Mr. Sheremet Krasniqi: Një vepër që hedh dritë mbi eposin e lashtë heroik të shqiptarëve

(Zymer Ujkan Neziri , Studime për folklorin, I, IAP, Prishtinë, 2007) 
Këto ditë, doli nga shtypi vepra “Studime për folklorin” ,I, e autorit Zymer U. Neziri. Emri i këtij shkencëtari tashmë është bërë i njohur në fushën e studimeve etnologjike shqiptare, sidomos ai ka derdhur dhe vazhdon të derdhë djersën që prej 35 vjetësh në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me ca ndërprerje për shkaqe politike, në ndriçimin e epikës legjendare e historike të shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë vepër autori ka përfshirë punime studimore nga fusha e Eposit të Kreshnikëve dhe nga poezia epike historike të periudhës së viteve 1972-2006, punime këto që i ka lexuar në simpoziume, seminare e konferenca shkencore vendore e ndërkombëtare, të mbajtura në Prishtinë, Tiranë, Shkodër e Gnijezno (Poloni), nga viti 1978 e këndej . Këto kumtesa më parë janë botuar në revistat shkencore, që dalin në Tiranë e Prishtinë, por që tash na vijnë në një vëllim të vetëm , të rishikuara e të përditësuara , punë kjo shumë dobiprurëse, sepse studiuesit e folklorit, por edhe të tjerët, do ta kenë shumë më të lehtë të shohin e të studiojnë opusin e këtij autori. Punimet e kësaj përmbledhjeje autori i ka renditur në dy tërësi të mëdha grupore. Në grupin e parë ka përfshirë tetë punime për Eposin e Kreshnikëve, kurse në të dytin janë katër punime nga poezia gojore epike historike.
Grupit të parë i prin kumtesa kushtuar studiuesit e albanologut gjerman nga Austria “Gustav Majeri dhe fillet e botimit të këngës kreshnike shqiptare”. Që në fillim të këtij punimi autori na bën me dije se ishte pikërisht Gustav Majeri ai i cili më 1897, në Vjenë, botoi një fragment të Ciklit të Mujit e të Halilit “ Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra”, fragment ky që u botua bashkë me materiale të tjera të letërsisë sonë gojore në veprën e tij Albanesische Studien, vëllimi VI. Pra, pas afër katër shekujsh pritjeje, siç thotë autori, prej vitit 1635, kur Frang Bardhi, mbledhësi dhe botuesi i parë i folklorit shqiptar, fillon botimin e materialeve të letërsisë sonë popullore, një studiues i huaj botonte fragmentin e parë të këngës kreshnike shqiptare, në një kohë kur eposet e mëdha heroike të Evropës tashmë ishin shënuar në të gjitha variantet e tyre, si: Këngët e Nibelungëve te gjermanët, Kënga e Rolandit te francezët, Kalevala te finlandezët etj. Më 1961, studiuesit e njohur të folklorit Zihni Sako, Agron Fico, Keti Harito dhe Qemal Haxhihasani, ribotuan këtë këngë (Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, bleni I, (1912-1935), ku thuhet:
” Ky është fragment i parë i botuar i ciklit të kreshnikëve”, duke hequr kështu dilemën e lexuesit të dymendshëm mbi vërtetësinë e kësaj kënge. Siç dihet, fragmenti i kësaj kënge kreshnike ka gjithsej 15 vargje. Në bleun I, Mbledhës të hershëm…, kjo këngë kreshnike, gjithnjë sipas autorit të kësaj vepre, emërtohet si “Drit ka dal e dielli nuk ka ra”, po edhe si “Martesa e Hysenit ”. Shtatë vjet më vonë, më 1904, botohet kënga e parë e plotë e Ciklit të Mujit e të Halilit “Të lumët na për të lumin Zot ” në veprën e Gaspër Jakovës-Merturit. Autori na bën me dije në këtë vepër se më vonë botohen edhe dy këngë të tjera të kreshnikëve, “Vuko Harambashi dhe Hajkuna e Dezdar Osman Agës “, si dhe “Martesa e Halilit të ri me Ruzhën e Galan Kapetanit”, në Raguzë (Kroaci), në gazetën “Shpnesa e Shqypëniis” (1905-1908) të Nikollë Ivanajt. Pos Gustav Majerit, si mbledhës të këngëve të Ciklit të Kreshnikëve, autori përmend edhe T. Gjorgjeviqin, i cili që më 1901shfaq interesim për këtë lloj këngësh të shqiptarëve, si dhe Hasan Fejzullahun, mbledhës dhe bashkëpunëtor i tij në Aleksinc, po ashtu më 1901. Epikologu Neziri përmend edhe lahutarin Fejzullah Merova, i cili më 1901 kishte kënduar për të birin këngën shqipe të kreshnikëve , sipas porosisë së profesorit të tij Gjorgjeviq. Duke përmbyllur studimin “Gustav Majeri dhe fillet…” autori me të drejtë konstaton se “edhe po të shuheshin këngët tona të kreshnikëve për Mujin e Halilin dhe për tridhjetë shokët e tyre të çetës, edhe po të mos shënohej dhe po të mos botohej asnjë varg tjetër i këtij cikli, botimi i fragmentit të këngës “ Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra” do të mbetej dëshmi në historinë e folkloristikës sonë dhe të asaj botërore për ekzistimin e eposit të lashtë heroik të shqiptarëve”.
