket të jetë më i sigurt dhe më stabil. Fundi i luftrave në ish-Jugosllavi prodhoi shtetet e reja, të cilat janë orientuar në integrimet euro-atlantike. Tashmë Kroacia e Sllovenia jane anëtare të BE-së, Këto të dyja si dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s. Së shpejti pritet të jetë në NATO edhe Mali i Zi. Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ndërkohë Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë ende larg integrimeve euro-atlantike, por arësyet e këtij procesi të ngadaltë janë të ndryshme në secilin prej këtyre vendeve. Maqedonia është bllokuar nga nacionalistët grekë, për shkak të emrit, të cilin qeveria e Greqisë e konsteston. Kosova është bllokuar për shkak të mosnjohjes së shtetësisë së saj nga pesë vende të Bashkimit Europian. Bosnjë-Hercegovina është bllokuar në rrugën e integrimeve për shkak të destruktivitetit të Republikës Srpska. Kurse Serbia nuk dëshiron të jetë anëtare e NATO-s për shkak të lidhjeve të forta me Rusinë. Madje në Beograd ka dilema edhe për integrimin në BE për shkak të Kosovës. Këto problematika dhe ngërçe në integrimet euro-atlantike e bëjnë rajonin të pasigurt e jostabil.

  1. Çfarë sfida, rreziqe dhe kërcënime ndaj sigurisë ka në këtë rajon?

Enver Bytyçi: Sfidat dhe rreziqet janë disa. Por do të veçoja strategjinë dhe taktikat e ndryshme të vendeve të ndryshme të rajonit për aleanca dhe integrime. Diversiteti gjeopolitik i trashëguar në dy shekujt e fundit në Ballkanin Perendimor çon shpesh herë në konflikte. Nacionalizmi është përdorur dhe përdoret edhe sot si armë e mobilizimit të popujve në këto konflikte. Në veçanti serbët mbeten akoma problemi më i madh për sigurinë dhe paqen në rajon. Serbia dhe qeveria e Beogradit përkrahin çdo akt destabilizues të udhëheqësit serbo-boshnjak, Dodik. Një referendum në Republikën Srpska i muajit të kaluar për ndryshimin e ditës kombëtare, duke rikthyer si festë ditën e shpalljes së pavarësisë të kësaj republike nga Bosnjë-Hercegovina në janar 1992, është një gjest simbolik, por domethënës i kursit nacionalist e shovinist të udhëheqësve serbë të Republikës Srpska. Kjo është e rrezikshme dhe mund të rikthejë përpjekjet e Serbisë për shkatërrimin e shtetit të Bosnjës. Pasoja do të jetë konflikti e dhuna jo vetëm në Bosnje, por në gjithë rajonin.

Në Kosovë ka përpjekje të ethshme të Beogradit për destabilizimin dhe për ndarjen e Kosovës. Prandaj punohet me një strategji të qartë destabilizimi të situatës politike në Kosovë. Sjellja e Beogradit ndaj institucioneve dhe integritetit territorial të Kosovës nuk ka ndryshuar që prej kohës kur vendi u vu nën administrimin ndërkombëtar dhe është thelluar pas shpalljes së pavarësisë. Bisedimet Prishtinë-Beograd nuk kanë dhënë rezultatin e kërkuar. Për pasojë situata është e brishtë dhe nëse nuk do të ishin të pranishme forcat e NATO-s, KFOR-it, me siguri që do të kishte konflikt të hapur midis shqiptarëve dhe serbëve.

Po kështu në Maqedoni ka një konflikt politik të brendshëm, i cili shpesh herë duket se shkon në kufijtë e prishjes së ekulibrit social e politik. Përveçse çeshtjet etnike në marrëdhëniet midis maqedonasve e shqiptarëve janë një shqetësim i vazhdueshëm. Qeveria i provokon këto marrëdhënie dhe shqiptarët nuk dihet sa kohë do të durojnë të jetojnë në kushtet e një provokimi të tillë, i cili ka shkaktuar dhjetra viktima. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk i zgjidh këto çeshtje në të trija këto vatra konflikti, atëherë situata do të jetë gjithnjë e ndezur dhe një fije shkrepse mund ta ndezë luftën në Ballkan. Besoj se është shtuar prania e BE-së dhe roli i saj në zgjidhjen e konflikteve të tilla në rajon, por është dobësuar roli amerikan dhe kjo vetëm se e shton rrezikun destabilizues.

