Në skenën politike kosovare po vazhdojnë debatet për mundësinë e krijimit të Qeverisë së tretë të Albin Kurtit. Nga Lëvizja Vetëvendosje është thënë se Nisma Socialdemokrate ka treguar vullnet për bashkëpunim dhe se ky hap është në interes të vendit. Ish-deputeti i VV-së, Enver Dugolli, është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes, megjithëse Nisma ka kushtëzuar mbështetjen e saj me postin e kryetarit të Kuvendit. Dugolli tha se qëndrimet e Nismës janë “deklarime të çastit” dhe se partneritetet politike nuk duhet të ndërtohen me kushte. Por nga ana tjetër, Bilall Sherifi i Nismës Socialdemokrate ka mohuar se partia e tij dhe Fatmir Limaj janë të interesuar për hyrje në Qeveri. Sherifi tha se pas takimit të fundit mes Kurtit dhe Limajt, kryeministri në detyrë e kishte “injoruar” Nismën duke propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit pa asnjë konsultim paraprak. Sipas Sherifit, kjo ka qenë pika e ndarjes, kur Limaj i ka thënë Kurtit “rrugë të mbarë, por pa mua”. Ai theksoi se qëndrimi i Nismës mbetet i pandryshuar — “jo në Qeveri, vetëm partneritet në Kuvend”. Ndërkohë, gjatë një takimi me diasporën, Albin Kurti ka zbuluar se i kishte ofruar Nismës një marrëveshje bashkëpunimi që përfshinte postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra. Por kabineti i Fatmir Limajt e ka konfirmuar për “Gazetën Metro” se oferta e Kurtit është refuzuar, duke e cilësuar të papranueshme dhe të pamjaftueshme për të siguruar partneritetin e premtuar.
