MSc. Adem Lushaj: Libri, "Resurset natyrore të Deçanit" do promovohet edhe në Amerikë

MSc. Adem Lushaj: Libri, “Resurset natyrore të Deçanit” do promovohet edhe në Amerikë

Një vit më parë, më 30 tetor 2019, me rastin e promovimit të monografisë ” Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, nga botuesi Ramiz Tafilaj, ishte premtuar që kjo monografi do botohet edhe në gjuhën angleze, me qëllim të promovimit të vlerave turistike të Deçanit, edhe në Shtetete Bashkuara të Amerikës,pse jo edhe në Shtetet tjera të kontinentit të Amerikës. Pikërisht, kjo gjë edhe ndodhi, ngase këto ditë kjo monografj doli nga shtypi, edhe në gjuhën angleze. Këtë sërish e bëri drejtori i Shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” me seli në Houston-Texas, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pronar i së cilës është një humanist tashmë i njohur dhe i dekoruar edhe nga Presidenti Donald Trump. Por, që monografia të jetë e përkthyer dhe që resurset tona natyrore të promovohen në botë, fillimisht u përkujdes Nazmi Qorraj, i cili e mundësoj përkrahjen financiare që përkthimi të jetë i nivelit të lartë, përkthim i bërë nga Abedin Lataj.

Në monografinë “Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, janë prezantuar disa nga resurset natyrore që gjenden në Deçan, e të cilat mund të ndihmojnë në zhvillimin e turizmit, si njëri nga sektorët e zhvillimit ekonomik. Përmes këtij punimi, jemi munduar të ofrojmë të dhëna të duhura për institucionet lokale e qendrore, që të hartojnë strategji për shfrytëzimin e resurseve për zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ në Bjeshkët e Deçanit. Gjithashtu, kemi ftuar investitorët vendorë e ndërkombëtarë, që kapitalin e tyre ta orientojnë kah zhvillimi i turizmit në Deçan, komunë e vogël por me potenciale të mëdha turistike.

Me krahasimin e të dhënave statistikore të Bjeshkës së Belegut, me të dhënat e Brezovicës, jemi munduar që të dëshmojmë se Bjeshka e Belegut ofron kushte të volitshme për zhvillimin e turizmit dimëror, sidomos me shtigjet e skijimit.

Monografia është e ndarë në katër kapituj, ku në kapitullin e parë, janë përshkruar konceptet e zhvillimit ekonomik, faktorët që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, sikurse që kemi prezantuar disa nga modelet e zhvillimit ekonomik, këtë rast edhe të turizmit, duke u bazuar në punimet shkencore të ekspertëve të ekonomisë dhe turizmit. Ndër faktorët e rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, pos faktorëve natyrorë, qofshin mbitokësorë apo nëntokësorë, si faktor me rëndësi është edhe komunikacionin, konkretisht ndërtimi i rrugës që lidh Komunën e Deçanit me shtetet fqinjë (Malin e Zi dhe Shqipërinë).

Në kapitullin e dytë jemi fokusuar te resurset e Komunës së Deçanit, e sidomos të atyre që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Pra, përqendrimi është te resurset natyrore që disponon Komuna e Deçanit, e të cilat mundësojnë zhvillimin e turizmit, siç janë: klima, pyjet, hidrografia, biodiverziteti, arkeologjia, morfologjia, etj.

Në kapitullin e tretë, pos nocionit mbi turizmin, është shkruar për mundësitë që ka Komuna e Deçanit, në zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ. Në këtë kapitull janë prezantuar saktësisht disa nga resurset natyrore të cilët janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, e që me investime mund të shndërrohen në resurse të mëdha turistike, ku veçohet ndërtimi i rrugës që lidh Deçanin me Plavën dhe investimet në Bjeshkën e Belegut, Dervishkomit, Zalli i Rupës, Bjeshkët e Isniqit, Bjeshkët e Vokshit, etj.

E, në fund kemi dhënë hapësirë edhe rolit të marketingut në promovimin e vlerave turistike; për bartësit e marketingut në turizëm; tregun turistik; si dhe karakteristikat e kërkesës dhe ofertës turistike. Ky kapitull përfshin një pjesë të rëndësisë së veçantë që ka promocioni për zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit, siç po mundohemi edhe me botimin në gjuhën angleze, e pse jo edhe në gjuhë të tjera botërore.

Me këtë monografi jemi munduar të hapim rrugë për punime tjera më të detajuara nga ekspertët e fushave, ashtu që fusha e turizmit në Bjeshkët e Deçanit, të jetë mundësi studimi dhe hartimi të projekteve zhvillimore, nga do përfiton e gjitha ekonomia e Kosovës, jo vetëm e kësaj komune. Mirëpo, krahas investimeve në infrastrukturë, kërkohet angazhim institucional dhe profesional për promovim të këtyre resurseve, e që mund të jenë tërheqëse për investitorët.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …