Mr. Sheremet Krasniqi: U përuruan 15 vëllime të Eposit të Kreshnikëve

Më 15 janar 2015, në Institutin  Albanologjik të Prishtinës u bë përurimi i Projektit hulumtues shkencor Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan : Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi  (Malësia e Madhe ), Maqedoni (zona Kumanovë-Kërçovë ), Serbi ( Lugina e Preshevës ) 2012-2014. Këtë përurim e drejtonin : profesorët Bashkim Lajçi, Shaban Sinani, Zeqirja Neziri, Begzad Baliu, anëtarë të ekipit të Projektit, si dhe bartësi i Projektit, Zymer U. Neziri.

 

Në këtë përurim merrnin pjesë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës e të Qeverisë, të Ambasadës amerikane, qindra studiues e profesorë, veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë të UÇK-së, personalitete të artit e të kulturës, studentë etj. Interesimi për këtë Projekt ishte tejet i madh , saqë salla e Institutit ishte e vogël për t’iu bërë vend gjithë atyre të interesuarve- madje shumë sish kanë qëndruar në këmbë, jashtë, në korridor.

 

Interesim i madh për Eposin e Kreshnikëve

 

Ndër shumë personalitete të shquara, që morën pjesë në këtë përurim , do t’i veçoja  edhe këto figura: ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami, akademik Idriz Ajeti, veprimtari Adem Demaçi, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve, zëvendësshefi i Misionit, Michael J. Murphy,  Gusatvo Loria, studiues nga Kosta-Rika,  asistentja e Programit të Kulturës, Afërdita Krasniqi, kryetari i Komisionit të Shkencës të Kuvendit të Kosovës, deputeti Nait Hasani, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, prof. Ardian Marashi, shkrimtari Ramiz Kelmendi. Ishin të pranishëm, përveç studiuesve të IAP-it, edhe profesorët Shefki Sejdiu, Mehmet Halimi, Agim Vinca, Jusuf Telaku, Zenel Kabashi, Enver Mehmeti, Bahri Brisku, Hamit Xhaferi, Vebi Bexheti, Shemsedin Dreshaj, Ali Muriqi, Dashmir Uruçi, kryetar i shoqatës “Kosova “ nga Shkodra,  veprimtarët nga Ulqini, Mehmet Bardhi e Daut Ceka, bashkëpunëtorë nga terreni, nga Hoti, Plava e Gucia, Lezha, Mirdita, Kumanova, Tetova, Kërçova, nga anë të ndryshme të Kosovës etj.,  si dhe këngëtarë-lahutarë nga shumë vise, pjesëmarrës në Projekt.

 

Përurimi filloi me një fragment të shkurtër të dokumentarit Eposi i Kreshnikëve. Pastaj fjalën e mori

 

 Bashkim Lajçi, i cili  lexoi një fragment të Arsyetimit të Projektit. Ndër të tjera, ai tha se Eposi i Kreshnikëve, lloj i poezisë epike legjendare shqiptare, është nga njësitë më të lashta të krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar. Mbledhja e tij urgjente në pesë shtete të Ballkanit ishte një nevojë e domosdoshme në fillim të këtij mijëvjeçari, e kjo u realizua me shumë sukses. Para jush janë 15 vëllime material, si dhe 16 vëllime të Nënprojektit, po edhe dy vëllime me pyetësorë dhe biografi këngëtarësh. Eposi i Kreshnikëve është ndër pikat më të ndritshme evropiane dhe botërore të folklorit burimor sot. Me të drejtë mund të thuhet se Eposi i Kreshnikëve është ndër shtyllat kryesore të trashëgimisë shumëshekullore të shqiptarëve. Eposi i shqiptarëve është ndër eposet e fundit në Evropë. Ai ende bën jetë aktive në shumë krahina etnogjeografike të Kosovës, të Shqipërisë, në vise shqiptare në Maqedoni, në disa krahina etnogjeografike të viseve shqiptare në Serbi: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe pjesa e Sanxhakut të Pazarit në Serbi. Po ashtu jetë aktive bën edhe në shumë krahina etnogjeografike të viseve shqiptare në Mal të Zi: Kojë, Triesh, Grudë, Hot, Krajë, Shestan, Anë e Malit, Plavë e Guci, rrethina e Rozhajës dhe pjesa e Sanxhakut të Pazarit në Mal të Zi. Duke e vlerësuar si pasuri të madhe kombëtare, ne shpresojmë, tha ai, se do të mbërrijmë që të dëshmojmë se epika legjendare shqiptare e llojit të kreshnikëve është një thesar botëror i artit dhe i kulturës dhe si e tillë, duke e marrë parasysh nismën e hershme nga shkencëtarët shqiptarë, të regjistrohet në UNESCO dhe të konsiderohet thesar botëror i kulturës. Teksti i këtij arsyetimi u lexua edhe anglisht nga Shqipe Neziri.

 

Telegrame urimi edhe nga Universiteti i Harvardit…

 

Duke e vlerësuar lart këtë Projekt, në pamundësi për të marrë pjesë në këtë përurim, telegrame urimi kishin dërguar edhe  studiues të huaj, Dejvid Ellmer nga Universiteti i Harvardit, D. Elmer , Kembrixh, Harvard, J. Elliott nga Londra dhe Nikolla Skalldaferri nga Universiteti i Milanos.

 

Në urimin e tij dërguar bartësit të Projektit , Dejvid Ellmer, nga Universiteti i Harvardit, shkruante :

 

“ Ekspertiza ime mbi epikën shqiptare buron nga përvoja ime e kuratorit të asociuar në Koleksionin e Letërsisë Gojore të Milman Parry-t në Universitetin e Harvardit. Koleksioni i Milman Parry-t është një arkiv i njohur botërisht për traditat epike gojore të Ballkanit. Dr. Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. Ai është gjithashtu koleksionisti më energjik dhe më pjellor dhe botues i këngëve epike shqiptare. Projekti në shqyrtim, sipas mendimit tim, është më mbresëlënësi dhe më i rëndësishmi në arritjet e tij deri më sot. Dr. Neziri ka ndërmarrë për të dokumentuar traditën epike shqiptare me të gjithë shtrirjen e saj të plotë  gjeografike, duke përdorur metodat më moderne të mbledhjes dhe duke përfshirë dokumentacionin audiovizual. Ai ka pasur sukses në mbledhjen e një vëllimi të madh të materialit-shumë më tepër, në fakt, se ai që kishte parashikuar. Projekti i dr. Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi. Projekti ka qenë, që në fillim, i planifikuar dhe i realizuar mirë në përputhje me standardet më të larta shkencore. Unë përshëndes dr. Nezirin për gjerësinë e vizionit të tij shkencor dhe për energjinë e tij, si dhe për zellin në kryerjen e një projekti kompleks dhe të vështirë “.

 

 Ndërsa studiuesi tjetër , Nikolla Skalldaferri nga Universiteti i Milanos, në urimin e tij drejtuar bartësit të këtij Projekti, shkruante:

 

“Përgjegjësi i këtij projekti, prof. dr. Zymer U. Neziri, është një dijetar i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare, ku debaton si ekspert kryesor i kësaj fushe, dhe kështu ai është në gjendje që atë ta çojë përpara në mënyrën më të përshtatshme. Në fakt, ideja për të kërkuar  Eposin e Kreshnikëve në një kuadër më të madh gjeografik të vendeve në kufi, është një perspektivë që zgjeron njohuritë për epikën shqiptare dhe shkon përtej mënyrës tradicionale për t’iu qasur kësaj çështje. Numri i vëllimeve të parashikuara në fazën përfundimtare të këtij projekti, bashkë me  koleksionin e librave që prof. dr. Neziri dhe Instituti Albanologjik kanë botuar që disa vite, tashmë përbëjnë një arritje historike, si për kulturën shqiptare ashtu edhe për studimet epike. Përdorimi i dokumentacionit të regjistrimit audiovizual të këngëve, që është zbatuar në këtë projekt, integron dhe plotëson mënyrën tradicionale për të mbledhur dhe për të transkriptuar materialet, si dhe përfaqëson një kontribut kryesor metodologjik për kërkime shkencore, në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare “.

 

D. Elmer, Kembrixh, Harvard, në telegramin e tij  dërguar bartësit të këtij Projekti, Zymer Nezirit, shkruante: 

 

“I nderuar Zymer, urime për suksesin e projektit tuaj! 15 vëllime  janë vërtet material shumë i madh! Pa dyshim, ky do të jetë një nga koleksionet më të rëndësishme të traditave epike evropiane. Përshëndetje të përzemërta, Dejvid.

