Para disa kohësh, një mik imi në rrjetet sociale kishte shprehur habinë se përse Josip Broz Tito e kishte dekoruar Enver Hoxha. Për ta justifikuar këtë fakt historik, apo më saktë për ta shtrembëruar atë përmes një paralelizmi, ai linte të kuptohej se, duke qenë se Tito e dekoroi Enverin, atëherë Enveri ishte, as më shumë e as më pak, një shërbëtor i Titos.
Mbase shkrimi i një individi të vetëm nuk do të kishte shumë rëndësi, por kur një pjesë — apo më saktë një shtresë e caktuar — nga padituria historike ose nga ligësia antikomuniste merret me këtë çështje, më duhet të ndalem pak dhe, duke iu drejtuar jo vetëm personit në fjalë, por edhe të gjithë atyre që i keqtrajtojnë këto tema, të jap edhe unë shpjegimet e mia.
Ju, pseudoanalist i paditur, nuk shkruani mbi baza të analizave historike dhe as në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur këto ngjarje; madje as nuk i kuptoni ato. Por, gjithsesi, mos harroni se popujt sapo kishin dalë nga flakët dhe baruti i luftës, e cila i kushtoi njerëzimit mbi 60 milionë viktima. Gëzimi i fitores së popujve të asaj kohe ishte aq i madh, sa duhet ta kishe përjetuar vetë që ta kuptoje atë ndjenjë.
Në rastin konkret, ju, të mbërthyer thjesht nga urrejtja ndaj Enverit — dhe këtu nënkuptohet edhe ndaj PKSH-së, Luftës Nacionalçlirimtare dhe socializmit — bëni aludime antikomuniste për ta paraqitur Enver Hoxha si një person të varur nga Jugosllavia dhe Titoja. Madje, përpiqeni që çdo krim të jugosllavëve t’ia faturoni Enverit, ose të paktën ta bëni bashkëfajtor, duke insinuuar se ai kishte dijeni të plotë për gjithçka që bënin jugosllavët. Sipas jush, nuk ishte rastësi që Tito e dekoroi Enverin me medaljen “Hero i Popujve të Jugosllavisë”.
Pra, gjithçka e filloni me dekoratat.
Që ta kuptoni ju, shtrembërues të qëllimshëm të historisë, duhet të dini se pas luftës, vendet aleate fituese të kësaj beteje madhështore me përmasa kontinentale, jo vetëm që dekoruan komandantët e ofensivave ushtarake, por edhe udhëheqësit politikë të njëri-tjetrit.
Për dijeni, Joseph Stalin është dekoruar edhe nga SHBA-ja dhe Anglia, ndërsa vetë Stalini ka dekoruar komandantë si Montgomery, Eisenhower dhe De Gaulle me urdhrin e lartë “Suvorov” të klasit të parë. Mos vallë këta ishin bashkëpunëtorë komunistë në shërbim të Stalinit? Apo, nëse e marrim nga ana tjetër, mos vallë Stalini po jepte sinjalet e para se po shkonte drejt kapitalizmit?
Tani le të ndalemi te Titoja i Jugosllavisë.
Ju, o mik, duhet t’i mësoni mirë të vërtetat historike, sepse ne me jugosllavët jemi përplasur që gjatë luftës — me emra si Tempo, Mugosha, Stojanoviç e Disdareviç. Por në fillim, gabimet e tyre i konsideronim si gabime individuale dhe jo si qëndrim të gjithë udhëheqjes jugosllave. PKSH-ja ende nuk ishte qartësuar plotësisht se këto nuk ishin gabime të rastësishme, por pjesë e një vije devijuese që nuk përputhej me komunizmin e vërtetë.
Është fakt i pamohueshëm se ndërhyrja e tyre në punët tona të brendshme ishte aq e madhe, saqë ata kërkonin të komandonin gjithçka. Madje kishin përgatitur edhe klanin e tyre protitist brenda udhëheqjes së PKSH-së, me në krye Koçi Xoxen, Nako Spiron e të tjerë.
Enver Hoxha shkoi në Beograd në vitin 1946, por duhet nënvizuar se nga viti 1943 deri në fund të vitit 1948, ne jemi përballur vazhdimisht me titistët. Nuk është e vërtetë që Shqipëria u shkëput nga Jugosllavia vetëm pasi Stalini dhe vendet e tjera e përjashtuan Jugosllavinë. Jo, e keni shumë gabim. Ishte PKSH-ja ajo që e denoncoi e para Partinë Komuniste Jugosllave te Stalini, para vitit 1948.
Ekziston një letër e Enver Hoxha drejtuar Joseph Stalin, ku ai ankohet për Titon. Për këtë, PKSH-ja kishte njoftuar edhe Informbyronë e asaj kohe, të drejtuar nga Georgi Dimitrov.
Sa për dekoratën që jugosllavët i dhanë Enverit, unë mendoj se ai e meritonte. Nuk ishte thjesht një dekoratë personale e Titos për Enverin, por një dekoratë e popujve jugosllavë për një udhëheqës që dërgoi partizanët shqiptarë në ndihmë të çlirimit të tyre, ku ranë rreth 600 dëshmorë shqiptarë.
Pra, për kaq shumë ndihmë internacionaliste që një popull i vogël si Shqipëria dha për fqinjët e tij, a nuk e meritonte udhëheqësi i Luftës Nacionalçlirimtare këtë nderim nga popujt jugosllavë?
Së fundmi, për t’u dukur bindës, ju filloni të anatemonI sistemin dhe mbi të gjitha merreni me “luftën e klasave”.
Duhet ta kuptoni njëherë e mirë, ju dhe të tjerët, pa as më të voglin ekuivok, se lufta e klasave, në një shoqëri të ndarë në të pasur dhe të varfër, është një ligj objektiv i shoqërisë njerëzore. Ajo zhduket vetëm në komunizëm, kur nuk do të ekzistojë më shfrytëzimi i njeriut nga njeriu.
Ju mund të pyesni pse nuk u zhduk lufta klasore në socializëm. Nuk u zhduk, sepse socializmi, kur fiton në një vend apo në disa vende, krijon një formacion të ri shoqëror, por ende të pakonsoliduar plotësisht. Në botën ku jetonim, epërsinë ekonomike dhe ushtarake e kishte kapitalizmi dhe imperializmi.
Atëherë, pse duhej socializmi? Për barazinë. Sepse ai nuk lejonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Ajo që kishim ishte e përbashkët dhe ndahej mes njerëzve si vëllezër, e jo sipas parimit “njeriu ujk për njeriun”.
Por këto dy sisteme nuk mund të bashkëjetojnë pafundësisht paralelisht. Në fund triumfon njëri ose tjetri.
E vërteta historike tregoi se socializmi nuk ra sepse nuk kishte të ardhme, por sepse u gabua rëndë — sidomos nga BRSS-ja dhe vendet e tjera socialiste. Edhe në Shqipëri ai ra nga kundërrevolucioni i pseudorevolucionarëve të maskuar, të cilët vepronin si neoborgjezë me teserë partie në xhep. Kjo ndodhi sidomos në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxha, kur mafia revizioniste kishte marrë de facto pushtetin politik.
Siç shihet, socializmi mbetet gjithmonë objekt i sulmeve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Pse? Sepse liria dhe barazia janë një dritë që ndriçon ndërgjegjen dhe aspiratat e popujve të shtypur. Ndërsa, në planin e brendshëm, klasa e përmbysur kurrë nuk pajtohet me humbjen e privilegjeve dhe pasurive të saj.
Tani ju pyes: ata diversantë që na hidheshin nga toka, ajri dhe deti, si duhej t’i trajtonim? Ata që organizonin banda dhe vrisnin mësues, funksionarë e partizanë, si duhej t’i trajtonim? Me leksione morale apo me përkëdhelje?
Ju mund të thoni se Enveri futi luftën e klasave. Por lufta klasore nuk është në dorën time apo tuajën. Ajo lind vetvetiu nga përplasja e interesave shoqërore. Klasa e përmbysur nuk pajtohet me humbjen e privilegjeve të saj dhe përpiqet të rikthejë pushtetin.
Por kjo luftë diktohej edhe nga rrethimi kapitalist që i ishte bërë Shqipërisë, nga sabotimet e vazhdueshme ndaj pushtetit popullor dhe nga përpjekjet për arratisje apo për ndryshim regjimi.
Jetonim në dy sisteme të kundërta.
Po sot? A mendoni se nuk ekziston lufta klasore?
A i keni harruar ngjarjet pas viteve ’90? Sa gjak u derdh që kasta e re e borgjezisë të gëzonte privilegjet e saj? Kush i vrau njerëzit në bulevard? Kush e shkaktoi tragjedinë e Gërdecit? Kush i solli banditët e rinj — ministra, kryeministra e zyrtarë — që sot na zhvatin nën slogane “socialiste”?
Këto si i quani? Aspekte të paqes sociale?
Jo, mor zotëri. Këto janë aspekte të luftës klasore. Një pensionist i poshtëruar me një pension qesharak, një i varfër që mezi e mbyll muajin përballë milionerëve e miliarderëve, një pronar që i grabitet prona me forcë — a mendoni se janë të qetë shpirtërisht?
Lufta klasore fillon në ndërgjegjen e njeriut të rebeluar, të cilit i mohohet liria dhe drejtësia.
A e dini sa borxhe kanë krijuar ndaj popullit këta që kanë qeverisur për 35 vite? Nëse jeni familje me 4-5 persona, mbani mbi supe dhjetëra mijëra euro borxh publik. Ju mund të thoni: “Unë nuk kam marrë asnjë cent.” Por nuk kuptoni se këta pushtetarë marrin borxhe në emër të “zhvillimit ekonomik”, ndërsa një pjesë e madhe e tyre vidhet.
Po e shkruaj me germa kapitale: VIDHET.
Dhe kush e paguan këtë vjedhje? Unë, ti, familjet tona dhe i gjithë populli.
Ja pra, edhe kjo është luftë klasore: ndërsa i varfri shtrëngon grushtet nga zemërimi, kapitalisti i ri ngre dolli me shampanjë në emër të atdheut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