Në vijim të kësaj vepre, kemi katër punime kushtuar punës së profesorëve amerikanë të Universitetit të Harvardit, Millmen Peri dhe Allbert Llord në fushë të epikës gojore, si dhe kontributi i Gjon Kolstit, përkatësisht i Gjon Kolecit me prejardhje nga Korça. Pastaj vijnë punimet për Eqrem Çabejn, për epikën legjendare në Kosovë, në veçanti në krahinën e Rugovës.
Në punimin “Po hapet Dosja H në Universitetin e Harvardit” , autori në fillim jep informacione për vetë qytetin e Harvardit, duke thënë se Harvardi është një qendër e moçme universitare amerikane në Kembrixh, qytet pranë Bostonit, i themeluar në vitet ’30 të shekullit XVII, nga i cili universitet kanë dalë dyzet nobelistë. Studentë nga mbarë bota ëndërrojnë Harvardin, por për shkak të kritereve të rrepta që ka ky universitet (dija, shtrenjtësia etj.), të rrallë janë ata që kanë fatin të studiojnë aty. Një fat të tillë e paskan pasur edhe studiuesi ynë i njohur në SHBA, Gjon Koleci, i cili ka doktoruar aty më 1967, në fushë të epikës, dhe Edita Tahiri, intelektuale dhe veprimtare nga Prishtina, e cila kohë më parë magjistroi po aty. Në fillim të shekullit të kaluar në Harvard studiuan edhe Fan Noli e Faik Konica. Në këtë punim mësojmë për bisedat e transkriptuara midis lahutarëve bilingualë dhe përkthyesit Nikolla Vujnoviq , i cili bën presion mbi lahutarë që rapsoditë të cilat i këndonin këta, ato t’i këndonin edhe serbisht, për të fshehur e për të shtrembëruar kështu fakte shkencore në dëm të eposit shqiptar. Por këto shtrembërime një ditë do të hidhen poshtë, sepse, siç thotë recensuesi e etnologu i mirënjohur prof. dr. Shaban Sinani, “Koleksionet e Parry-Lordit, që zbuloi kolegu Zymer Neziri, do të jenë një tërmet i fuqishëm , një “tsunam” i llojit të veçantë, për të gjitha mashtrimet shkencore të deritashme”. Koleksioni i M. Perit, i krijuar gjatë viteve 1933-1935, ka mbi 12 mijë e pesëqind tekste, që janë të incizuara në rreth 3500 pllaka dhe konsiderohet njëri ndër arkivat më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor. Ai është i pasur sidomos me lëndë të epikës boshnjake, kroate e serbe , por aty, sipas studiuesit Neziri, ku ruhet edhe një pjesë e thesarit të eposit e të lirikës gojore të shqiptarëve. Në Koleksionet e Peri- Llordit ndodhen të incizuar lahutarë bilingualë, siç janë Salih Uglla (Salih Ugljanin) e Avdo Megjedoviq (Avdo a Avdullah Ferizi ), që konsiderohen si ndër Homerët e fundit në Evropë, dhe lahutarë të tjerë. Peri, gjithnjë sipas Nezirit, nga rapsodi 85-vjeçar, Salihu, mësoi jo vetëm për epikën e moçme shqipe të Ciklit të Mujit e të Halilit, po edhe për epikën e re historike të shqiptarëve që nga shekulli XIV e këndej. Ai, po ashtu, konstatoi se Salihu përgjigjej prerazi , duke thënë se nuk këndon serbisht, se serbisht nuk di, por këndon, përveç shqip, edhe boshnjakisht. Kur jemi te rapsodi Salih, duhet të përmendim edhe studiuesin e njohur Gjon Kolsti ( i brezit të pestë të studiuesve amerikanë të Harvardit), i cili vazhdon rrugën e profesorëve M. Peri dhe A. Llord , duke vënë në qendër të vëmendjes së tij këtë lahutar nga Uglla e Sanxhakut dhe repertorin e tij shumë të pasur, sidomos me këngë të Ciklit të Kreshnikëve të Mujit e të Halilit dhe me këngë epike historike që nga Beteja e Kosovës e deri te ngjarjet e shekullit XX. Dhe, sot, në saje të ligjësive që ka zbuluar sociolinguistika moderne, mund të vërtetohet fare lehtë se cila është gjuha e parë, amtare, e rapsodit, por edhe autenticiteti i një eposi.
Në punimin në vazhdim të këtij libri, “Të dhëna për dorëshkrimet e Eposit të Kreshnikëve në koleksionin e Allbert Llordit”, Zymer Neziri na njeh me një mbledhës e studiues tjetër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, profesorin e Universitetit të Harvardit në Kembrixh, Allbert Bejts Llord, bashkëpunëtor i epikologut të shquar amerikan, Millmen Peri, për të cilin, siç thotë ky studiues, nuk është ditur saktësisht se ai është njëri ndër mbledhësit më të mëdhenj nga të huajt i këngëve shqiptare të Eposit të Kreshnikëve. A. Llord këngët i ka shënuar në Shqipërinë e Veriut dhe ato ruhen në Bibliotekën Uajdener të Universitetit të Harvardit. Pas vdekjes , papritmas, më 1935, të M. Perit, Llordi udhëtoi për në Shqipëri më 1937 dhe vazhdoi punën e nisur në vitet ’30, kur ishte ndihmës i tij. A. Llordi nga lahutarë të Shqipërisë së Veriut mblodhi gjithsej 43 këngë të kreshnikëve. Në këtë punim, Z. Neziri ka shënuar krahinat nëpër të cilat A. Llord kishte mbledhur këngë kreshnikësh, emrin e lahutarëve, me të dhëna të nevojshme, siç janë mosha, përkatësia etj., si dhe numrin e saktë të vargjeve të secilës këngë, ashtu siç i kishte gjetur në Bibliotekën e lartpërmendur, madje të ilustruara edhe me fotot e disa prej lahutarëve më të njohur, siç janë: Alush Alia, Sokol Martini, Gjergj Pllumi, Mark Miri, Fran Pali, Dedë Keçi etj., si dhe të dy bashkëpunëtorëve të Llordit, Qamil Hoxha e Murat Paci.

Në studimin “Tri faza të mendimit të E. Çabejt për etimologjinë e emrit “kreshnik”

autori i referohet shpjegimit etimologjik të këtij termi nga albanologu i mirënjohur E. Çabej, që në vitet ’30, duke iu kundërvënë Ernest Koliqit, i cili termin kreshnik e nxirrte nga sllavishtja krst + sufiksi sllav nik dhe duke shprehur pikëpamjen e tij për prejardhjen shqipe të termit kreshnik nga rrënja kreshtë. Është interesant të ceket se në vitet ’60 , kur albanologu gjerman Maksimilian Lamberc botoi studimin për epikën popullore të shqiptarëve “Die Volkseipk der Albaner”, Çabej, pas analizave që i bën kësaj vepre dhe pas fjalëve miradie për autorin e saj, ndalet edhe te etimologjia e fjalës kreshnik, të cilën Lamberci e nxirrte nga serbishtja krajishnik, kufitar dhe krajina, krahinë kufitare, duke rënë ndesh kështu me pikëpamjen e vet , që e kishte shfaqur në vitet ’30 për rrënjën kreshtë nga shqipja. Ndërsa në vitet ’70 Çabej pranon tezën sllave të Shmausit për etimologjinë e fjalës kreshnik.
Në studimin tjetër në vijim, “Disa të dhëna për gjendjen e sotme të poezisë epike legjendare në krahinën e Rugovës”, autori përqendrohet në krahinën e Rugovës, njëra ndër vatrat më burimore të eposit tonë, gjurmët e të cilit ruhen edhe sot e kësaj dite. Siç dihet, në këtë krahinë të vogël të trungut arbëror, e ndodhur gati e izoluar në Alpet Shqiptare, janë ruajtur me fanatizëm shekuj me radhë, deri në ditët e sotme, këngët epike shqiptare, sidomos Cikli i Kreshnikëve. Z. Neziri, duke e njohur më nga afër këtë krahinë, sepse edhe vetë është i asaj ane, sidomos duke iu përkushtuar me tërë qenien kësaj fushe të folklorit, ka bërë një punë vlerëmadhe, duke na njohur me lahutarët më në zë të kësaj treve. Pasi jep një historik të shkurtër të fshatrave e të banorëve të krahinës së Rugovës, ai na i prezanton lahutarët e kësaj krahine dhe numrin e këngëve e të vargjeve të vjela nga ata. Siç mësojmë nga ky studim, pas Luftës së Dytë Botërore, kur edhe shfaqet në botimet tona kënga e parë kreshnike, nga Rugova janë vjelë rreth njëzet mijë vargje epike legjendare. Duke ndjekur punën e vjelësve pararendës siç ishin Qemal Haxhihasani, Anton Çetta, Agron Xhagolli e të tjerë, Zymeri vazhdon punën në gjurmimin dhe në vjeljen sistematike të repertorit të këngëve epike-legjendare të lahutarëve rugovas , duke vjelë rreth treqind e pesëdhjetë këngë e variante me mbi njëqind mijë vargje të Ciklit të Kreshnikëve, si dhe rreth njëqind njësi të prozës legjendare. Duke u ndalur në studimet e derisotme të epikës legjendare ndër ne, në veçanti të epikës legjendare të Rugovës, autori i këtij studimi konstatonte me të drejtë se deri në fillim të viteve ‘80 askush nuk ishte marrë me këtë çështje, për të cilën autori në ato vite ka shkruar një disertacion doktorate. Madje autori thotë se edhe metoda e deritashme e seleksionimit të atypëratyshëm të repertorit të lahutarëve është e gabueshme dhe e dështuar, duke përmendur me këtë rast shembuj konkretë se si nuk duhet punuar. Përveç të tjerash, materiali i vjelë nga ky studiues mund t’iu shërbejë gjuhëtarëve, në veçanti dialektologëve, filologëve, po edhe studiuesve të fushave të tjera të albanologjisë, për të bërë kërkime të mëtejshme. Duke përmbyllur këtë studim, autori konstaton se Rugova është ndër krahinat më të pasura epike legjendare në Ballkan, ku lëshon shtat e jeton kënga e lahutës.
Siç e kemi cekur edhe më lart në këtë vështrim, autori ka një admirim të papërmbajtur ndaj lahutarëve, e këtë admirim ndaj tyre e gjejmë te punimi “Lahutarët e sotëm në Kosovë: modeli Isë Elezi-Lekëgjekaj (1947)”. Përveç portretit të lahutarit Isë Elezi-Lekëgjekaj nga Koshutani i Rugovës, nga repertori i të cilit janë shënuar e incizuar njëmbëdhjetë këngë të kreshnikëve, me gjithsej 6558 vargje, në këtë punim sistemohen, me një akribi të mirëfilltë shkencore, të dhënat për lahutarët më të njohur të kohëve më të reja, repertori i tyre, si dhe vendi që zënë ata në repertorin e këngëve legjendare. Duke folur për këta lahutarë të njohur të Kosovës, autori shpreh keqardhje që shumë nga ata kanë vdekur pa u shënuar asnjë varg nga repertori i tyre i këngëve kreshnike, për shkak të rrethanave tashmë të njohura pas pushtimit të saj nga Serbia e Mali i Zi, më 1912, dhe dëmet që pësoi edhe kjo krahinë nga lufta e viteve 1997-1999, kur policia dhe ushtria e Serbisë dhe e Malit të Zi ia vunë zjarrin Rugovës për të tretën herë gjatë shekullit XX, duke djegur edhe shumë lahuta, si vlera të paçmueshme etnokulturore. 
Në një tjetër studim me interes në këtë vepër “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe folklori shqiptar” , trajtesë kjo e mbajtur në konferencën shkencore ndërkombëtare të organizuar nga universiteti “Adam Mickijeviç” i Poznanjit, gjegjësisht Kolegjiumi Evropian në Gnijezno, autori, duke shfrytëzuar praninë e figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në folklorin shqiptar, në tregime popullore e legjenda, në këngë popullore epike historike, gojëdhëna etj., i kushton një hapësirë të madhe ciklit të këngëve historike “të kohës së parëve” kushtuar kësaj figure tipike të Rilindjes Evropiane, duke rikonfirmuar se me fillimin e epikës historike, gjegjësisht të ciklit arbëresh të “motit të madh”, Eposi i Kreshnikëve ishte mbyllur. Duke lexuar këtë trajtesë, lexuesi do të mësojë se emri dhe vepra e Skënderbeut në folklorin shqiptar është ruajtur brez pas brezi si një strateg i luftës dhe si një simbol i mbrojtjes dhe i qëndresës. Madje, sipas këtij autori, ka dëshmi se edhe vetë komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, gjatë luftës e para vdekjes, në mars të vitit 1998, këndonte këngë për Skënderbeun, e kështu vepronin edhe bashkëluftëtarët e tij para shumë betejave.
Pas studimit për Skënderbeun, pason studimi i gjatë “Haxhi Zeka në traditën popullore”, në të cilin autori ka në epiqendër këtë figurë qendrore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Cikli i këngëve popullore kushtuar Haxhi Zekës përmbush atë boshllëk që deri më sot nuk ka arritur ta thotë historia. Kënga popullore historike dhe gojëdhënat, që na i ka prezantuar ky studiues në këtë studim, na e paraqesin Haxhi Zekën si një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare, të cilin populli e nderon dhe e përjetëson në këngë e në tregime. Ja vetëm një shembull, kur rapsodi popullor, duke përjetësuar fjalimin e Haxhi Zekës në kuvendin “Besa-besë”, në janar të vitit 1899, demaskon të gjithë ata që punonin për interesat e huaja e në dëm të çështjes kombëtare:
“Veç beglerë e do zotni,
Qi s’menojnë për shiptari,
E kanë menen n’pasuni,
Gjithmonë punët na i kanë përzi”.
Në këngë dhe në kujtime populli e ruan të freskët këtë figurë madhore të Lëvizjes dhe njërin ndër kundërshtarët më të rreptë të Portës, e cila dhelpërisht mbronte vendimet e Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare.
Në një studim tjetër, “Shkodra në motërzimin e këngës së Shaqir Grishës të Maksimilian Lambercit”, epikologu i këtij studimi, pasi flet me admirim për këtë albanolog të shquar , i cili një pjesë të mirë të dijes dhe të jetës ia kushtoi folklorit shqiptar, bën krahasimin e dy varianteve të kësaj kënge, i pari i mbledhur nga Lamberci “në Shllak të Drinit”, afër Shkodrës, ndërsa i dyti i mbledhur në krahinën e Llapit. Në të dy variantet, Shaqir Grisha, ose Shaqir Igrishta (sikur ishte emri i tij i vërtetë, sipas autorit), na del njëri ndër kryekaçakët e viseve shqiptare, që Serbia i pushtoi më 1878, i cili deri në vdekje nuk e lëshoi pushkën nga dora.
Këtë vepër Z. Neziri e përmbyll me kumtesën “Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës”, në të cilën trajtohen elemente të mërgimit politik në epikën historike të Rugovës pas Luftës së Parë Botërore, më 1919. Siç dihet, para 88 vjetësh Rugova mbeti shkret. Dy ushtri, ajo e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë, bënë masakër të paparë , duke djegur fshatra të tëra të Rugovës, duke vrarë pleq e të rinj, gra e fëmijë. Në një luftë të pabarabartë, rugovasit qenë të shtrënguar të linin vatrat e tyre shekullore e të vendoseshin në Malësi, në Rrafsh e gjetkë. Këtë tragjedi më së miri e ka përjetësuar rapsodi popullor me vargjet:
“Aleksandri kish urdhnua:
Krejt Rugovën m’e farua!
Çka kish ba ajo Serbi,
Dogj Rugovën shtatëqind shpi,
Dyqind vet i paska gri,
T’madh e t’vogël, gra e thmi .“
Me gjithë terrorin e madh, Rugova s’u përkul asnjëherë. Ajo mbijetoi dhe bëri rezistencë aktive, duke i treguar armikut se ky popull kurrë nuk i kurseu jetën dhe gjakun për trojet e veta, e këtë porosi e gjejmë edhe në vargun kuptimplotë :
“Thuej Serbisë: t’ma ke pa sherrin!”
Duke përmbyllur këtë vështrim, mund të konstatojmë se kjo vepër është një perlë e folklorit tonë dhe si e tillë ajo do t’iu shërbejë brezave të ardhshëm, por edhe të huajve, për të studiuar e thelluar më tej njohuritë e tyre në fushën e folklorit shqiptar, sepse në të do të gjejnë një aparaturë të mirëfilltë shkencore, indeksin e emrave, rezymenë në anglisht për secilin studim etj.
Po të kihet parasysh puna përkushtuese studimore e shkencore në fushën e lartpërmendur, me mbi treqind zëra bibliografikë të botuar, mund të thuhet, pa e tepruar, se Zymer Neziri është njëri ndër epikologët më të mëdhenj në hapësirën gjithëshqiptare.
P.S. Fusnotat janë hequr.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …