Tema të tjera...
Bedri Halimi: DREJTËSIA E VONUAR: NJË GJYKATË QË PO E GJYKON EDHE VETEN NË SALLËN E OPINIONIT
02/07/2026
Nik Gjeloshaj: Malësia është në duar të sigurta, nuk pranojmë asnjë kompromis për territorin
01/07/2026
Marrëveshja e Rambujesë pamundësoi vazhdimin e UÇK-së, si Ushtri e Kosovës!
Me shumë vështirësi, në vend të demobilizimit, ne e nxorëm transformimin. Krejt kjo bëhej nën presionin e aleatëve që na sugjeronin se neve nuk na duhej ushtri, duke garantuar se ata do të ishin mbrojtja e Kosovës?!
Edhe më keq, na kushtëzonin me buxhet, thonin se ju nuk keni buxhet, si dhe bënin anketime në popull: a duhet Kosova të ketë ushtri? 96 deri 98% deklaronin se nuk na duhet ushtria!
E kemi KFOR-in, EULEX-in dhe UNMIK-un!
Çuditërisht, popull me tru peshku, sa shpejt hiqnin dorë nga mbrojtja dhe siguria?!
Shtrohet pyetja: pse dhe si u armatosën deri në dhëmbë popujt fqinjë tanë dhe të tjerët?
Kurse ne hiqnim dorë nga mbrojtja dhe siguria akoma pa u tharë gjaku i shkaktuar nga armiqtë, akoma pa i varrosur dëshmorët, akoma pa u shëruar gjymtyrët e luftëtarëve, akoma armët i kishim me tytat e nxehura?!
Memzi e nxorëm, pas shumë përpjekjeve e negociatave me Xhejms Rubinin, përfaqësues politik i Amerikës, Ranhajdin, gjeneral gjerman në NATO, dhe Majkëll Xheksonin anglez, komandantin e KFOR-it me mision në Kosovë!
Dy ditë bisedime në Kleçkë me komandantët e zonave dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, memzi se dolëm me një TMK me 3000 pjesëtarë, që ne i konsideronim ushtarë, ndërsa të huajt forcë emergjente civile!
Transformimi i TMK-së në FSK u bë me shumë vështirësi. Duhej ndryshuar ligji dhe me ligj të ngrihej në FSK. Kjo duhej të miratohej edhe nga aleatët. Për këtë ka meritë kryesore Ramush Haradinaj, që siguroi vendimin e aprovuar nga Amerika!
Akoma nuk e kemi të ngritur në Ushtri të Kosovës.
Njësoj patëm vështirësi me krijimin e Policisë së Kosovës, që u fillua si Shërbim Policor pranë UNMIK-ut deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, deri sa u pavarësua ky shërbim dhe u ngrit në Polici të Kosovës. Kjo polici e përgatitur me kurse e module të ndryshme nga ligjërues e ushtrues, nga pedagogë vendorë me afat tremujor, tani do të bëhet gjashtëmujor për të dalë polic. Kaq do të jetë koha e përgatitjes së një polici!
Pos Policisë, u krijuan edhe AKI dhe AME. Të gjitha këto u përgatitën me instruktorë e ekspertë të aleatëve, kryesisht amerikanë.
Këta instruktorë i ngritën strukturat tona në nivelin e standardeve të NATO-s dhe të shteteve demokratike perëndimore, deri sa këto struktura janë pavarësuar!
Edhe kur këto janë pavarësuar, nuk ju është lejuar rritja numerike humane, as nivelet dhe llojet e armatimit e të teknologjisë mbrojtëse!
Me siguri tani, në gjeopolitikat e sigurisë, ndihet nevoja nga aleatët. Po e ndjejnë nevojën mbështetëse dhe të fuqizimit të sigurisë mbrojtëse për vetveten dhe të kontribuojnë në ruajtjen dhe kultivimin e paqes!
Siç është Këshilli i Paqes, ku Kosova është pjesë që në themelimin e këtij këshilli!
Kosova ka filluar të ndihmojë sigurinë dhe paqen në Gaza, kështu që nuk do të pengohet fuqizimi i sigurisë së Kosovës, as në struktura, as në zhvillimin e industrisë ushtarake e luftarake, si dhe lidhjen e aleancave të reja, siç është aleanca Shqipëri – Kosovë – Kroaci, që mund të zgjerohet edhe më shumë!
Tani vendimi i Qeverisë dhe nënshkrimi i ministrit të Brendshëm, z. Sveçla, për të themeluar një strukturë të veçantë në dikasterin e sigurisë – Xhandarmërinë – kjo strukturë do ta plotësojë mozaikun e komponentës së sigurisë në Kosovë. Xhandarmëria është strukturë ushtarako-policore, po aq sa është policore-ushtarake!