  1. Cili është mendimi juaj për situatën politike dhe të sigurisë në Shqipëri dhe Kosovë?

Enver Bytyçi:  Situata politike dhe e sigurisë në Shqipëri dhe në Kosovë nuk është dhe aq rozë, sa atë e paraqesin ata që kanë radhën të qeverisin. Shqipëria dhe Kosova janë vende që nuk prodhojnë konflikt rajonal. Kjo është një traditë historike e shqiptarëve. Por konfliktet e brendshme politike kanë ndikuar që stabiliteti dhe siguria shpesh herë të lëkunden. Në Shqipëri shihet një mungesë e theksuar besimi ndërmjet forcave politike, një retorikë politike ekstreme, e cila tensionon situatën sociale dhe pengon zhvillimin e ekonomisë. Marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës janë gjithnjë të tensionuara.

Po kështu edhe në Kosovë opozita dhe pozita nuk bashkëpunojnë. Kosova ka disa probleme specifike, ndryshe nga ato të Shqipërisë. Janë vendosja e vijës kufitare me Malin e Zi si dhe marrëveshja për krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe, dy çeshtjet kryesore për të cilat forcat politike janë të ndara dhe në konflikt. Madje dhe brenda mazhorancës ka kontestime. Kjo e ka thelluar konfliktin midis mazhorancës dhe opozitës. Ka mundësi që për këto arësye të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, Ndoshta zgjedhjet do të sillnin një zgjidhje politike. Por unë shoh se konflikti nuk do të ndalet. Shumica e forcave politike kanë për objeksion forcimin e institucioneve të shtetit të pavarur. Ndërsa Vetëvendosja shpesh herë i kundërvihet ekzistencës së shtetit të Kosovës, duke kërkuar bashkimin me Shqipërinë. Pra, nuk ka një çasje të përbashkët strategjike. Aty ku mungon konsensusi për çeshtjet themelore të strategjisë kombëtare, aty konflikti është i pashmangshëm. Të shohim si do të shkojë më tej.

Ndërkohë të dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, vuajnë nga të njëjtat sëmundje si korrupsioni, krimi i organizuar dhe lidhjet e politikës me të, trafiqet dhe në Shqipëri përhapja e mbjelljes dhe kultivimit të bimëve narkotike. Këto sëmundje kanë dobësuar funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë si në Tiranë, edhe në Prishtinë. Pa shtetin e së drejtës dhe pa zhvilluar kulturën demokratike është vështirë të krijohet stabilitet e siguri. Imagjinoni kur në kushte të tilla qytetarët varfërohen dhe nuk gjejnë mundësi për punësim e jetesë. Kjo rrit presionin, shton emigracionin dhe krijon kushte për tronditje të mëdha sociale.

  1. A është IRJM përballë një krizë të brendshme të thellë dhe të paevitueshme brenda institucioneve të sigurisë dhe Prokurorisë Speciale? A mund të çojë këtë krizë në falimentimin moral të IRJM si shtet funksional?

Enver Bytyçi: Maqedonia është shtet multietnik, por maqedonasit nuk duan ta besojnë e ta pranojnë këtë fakt. Maqedonia është shtet ende i parealizuar plotësisht, përderisa ka një emër të kontestuar, por maqedonasit dhe qeveritarët e tyre nuk kanë dashur ta pranojnë këtë. Megjithatë Maqedonia ka përparime në zhvillimin ekonomik, sikurse ka problem të shumta me zbatimin e ligjit, me korrupsionin, nepotizmin, kulturën demokratike të saj etj. Pergjimet telefonike kanë përshpejtuar proceset politike në këtë vend. Bashkimi Europian ka marrë më shumë përgjegjësi dhe ka nxitur Shkupin për zgjidhjen e krizës. Në këtë aspekt rol i rëndësishëm i është dhënë gjykatës speciale, e cila do të hetojë korrupsionin dhe shkeljet e ligjit nga ana e pushtetarëve. E njëjta gjë po ndodh në Shqipëri, por para një viti ndodhi edhe në Kosovë. Gjykatat speciale shihen si instrument i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me mbështetje të politikës. Duket se është shtuar prania gjermane dhe ndikimi i saj në zgjidhjen e krizës. Zgjedhjet e reja të dhjetorit janë një shans i ri për shtetin dhe shoqërinë maqedone. Qeveria e re do të duhet të kalojë shumë sfida, të zgjidhë konfliktin me Greqinë për çeshtjen e emrit, të vendosë ekuilibrat e duhur në marrëdhëniet midis shqiptarëve e maqedonasve si dy etnitë kryesore të shtetësisë së Maqedonisë, të vendosë standardet e sjelljes demokratike dhe të punojë për integrimet euro-atlantike.

Një Maqedoni anëtare e NATO-s dhe BE-së është interes jetik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Madje kjo vlen edhe për Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Mali i Zi tashmë do të bëhet pjesë e NATO-s dhe ka përparuar më shumë se çdo vend tjetër drejt BE-së. Por për Shqipërinë Maqedonia ka një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme. Testi i zgjedhjeve te dhjetorit do te jete prova e kapercimit ose jo të situatës së komplikuar në të cilën kalon Maqedonia. Për ne ekzistenca e shtetit të Maqedonisë dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve janë me rëndësi jetike. Nuk është interes yni shpërbërja e Maqedonisë.

  1. Si vlerësoni shkallën e ndikimit rus në Ballkan?

Enver Bytyçi: Kur lindi doktrina e pansllavizmit para dy shekujsh, ajo kishte parasysh para së gjithash shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan. Kjo doktrinë u implementua sidomos me nxitjen nga ana e Rusisë të Luftrave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore para një shekulli, kur Rusia u përpoq të kishte një dalje në detin Adriatik nëpërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Pas Luftës së Dytë Botërore Bashkimi Sovjetik realizoi një formë sundimi të tipit kolonialist në të gjithë Europën Lindore dhe Juglindore, përfshirë Ballkanin. Sistemi komunist që u vendos në këto vende, përjashtuar Greqisë dhe Turqisë, i dha mundësi Moskës që të ruante pozitat e dominimit rus në rajon dhe të kontrollonte koridoret dhe territorin ballkanik.

Pas rënies së Murit të Berlinit ndryshuan ekuilibrat. Vendet ish-komuniste u integruan në BE dhe NATO dhe ky proces do të duhej të përfundonte me vendet në kufi me ish-Bashkimin Sovjetik. Me Moskën u vendosën marrëdhënie partneriteti, si nga NATO, edhe nga BE. Por Kremlini nuk u pajtua me këtë proces. Sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit rus, Vladimir Putin, marrëdhëniet midis Rusisë nga njëra anë dhe SHBA-ve e Bashkimit Europian, nga ana tjetër, u përkeqësuan shumë. Ndërhyrja ruse në Gjeorgji dhe Ukrainë, sidomos aneksimi i Krimesë, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Tashmë Rusia shihet jo më si partner, por si rrezik kryesor për paqen dhe sigurinë në Europë.

Ballkani është përsëri fushë-beteje midis të dy palëve. BE dhe SHBA kanë investuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Por Kremlinit nuk i shërben kjo. Gjithmonë Moskën e kanë joshur grindjet ballkanike. Gjithmonë ajo ka përfituar vetëm nga konflikti e jo nga paqja e stabiliteti në rajonin tonë. Prandaj Rusia dhe presidenti Putin bëjnë presion të gjithanshëm. Serbia është vendi aleat i Rusisë dhe shpreh hapur simpatinë e saj për të. Vullnetarë serbë janë parë në konfliktin e Ukrainës në radhët e forcave separatiste proruse të ndihmuara nga Moska. Presidenti serb, Nikoliç, është njeriu më i fuqishëm i Moskës në Beograd dhe bën presion të vazhdueshëm për ndërrimin e kursit të integrimit të Serbisë, duke kërkuar orientimin rus të saj. Ndërsa NATO bën stërvitje të përbashkëta me trupat e vendeve anëtare ose partnere të saj në Ballkan, Rusia bën stërvitje të përbashkëta me ushtrinë e Serbisë. Beogradi i ka hapur dyert disa operacioneve ushtarake të Kremlinit në këtë vend. Pra, Serbia është në udhëkryq, sa i përket orientimit të saj gjeostrategjik: Të vazhdojë aleancën pan sllaviste me Moskën, apo të integrohet në BE e NATO? Kosovën e përdorin të dy vendet si “mollë sherri”. Sa do të shkojë kjo marrëdhënie në simbiozë mes dy vendeve, duhet të shohim. Por unë besoj se varet shumë edhe nga forca që shfaq solidariteti në Bashkimin Europian dhe vendosmëria e Brukselit për t’i bërë presion të vazhdueshëm Beogradit. Beogradi në një aleancë me Moskën do ta kishte të vështirë të mbijetonte, sepse është si një ishull në rajon, pa lidhje të drejtpërdrejtë territorial me Rusinë. Ndërkohë në pikëpamje të shkollimit, kulturës dhe ekonomisë serbët gjithnjë kanë synuar Europën dhe jo Rusinë. Por politikisht, ushtarakisht e në pikëpamje strategjike atyre u intereson përkujdesja e Moskës, pa të cilën e shohin veten të pambrojtur.

Një vend anëtar i BE-së, nuk mund të mos ngrejë dhe respektojë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë si reagim i ngjarjeve në Ukrainë. Por ja që Greqia ngriti krye para gati dy vitesh. Kryeministri Tcipras ishte në muaj mjalti me presidentin Putin, derisa shpresonte se do të merrte prej Moskës nja 10 miliard dollarë për të ushqyer bankat greke e për të përballuar një dalje të dëshiruar nga Euro. Vizitat e shpeshta të Tcipras në Moskë e të Vladimir Putin në Athinë i dhanë nxitje veçmas bashkëpunimit ekonomik midis të dy vendeve. Synimi ishte të evitohej prania e kompanive europiane, sidomos atyre gjermane në Greqi, të cilat po përfitonin edhe nga kriza e rëndë në këtë vend.

Mali i Zi ka qenë gjithashtu objekt sulmesh dhe presioni nga ana e Rusisë për kursin e tij pro NATO. Ftesa për anëtarësim e Malit të Zi në NATO u shoqërua me deklarata kërcënuese nga ana e lidershipit rus. Por fitorja e Gjukanoviç në zgjedhjet e fillimit të këtij muaji në Mal të Zi besoj se i ka dhënë fund mundësisë që Rusia të imponojë një zgjidhje tjetër pro saj, megjithëse opozita malazeze është një opozitë e shpallur proruse, pasi që ajo përfaqëson 33 për qind të popullsisë serbe, në këtë vend. Por në Mal të Zi Rusia ka hedhur rrënjë që herët. Sot gati 40 për qind e investimeve të huaja dhe firmave të huaja i përkasin atyre të Rusisë.

Kjo mënyrë intervenimi i ka dhënë rezultat Moskës edhe në vende të tjera të rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Vetëm Kosova është ende e paprekur në mënyrë direkte nga investimet dhe firmat ruse. Prania ruse në ekonominë e vendeve të Ballkanit shihet si një mundësi që Moska të hedhë rrënjë në këtë rajon me një perspektivë afatgjatë për të ndikuar më pas në politikat e zhvillimit e më në fund në politikat gjeostrategjike të saj. Kjo do të thotë se Rusia jo vetëm nuk e ka humb shpresën për të qenë e pranishme dhe me ndikim në rajon, por se ajo ka shtuar përpjekjet në këtë drejtim.

Për këto synime Kremlini ka fituar deri diku mbështetjen e presidentit turk, Erdogan, i cili ka shpallur një aleancë të pazakontë me presidentin rus, Putin. Kjo aleancë e ripohuar sidomos pas grushtit të shtetit në Turqi, mendoj se shton mundësitë e rritjes së rrezikut rus në Ballkan. Është për të mos u besuar një lidhje e tillë ruso-turke, e cila në çdo rrethanë është dhe mbetet e rrezikshme për vetë Turqinë. Por faktet janë të tilla, qeveria turke ka krijuar tashmë një lidhje të ngushtë me qeverinë ruse edhe pse interesat e të dy vendeve janë të kundërta në politikat rajonale dhe botërore.

(Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi është drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore në Tiranë)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Q. Gashi: Intervistë me bijën e dëshmorit, Eduarda Avdi Kelmendi

Arbanë Q. Gashi: Intervistë me bijën e dëshmorit, Eduarda Avdi Kelmendi

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Eduarda Avdi Kelmendi Eduarda …