Me moton “Ti je pjesë e atdheut” kanë filluar aktivitetet për ditët e mërgatës në Kaçanik

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi i shoqëruar nga stafi përcjellës, priti në takim bashkatdhetarët kaçanikas të cilët jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të botës. Me këtë rast Kryetari Ilazi i falënderoi për kontributin e dhënë në periudhën para lufte dhe gjatë ndërtimit të shtetit. “Ju jeni pjesë e pandashme e zhvillimit të ndryshimeve që janë bërë në Kaçanik që nga koha e pasluftës, por angazhimi dhe forca e diasporës ka qenë e madhe edhe në periudhat më të vështira në të cilat ka kaluar vendi ynë, ju jeni shtylla kryesore e zhvillimit të vendit” tha mes tjerash Kryetari Ilazi, ndërsa shtoi se këto aktivitete janë një simbolikë për kontributin e juaj. Kryetari kërkoi nga bashkatdhetarët që të shprehin shqetësimet, problemet dhe brengat e tyre, ndërsa shtoi se me vullnet dhe mirëkuptim do të mundohemi të ndryshojmë dhe të punojmë brenda mundësive. Nga ana tjetër këtë takim e përshëndetën bashkatdhetarët, ndërsa shprehën brengën e tyre për disa çështje. Ata u shprehën të shqetësuar lidhur me problemin e mbeturinave e deponive ilegale, shpejtësinë e veturave në komunikacion, pirja e duhanit në hapësira të mbyllura publike, mungesa e mediave në Kaçanik, ndërsa si problem kryesor ata shprehën asimilimin e bashkatdhetarëve, kurse kërkuan që të hapet një shkollë verore për fëmijët e diasporës gjatë stinës së verës. Përveç shqetësimeve ata janë ndarë të kënaqur me zhvillimet që janë duke u realizuar, si projekti i vendosjes së adresave, objekti i ri i QKMF-së si dhe mirëmbajtja dhe sjelljet e mira të stafit mjekësor, si dhe procedurat e shpejtuara administrative për nxjerrjen e dokumenteve të nevojshme familjare. Takimin e përshëndeti edhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik kapiten Afrim Halili, kryetarja e Qendrës Kulturore “Kaçaniku” Remzie Dardhishta si dhe stafi përcjellës ekzekutiv. Në takim u bë e ditur se me datë 29 Korrik 2017 ( E shtunë) për mërgimtarët do të organizohet një piknik në fshatin Shtrazë.

Kontrolloni gjithashtu

Institucionet komunale të Skenderajt me homazhe përkujtuan heroin, Malush Ahmeti

Në nderim të rënies heroike të komandantit Malush Ahmeti, 26 vjetë më parë, kryetari i …