 

Kurse në telegramin e studiuesit nga Londra J. Elliott, thuhej:

 

“Më vjen keq, se ende gjendem në Londër dhe nuk mund të marr pjesë në këtë ngjarje tepër të rëndësishme për albanologjinë. Ju uroj të gjitha të mirat për përurimin e një monumenti të dijes jetësore jo vetëm për Kosovën apo për Ballkanin, por të një niveli botëror.  Me shumë respekt dhe admirim,  Justini, Londër “.

 

Pas leximit të telegrameve të lartpërmendura, fjalën e mori Shaban Sinani , i cili, ndër të tjera , tha :

 

 “ Kemi nisur punën para disa vitesh për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO. Kjo është vlerë e papërsëritshme e etnokulturës sonë. Dihet se asnjë pasuri etnokulturore nuk regjistrohet atje nëse nuk dëshmohet forma e saj e gjallë, e ne po e dëshmojmë me këto 15 vëllime , të realizuara nga ky projekt në pesë vende të Ballkanit. Dëshmi është edhe prania e bartësve të eposit, që janë sot këtu me ne, e merita e pare është e Zymer Nezirit, drejtues i këtij projekti. E dyta, janë bashkëpunëtorët e këtij projekti. Dhe, pason faza e lobimit diplomatik në UNESCO. Zymer Neziri kishte realizuar në terren edhe më herët , para disa vitesh, edhe një projekt të madh si ky, po ashtu me 15 vëllime të këngëve të kreshnikëve , por nuk është ndalur. Dua të them se ka rëndësi edhe bashkëpunimi i dy institucioneve tona, pra, i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë,  e këtu sot është edhe drejtori , profesor Ardian Marashi, kurse edhe ky projekt është pjesë e këtij bashkëpunimi “.

 

Pastaj fjalën e mori Zeqirja Neziri, i cili tha:

 

“Të dashur miq, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që jam pjesëmarrës i këtij manifestimi të madh kombëtar, shumë të rëndësishëm për kulturën , identitetin dhe përgjithësisht për trashëgiminë kombëtare shqiptare. Si njëri prej bashkëpjesëmarrësve në këtë projekt ( nga territori i Maqedonisë) jam i lumtur që me realizimin e tij kemi arritur përtej parashikimeve dhe sot të prezantojmë një punë madhore, që është bërë nën udhëheqjen e Zymer Ujkan Nezirit. Duhet të theksoj se me këtë projekt është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe dhe shumë e rëndësishme për trashëgiminë e kulturës kombëtare shqiptare. Profesor Zymer Ujkan Neziri , njohës i mirë dhe studiues  i thelluar i kësaj problematike, me një përkushtim shumë të madh e një këmbëngulje vetëmohuese ka arritur që me këtë projekt të regjistrojë një fond shumë të madh këngësh të tipit të Eposit Heroik, si dhe tregime, legjenda e besime që lidhen me Eposin e Kreshnikëve. Meqë koha është shumë e kufizuar, do të përpiqem gojarisht, në vija të përgjithshme, t’i theksoj disa nga vlerat më të mëdha që ka ky projekt  dhe që do të ketë në të ardhmen.

 

Ndër ato vlera që ka ky projekt ai përmendi Simpoziumin , të mbajtur në Tiranë më 1983, që iu kushtua këndimit të gjatë epik te shqiptarët. Në këtë Simpozium , tha ai, u vendos baza teorike e Eposit Heroik Shqiptar. Aty u vërtetua jetesa gojore mbi dymijë vjeçare e këtij eposi, që tani po shkel në mijëvjeçarin e tretë, si dhe u konstatua se përgjatë shekujve ai arriti t’i rezistojë , të qëndrojë e të mbijetojë i paprekur mbi të gjitha stuhitë, që sillnin sundimtarët e ndryshëm, që përpiqeshin t’i shkelnin e t’i shtypnin shqiptarët. Eposi i Kreshnikëve, si njëri prej ngrehinave madhështore kombëtare, arriti ta mbjellë në vijimësi, ta kultivojë e ta ruajë të paprekur etninë, traditën e rezistencës e të trimërisë, të burrërisë e të guximit, të sakrificës e të vetëmohimit, tha, në vazhdim,  Zeqirja Neziri. Realizimi i këtij projekti, tha ai, ka një rëndësi të madhe për kulturën kombëtare shqiptare, sepse me të dëshmohet njëra prej ngrehinave, thënë metaforikisht, të kullave identitare kombëtare. Prandaj, tha në fund Zeqirja Neziri, para studiuesve të ardhshëm dalin dy detyra : ta afirmojnë në botë këtë traditë të lashtë të këndimit epik  shqiptar dhe t’i përmbysin pikëpamjet shtrembëruese të dy shekujve të fundit.

 

Begzad Baliu, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: Objekt i kërkimit tonë me nënprojektin Eposi në ndërdijen kombëtare ishte një hulumtim i gjerë në traditën kombëtare mbi gjendjen sasiore dhe cilësore të eposit në Kosovë dhe mbi ndikimin e tij shpirtëror e material në botën shqiptare. Ky është projekti i parë i kësaj natyre në studimet albanologjike mbi eposin dhe si të tillë nuk e kemi hasur as në studimet nacionale të rajonit tonë. Në hulumtimin tonë , tha ai, është përdorur metoda e anketimit të drejtpërdrejtë me gojë dhe me shkrim nga më shumë se shtatëqind intervistues (studentë, arsimtarë, mësues etj.) Brenda vitit 2013, sipas tij,  janë vjelë rreth 5800 faqe kompjuteri, ndërsa presin të kompjuterizohen edhe rreth 500 faqe të tjera. Anketimi ka përfshirë një numër të madh çështjesh historike, etnologjike, etnopsikologjike, sociologjike, familjare, individuale, kulturore, gjuhësore etj., të lidhura ngushtë me praninë e eposit si vëllim dhe si përmbajtje etike dhe artistike. Hapësirën më të madhe në anketimin tonë e ka zënë shtresa etnike dhe etno-psikologjike e heronjve të eposit dhe ndikimi që kanë bërë në jetën e shqiptarëve të Kosovës që nga lindja e deri te vdekja dhe varrezat e tyre (toponimia legjendare për varrezat e kreshnikëve). Në fund të fjalës së tij , ndër të tjera, Begzad Baliu tha se edhe ky projekt ka dëshmuar se puna shkencore në Universitetin e Prishtinës jo vetëm është e mundshme, por edhe shumë e suksesshme. Këtë projekt, që institucioneve shkencore mund t’u kushtonte disa mijëra euro, studentët tanë e kanë kryer në mënyrë vullnetare brenda dhjetë muajve dhe përfshin 5757 faqe prej 16 vëllimesh. Ky nënprojekt, pjesën më të madhe të të cilit po e shihni , më parë sesa rezultat individual, është arritje e madhe e studentëve të Fakultetit të Edukimit, të cilëve edhe do të doja tua kushtoj sot.

 

Zymer U. Neziri, bartës i Projektit, në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera , i tha edhe këto :

 

“ Ky projekt vërtet ishte i madh, shumë i madh. Para 15 vjetësh realizova një projekt me 15 vëllime , në krahinën e Rugovës. E tash, ja, edhe 15 vëllime në viset shqiptare në Ballkan. Kjo tregon se eposi ynë po jeton dhe po merr frymë lirshëm edhe në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë. Pasi përmendi një varg vështirësish që i kishin dalë në terren gjatë mbledhjes së këtij thesari, ai i falënderoi të gjithë bartësit e eposit tonë, që ofruan pritje vëllazërore, që nga Malësia e Madhe e deri në Kërçovë, nga Kumanova e deri në Plavë e Guci, nga Shala e Bajgorës e deri në Malësi të Gjakovës dhe nga Kurbini e deri në Rugovë. Falënderoi bashkëpunëtorët e jashtëm dhe bashkëpunëtorët e ekipit, profesorët Shaban Sinani, Zeqirja Neziri, Begzad Baliu, Bashkim Lajçi, Vlorë Fetaj e Albin Sadiku.  Një falënderim të veçantë ua dedikoi ekspertëve të jashtëm, Dejvid Ellmer dhe Nikolla Skalldaferri. Krejt në fund, Zymer U. Neziri i falënderoi të gjithë ata që ndihmuan që kjo punë e madhe hulumtuese shkencore në 5 vende të Ballkanit të kryhet me sukses.

 

Me një fjalë rasti, të pranishmit i përshëndeti edhe profesor Enver Mehmeti, i cili tha se Eposi i Kreshnikëve , kjo vlerë shumë e madhe e etnokulturës sonë, ka qenë në qendër të interesimeve edhe në fillim të shekullit të kaluar , në brezin e Benardin Palajt e të Donat Kurtit, e tash, në fillim të këtij shekulli, Zymer Neziri realizon një ndërmarrje kaq të madhe, një projekt me vlerë të jashtëzakonshme.

 

Në fund të këtij përurimi, pjesëmarrësve të projektit E5 iu dhanë mirënjohje.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …