Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Mirë që reagohet për varrezat masive nëpër Serbi, por pse heshtet për varrezën masive, në Prishtinë, prej vitit 1946!?

Nëpër medie të ndryshme të vendit ditëve të fundit,  ka pasur lajme e reagime të shumta për varrezat masive anekënd Serbisë,  me trupat e bashkëkombësve tonë të vrarë nga ushtria, policia dhe grupet paraushtarake serbe. Dhe njeriu ndjehet mirë kur vëren këtë reagim e protestë humane por ndjesia shuhet sa kaq kur mendon se përse nuk kishim këtë reagim edhe më herët pasi këto varreza ekzistojnë që dy dekada atje e jo nga dje!? Ku ishte strukur ky shpirt human deri më tani!? Por dëshpërimi rritet edhe më shumë posa kujton luftën liridashëse të bërë gjysmë shekulli më parë, para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe kur kujton këtë luftë, nuk ka se si të mos vije në mendje varreza masive te vendi Tauk Bahqe, në kryeqendrën tonë, në Prishtinë! Është për t’u habitur se si as edhe një herë të vetme nuk mori vëmendjen e merituar kjo varrezë masive ku prehen eshtrat e luftëtarëve më të përkushtuar të kombit sikur ishin, vizionarët, Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Kadri Beba, Ukë Sadiku e qindra bashkëluftëtar të tyre të pushkatuar në Tauk Bahqe, gjatë vendosjes së dhunshme të regjimit shqiptar vrasës të Titos dhe besnikëve e puthadorëve të tij në Kosovë.

Ndonëse kanë kaluar 20 vite që jetojmë lirshëm, është shqetësues dhe zhgënjyes fakti se as edhe një herë të vetme nuk u bë ndonjë manifestim për këtë varrezë masive të mbushur me trupat e liridashësve të Kosovës që luftuan me vetëmohim së bashku me familjet e tyre kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia. Ndonëse familjet e tyre u ndoqën e u përndoqën për gjysmë shekulli nga regjimi titist e puthadorët e tij neveritës, as edhe 20 vjet pas luftës nuk u bë as edhe një përkujtim dinjitoz për këtë varrezë masive që e kemi në mesin tonë, në kryeqendrën tonë, në Prishtinë! Kjo heshtje do të thotë shumë dhe sa më shumë që njeriu vret mendjen për këtë heshtje, aq më shumë zhgënjehet e dëshpërohet se ku po katandiset bota shqiptare, sidomos kjo që jeton në Kosovë!?

Kur kujton heshtjen për mbi shtatë dekada për këtë varrezë të mbushur me trupat e liridashësve më të përkushtuar të kombit nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja: Ku ishte ndërgjegjja e sojit të akademikëve tonë, historianëve, analistëve dhe gazetarëve që vajtojnë ditë e natë për keqtrajtimet e pretendeuara që ju paska bërë UÇK-ja disa individëve gjatë luftës kur ushtria e policia serbe anekënd Kosovës po masakronte fëmijë, gra e pleq, po dhunonte vasha të reja, po dëbonte popullin shqiptar nga trojet e tyre dhe po digjte vendbanimet e tyre!? Mbase mund të arsyetohen se atëherë s’kanë guxuar të flasin sepse ishte gjendje lufte por nëse tani kanë aq shpirt human dhe ndërgjegje të vrarë e cila s’po i lë rehat pa reaguar ndaj disa rasteve të pretenduara se janë keqtrajtuar nga UÇK-ja, si u bë që nuk i vrau ndërgjegjja as edhe njëherë për varrezën masive në kryeqendrën tonë në Prishtinë, ku gjenden eshtrat e qindra liridashësve tonë të pushkatuar nga regjimi titist dhe puthadorët e tyre neveritës!?

Por kjo nuk është më e keqja. Më e keqja mësohet kur lexon dosjet e proceseve gjyqësore ndaj liridashësve të Kosovës të pushkatuar në Tauk Bahqe. Njeriu tronditet posa fillon të lexoj rreshtat e parë të proceseve gjyqësore! Në mesin e dëshmitarëve në seancat gjyqësore kundër liridashësve të kombit e atdheut ka edhe shqiptarë shpirt shitur që në këmbim të dëshmisë ju është dhënë ndonjë pozitë! Por jo vetëm kaq. Edhe prokurorët janë shqiptar shpirt shitur, edhe trupa gjykuese e përbërë nga shqiptar të tillë, neveritës!!! Dhe është neveritës fakti teksa dëgjon sot sojin e atyre që aktrojnë humanizmin teksa vajtojnë për viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të keqtrajtuarit nga UÇK-ja në Kosovë si dhe për mirëqenien në Jugosllavi por as edhe njëherë të vetme për krimet monstruoze që janë bërë kundër njerëzimit në Kosovë nga Tito e Rankoviqi të cilëve disa shqiptar shpirtshitur në këmbim të ndonjë posti a favori ju kanë shërbyer me një besnikëri që do ua kishte zili edhe qeni por ja që ata që i kanë përjetuar këto kalvare më nuk janë në mesin tonë. Ku ishte ky soji i akademikëve, historianëve, analistëve e gazetarëve që aktrojnë humanistin kur këta dëshmitar të krimeve monstruoze ishin në mesin tonë!? Përse nuk morën as edhe një deklaratë prej tyre dhe të na dëftonin mandej dhembshurinë e tyre për vrasjet e mijëra shqiptarëve nga regjimi i Titos dhe varrosjen e tyre pa shenjë e pa nishan!? Ku ishte shpirti i tyre liridashës për njeriun!? Ku!? Dhe kur sheh të tillët duke defiluar nëpër studio televizive e duke mbajtur ligjërata për ta shpërfaq shpirtin e tyre human e të padjallëzuar, nuk ka se si të mos të kujtohet konstatimi i një prej mendjeve më të shquara të njerëzimit, Zigmund Frojd i cili teksa flet për këtë sojë neveritës të njerëzve, shkruan: Sa më engjëllor të duket një njeri nga jashtë, aq më djallëzor është nga brenda. Mbase këshilla më e mirë për të pasur kujdes nga të tillët na vjen nga Jezu Krishti kur porositë: Kujdes nga ujqit me lëkurë qengji! Një këshillë që të kemi kujdes nga soji i humanistëve të tillë na e jep shumë herë edhe libri i shenjtë i fesë islame-Kurani: Kujdes nga hipokritët sepse ata ndryshe flasin e ndryshe veprojnë!

Por nuk ia vlen njeriu të merret me sojin e “humanistëve’ të tillë por me një dukuri tjetër edhe më brengosëse. Si u bë që ata që përgjonin, ndiqnin, dhunonin e dënonin shqiptarët liridashës gjatë shekullit të kaluar në vitet e ’60 e të ’80, vazhduan të kenë privilegje edhe pas luftës çlirimtare!? Po si u bë që përderisa vendet anekënd botës kanë dënuar krimet e komunizmit, një gjë e tillë nuk është bërë nga Kuvendi i Kosovës!!!???

Si u bë që aq shumë ju dhemb shpirti për viktimat e vendeve tjera por jo edhe për të përndjekurit e vendit tonë, të bashkëkombasve tonë të dënuar me rreth 25 mijë vite burg nga regjimi i TITO-s e të degdisur anekënd burgjeve të Jugosllavisë!!! Ku është strukur shpirti liridashës e protestues kur janë në pyetje torturat çnjerëzore të shqiptarëve dhe mbytja e tyre në mënyrë mizore gjatë torturimit! Po për pushkatimin e qindra liridashësve në Tauk Bahqe a kanë reaguar ndonjëherë!? Po për kërcënimin e të përndjekurve se në rast se nuk dorëzohen, familjet e tyre do të ju degdisen nga Kosova dhe do të ju dërgohen në Serbi apo humbëtirat e Rusisë e Siberisë, a kanë reaguar ndonjëherë apo t’i kenë dënuar të paktën verbalisht!? As edhe njëherë!!! Po për burgosjet e familjarëve të mitur të pjesëtarëve të NDSH-së!? E raste të tilla ka anekënd Kosovës.

Ka raste që përderisa është mbajtur procesi gjyqësor në Prishtinë ndaj drejtuesve të NDSH-së, janë burgosur edhe deri në 13 meshkuj të një familje, në mesin e tyre edhe të mitur të moshës 14 e 15 vjeçare nga 1 deri në afër 3 vite! Por ja që soji i historianëve, akademikëve, gazetarëve e analistëve me lëkurë qengji e shpirt ujku, nuk i dinë apo aktrojnë se nuk i din sepse mund të ndodhë që ndonjë familjar i tyre  ka qenë prokuror, porotë, gjyqtar apo dëshmitar në proceset gjyqësore gjatë të cilave janë marrë vendime për pushkatimin e qindra luftëtarëve liridashës të Kosovës që kanë luftuar në radhët e Lëvizjes Nacional Demokratike të Kosovës të njohur në popull si NDSH, mandej nëpër procese gjyqësore që gjatë torturave janë mbytur shumë shqiptar liridashës apo nëpër procese tjera gjyqësore ku janë dënuar mijëra të tjerë me një total prej 25 mijë vite burg anekënd burgjeve të Jugosllavisë!?

Kur kujton të gjitha këto, nuk ka se si të mos vije pyetja: Po këta deputetët e Kuvendit që edhe vet kanë kaluar nëpër rrathët e ferrit nëpër burgjet e Jugosllavisë, përse heshtin!!!??? Përse as edhe njëherë të vetme nuk morën një nismë për të dënuar qoftë verbalisht krimet e komunizmit në Kosovë!? I vret ndërgjegjja ndonjëherë për shokët e idealit që nuk dolën gjallë nga burgjet e regjimit të Titos e Rankoviqit!? Po që nuk bënë as edhe një nismë për të përkujtuar varrezën masive me trupat e liridashësve shqiptar në Tauk Bahqe, familjet e të cilëve për gjysmë shekulli u përndoqën, burgosën e u keqtrajtuan vetëm e vetëm pse prindërit e tyre kanë luftuar kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia, a i vret ndonjëherë ndërgjegjja!?

Por kjo nuk është më e keqja!? Pas përfundimit të luftës çlirimtare, familjarë të të pushkatuarve në Tauk Bahqe janë zhgënjyer edhe më shumë me atë që ka ndodhur në këtë vend në kryeqendrën tonë!!? Njohë raste që ndonëse janë nisur të mbushur shpresë se më në fund do të gjenden eshtrat e më të dashurve të tyre, janë zhgënjyer edhe më shumë nga ajo çka kanë parë në Tauk Bahqe ku rreth 70 vite më parë janë pushkatuar qindra luftëtarë të përkushtuar që luftuan me vet mohim kundër ripushtimit të Kosovës dhe bërjes së Shqipërisë etnike. E nuk ka se si të mos zhgënjehet njeriu kur shpreson se më në fund do i gjesh eshtrat e më të dashurve tu dhe kur shkon në atë vend e sheh se është shndërruar në deponi të mbeturinave!!! Nuk duhet shumë imagjinatë se si ndjehet njeriu kur shkon në vendin ku ka besuar se ju prehen eshtrat e më të dashurve të tyre dhe e sheh atë vend të mbushur me mbeturina dhe hesht! Hesht sepse e ndjen sa dhimbje kanë mijëra familje të tjera që ju mungojnë më të dashurit e tyre të rrëmbyer nga policia e ushtria e Serbisë dhe varrosur nëpër varreza masive anekënd territorit të saj. Hesht sepse e din se çka do të thotë të mos dish ku prehen eshtrat e më të dashurve tu për mbi gjysmë shekulli. Hesht sepse beson se gjysmë shekulli pritje të kanë kalitur të jetosh bashkë me dhimbjen e pritjen dhjetëra mijëra ditë e netë dhe e din se sa dhimbje ndjejnë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre në luftën e fundit fitimtare por nuk mund të pajtohesh dot e të durosh shpërfilljen dhe heshtjen për këtë varrezë masive që e kemi në mesin tonë, tani e 70 vite, në Tauk Bahqe, në Prishtinë dhe s’ka asnjë manifestim e asnjë përkujtim, të asnjë institucioni, përjashto Radion Kosova e Lirë, të përjashtuar edhe atë nga çdo ndihmë institucionale!!!

   Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, një komision i përfaqësuesve të partive politike të Lypjanit ( LDK, PDK, AAK, AKR, LDD) për emërtimin e rrugëve në këtë komunë dhe fshatrat e saj, një rruge në Lypjan që menjëherë pas lufte ishte emëruar me emrin e një prej luftëtarëve më të përkushtuar të NDSH, Kadri Beba, ia heqin këtë emër dhe me po këtë emër emërtojnë një rrugicë në fshatin Ribar i Madh që shpie në mal, emrin e luftëtarit tjetër nga më të përkushtuar të NDSH-së, Sali Rexha e vendosin në një lagje të romëve në Lypjan por e heqin pas reagimit të familjarëve duke u arsyetuar se nuk e kanë ditur se ajo pjesë e qytetit të Lypjanit është e banuar me romë ( ! ) ndërsa emrin e luftëtarit tjetër të përkushtuar, Rexhep Sali Rexha nuk e shohin të arsyeshme ta vendosin në asnjë rrugë apo rrugicë!!! Dhe asnjë reagim përveç familjarëve të tij dhe drejtorit të Radios Kosova e Lirë! Asnjë reagim as i atyre që e kanë ditur shumë mirë se Kadri Beba gjatë viteve të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte burgosur për shkak të pjesëmarrjes së tij në rezistencën e armatosur në brezin e fshatrave shqiptare në kufij me Serbinë gjatë luftërave ballkanike dhe lidhjeve, që mbante me Azem Galicen. Sikur që e dinë se ai luftën e armatosur kundër ripushtimit të Kosovës dhe bërjes së Shqipërisë etnike nuk e ka ndalur për asnjë moment dhe për këtë shkak pushkatohet në Tauk Bahqe ndërsa djali i axhes së tij, Sali Rexha me djalin e tij Rexhep Salih Rexha vriten në një pabesi të organizuar nga OZN-a ndërsa trupat e tyre të pa jetë ekspozohen në Lypjan dhe shkelmohen nga serb e shqiptar shpirt shitur për tu varrosur mandej diku pa shenjë e pa nishanë!!!

 Fatkeqësisht raste të tilla të vrarë e varrosur pa shenjë e nishan ka anekënd Kosovës dhe askush nuk ka reaguar deri më tani, e të mos flasim për ndonjë nismë konkrete institucionale për zbulimin e varrezave të tyre!!! Dhe ja çfarë porosi po ju dërgojmë gjeneratave të reja- nëse lufton me vetëmohim dhe vdes për këtë vend, do të harrohesh e nëse je puthador i pushtuesve do të privilegjohesh e nderohesh!!!

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …