Mr.Ali Hertica

Mr. Ali Hertica: Elita politike e Shqiptarëve e (s)duan Ribashkimin Kombëtar!

Politikanët tanë shqiptarë, qofshin të Kosovës historike, të ish-Republikës së Maqedonisë, të Kosovës Lindore, të Çamërisë, të Malit të Zi…, sigurisht se e duan Ribashkimin Kombëtar; ndërkaq në intervistat dhe nëpër ndejat e tyre politiko-diplomatike deklarojnë se bërja e Shqipërisë Etnike nuk është temë tabu.

Kushtetuta e Kosovës, në të vërtetë, përcakton se nuk mund të ketë bashkim me ndonjë shtet tjetër. Ndërsa Kushtetuta e Shqipërisë Londineze, në pjesën e parë – Parime themelore, Neni 8, thotë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Pra, siç shihet, Shqipëria Londineze e ka për detyrë dhe obligim t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. Megjithatë, edhe shtetin amë e pengon diçka. në mos qoftë marrëveshja me NATO-n me rastin e aderimit të Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike.

Si do qoftë, politikanët tanë duhet të pyeten: e duan apo nuk e duan Ribashkimin Kombëtar? Nuk mund të thuhet se nuk e duan, por me plot përgjegjësi mund të deklarohet se në këtë çështje po ecin shumë ngadalë, për të mos thënë se fare pak janë duke bërë. Lëvizjet drejt Shqipërisë gjatë sezonit të verës, pa vështirësi të kalimit të kufijve, duhen përshëndetur, por ka edhe shumë procese të tjera integruese që duhet të ndërmerren sa më parë – dhe për këtë askush nuk e pengon lidershipin shqiptar.

Politikanët shqiptarë, në takime diplomatiko-politike me diplomatët (miqtë tanë), duhet që me një qëndrim të palëkundur të shtrojnë dhe të diskutojnë çështjen e Ribashkimit Kombëtar. Prandaj shtrohet pyetja: Elita politike shqiptare, a e do apo nuk e do Ribashkimin Kombëtar? A do të angazhohen ata po aq seriozisht sa populli për një Shqipëri të tillë?

Luftëtarët, tashmë të rreshtuar në radhët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të udhëhequr nga prof. Hazir Shala, të Frontit të Bashkimit Kombëtar Shqiptar të udhëhequr nga Arbër Kastrioti, si dhe të Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar Shqiptar të udhëhequr nga mr. Gafurr Adili, (siç kuptohet nga programet e tyre partiake) janë duke punuar në sensibilizimin e popullit për aktin historik të Ribashkimit Kombëtar. Sipas deklarimeve të tyre, ata janë optimistë se Shqipëria e Bashkuar do të ndodhë, madje duke u përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse ky projekt i ka themelet në parimet demokratike botërore.

Prandaj, unë mendoj se lidershipi aktual në Kosovën Historike ka dijen, zotësinë dhe gatishmërinë që amanetin e bashkëluftëtarëve të tyre ta çojë në vend. Jam i bindur gjithashtu se edhe elita politike në Shqipërinë Londineze e ka kurajën të zbatojë Kushtetutën e vendit, kur është fjala për shqiptarët jashtë kufijve të saj, siç e cekëm më sipër.

Nëse këto platforma politike fillojnë të zbatohen dhe të jetësohen – (sipas meje, kjo është e mundshme) – atëherë Shqipëria e dëshiruar nga 15 milionë shqiptarë nuk është më vetëm një aspiratë.

Kur kësaj i shtojmë edhe faktin se amaneti i dëshmorëve të kombit ende mbetet pezull, sepse Shqipëria Etnike – Natyrore nuk është realizuar, atëherë domosdoshmërish angazhimet e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe të strukturave të tjera duhet të jenë më të theksuara dhe më të organizuara. Kjo mbështetet edhe në deklaratat e ish-luftëtarëve të lirisë, tani dëshmorë të kombit, të bashkëluftëtarëve të tyre në UÇK, UÇPMB-së e më gjerë, si dhe në qëndrimet e zyrtarëve të subjekteve të sipërpërmendura, të cilët kërkojnë Shqipërinë e Bashkuar me të gjitha trojet e saj natyrore.

Siç po vërehet nga angazhimet e tyre dhe nga mbi 80 subjekte politike në Shqipërinë Londineze, miliona shqiptarë e duan Ribashkimin Kombëtar. Edhe analizat e shumë ekspertëve të fushave të ndryshme tregojnë se efektet ekonomike – e jo vetëm ato – do të ishin shumë më të favorshme për mirëqenien qytetare sikur trojet shqiptare t’i bashkoheshin Shqipërisë Londineze.

Pra, Ribashkimi Kombëtar është dëshira e 15 milionë shqiptarëve – kjo nuk kontestohet. Edhe unë, si njëri prej tyre, vlerësoj se shkrimi i z. Cenë Pushkollit është i qëlluar dhe e përgëzoj për këtë. Ribashkimi Kombëtar, në një Shqipëri Etnike – Natyrore, do të sillte shumë përfitime jo vetëm për shqiptarët, por për tërë rajonin – madje edhe më gjerë. Kjo është më se e kuptueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani: Pse Albin Kurti nuk mundi të krijojë një qeveri ?!

Milaim Sylejmani: Mirë u pafshim në Kosovën e Lirë!

Mërgata e Kosovës ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës që nga vitet ’70 …