Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se e premtja, më 28 nëntor 2025, do të jetë ditë pushimi për të gjithë nëpunësit e administratës publike, me rastin e Festës së 28 Nëntorit. Në komunikatën zyrtare të MPB-së theksohet se kjo vendimmarrje synon të lejojë qytetarët dhe punonjësit e institucioneve të shijojnë festimet dhe aktivitetet kulturore e ceremoniale që organizohen në këtë ditë. Festa e 28 Nëntorit shënon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa në Kosovë kjo datë ka një rëndësi të veçantë, duke u konsideruar festë e katërfishtë. Në këtë ditë nderohen Dita e Flamurit dhe figura e heroit kombëtar, Skënderbeu; po ashtu festohet Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. MPB uron të gjithë qytetarët me rastin e 28 Nëntorit dhe fton të gjithë të marrin pjesë në aktivitetet kulturore dhe ceremoniale që organizohen në vend. Vendimi për pushim zyrtar synon gjithashtu të nxisë reflektimin mbi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date, duke mbajtur gjallë traditën dhe kujtimin e figurave historike të kombit shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
