Mungesa e barnave në QKUK, sjell pasoja vdekjeprurëse për fëmijët

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësimin për vonesat në furnizimin e barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK.

KOMF shpreh shqetësimin sidomos për mungesën për një kohë të barnave në Klinikën e Pedatrisë, Pediatrisë Intenzive dhe Repartin e Hematologjisë, ku mungesa e terapisë së nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja katastrofale madje dhe vdekjerurëse për fëmijët dhe shëndetin e tyre.

KOMF kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërrmarë veprimet e nevojshme për sigurimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në QKUK, për të garantuar që këto barna esenciale të mos mungojnë asnjëherë në repartet e lartpërmendura.

Është përgjegjësi e MSH të ndërmarrë të gjitha masat e përcaktuara me ligj për realizimin e veprimeve të duhura me qëllim të zbatimit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, banorëve dhe shfrytëzuesve të tjerë të shërbimeve shëndetësore, në kujdesin shëndetësor.

E drejta e fëmijës për trajtim shëndetësor garantohet si me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës – KDF, ashtu dhe me legjislacionin e Kosovës. Fëmijët kanë të drejtën për të gëzuar një gjendje shëndetësore sa më të mirë dhe për të përfituar nga shërbimet për trajtimin e sëmundjes dhe riaftësimin e shëndetit.

Të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për fëmijët e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Shëndetësi.

Ligji për Shëndetësi parasheh ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese me standarde të barabarta në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, duke siguruar kështu standardet gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Përmes këtij reagimi, KOMF kërkon nga institucionet e Kosovës që urgjentisht të reagojnë dhe të sigurojnë që qytetarët e Kosovës, e në veçanti fëmijët, ti gëzojnë këto të drejta të garantuara.

Klevis Vaqari

Kontrolloni gjithashtu

Vetëvendosje

Partia Vetëvendosje ka shpenzuar mjete dukshëm më shumë se sa PDK, LDK dhe AAK marrë së bashku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit të fundit të …