Njësi më e avancuar, më profesionale, që duhet trajnuar dhe shkolluar nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për luftën hibride moderne, kibernetike, si dhe përdorimin e dronëve e armëve elektronike vëzhguese dhe vepruese të të gjitha llojeve. Sidomos aleatët tanë do ta ndihmonin të mbërrinte Xhandarmëria standardet më të mira të mundshme dhe të jetë Xhandarmëria jonë në nivelin e xhandarmërive evropiane, si ajo e Francës dhe ajo italiane!
Xhandarmëria dhe Policia e Kosovës nuk duhet të trajnohen vetëm tre muaj, por duhet ta kryejnë akademinë policore katërvjeçare, ku duhet t’i kenë lëndët edukuese si: Penalogjia e Përgjithshme, Penalogjia e Posaçme, Procedura Penale dhe Kodi Penal, lëndët e edukatës civile, etika dhe mënyra e zbatimit të detyrave, lënda e anti-terrorizmit dhe anti-krimit, menaxhimi i krizave dhe situatave të jashtëzakonshme!
Detyrat dhe rregulloret e Policisë apo të Xhandarmërisë, ndërtimi i hierarkisë komanduese dhe gradimet, si dhe vendqëndrimet e forcave dhe strukturimi në sektorë të veçantë!
Policia komunale, qendrore, njësitë speciale – ROSU – dhe njësi të ndryshme!
Po ashtu edhe Xhandarmëria do të ketë sektorë të veçantë: ruajtje kufiri, menaxhim të situatave të jashtëzakonshme, të trazirave apo sulmeve në sovranitetin dhe integritetin e vendit!
Parandalimin e veprimeve terroriste e diversante nga armiqtë e Kosovës! Aksione të shpejta dhe me vendime të prera në vendngjarje, me kompetenca maksimale, sepse të dalurit nga një akademi do të jenë në nivel juridik për marrjen e masave juridike penale apo kundërvajtëse në lartësinë e një gjyqtari, pa gabuar në ligje dhe pa e tepruar me qytetarin apo qytetarët!
Çdo shqiptar duhet t’i gëzohet vendimit për këtë strukturë shtesë të sigurisë në Kosovë. Do të uroja edhe Shqipëria ta bëjë Xhandarmërinë, pasi që Shqipëria veç e ka akademinë policore. Pse duhet Xhandarmëria italiane ta patrullojë qoshe më qoshe shtetin shqiptar?!
Si dhe me kompetenca të plota të veprimit, arrestimin dhe dënimin e kujtdo që shkel rendin dhe ligjin në cilëndo fushë veprimi.
Këtu në Kosovë nuk duhet të marakosen pse kjo qeveri, ky Sveçla. Kjo nuk duhet të jetë brengë e askujt!
Kjo mund të jetë brengë vetëm e atyre që nuk kanë fare njohuri me sigurinë dhe strukturat e sigurisë!
Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet përcaktojnë kompetencat qartë. Janë pushtetet e ndara dhe mbi ligjin nuk është askush. Prokuroria, gjykata dhe drejtësia janë të pavarura nga politika dhe strukturat politike.
Kjo që u nis nga kjo qeveri mund të përfundojë dhe të pavarësohet pas ndërrimeve qeveritare në dy e më shumë mandate!
Do të thonin: pse bash tash në fushatë? Me të drejtë kuptohet se bëhen veprime të tilla edhe për vota!
Por kjo duhet sqaruar drejt votuesve, jo me dalë kundër sigurisë, jo kundër strukturës së Xhandarmërisë. Dikush mund të thotë se ky emër neverit shqiptarët. Do të thoja që jo!
Askush nuk u ankua 27 vite për Xhandarmërinë italiane.
Do të thonë që Serbia ka Xhandarmëri. Po, e ka edhe ushtrinë e policinë, siç i kemi edhe ne, por dallojnë nga uniformat dhe shenjat dalluese, mbishkrimet shqip e jo cirilik!
Uroj të përkrahemi nga aleatët dhe ta formojmë këtë njësi të sigurisë sa më shpejt dhe sa më të fuqishme, me seleksionimin e djemve më të mirë të Kosovës!
Kjo Xhandarmëri do t’i zbatojë ligjet dhe Kushtetutën. Kjo mund të marrë pjesë edhe jashtë vendit!
Kjo Xhandarmëri, në kushte normale, mund të raportojë te ministri i Brendshëm, si dhe të marrë pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Në rastet e jashtëzakonshme hyn nën komandën e ministrit të Mbrojtjes apo të oficerit të caktuar për menaxhimin e krizave që caktohet për rastin!
22 maj 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
