leoni

Mungesa e transparencës rreth marrëveshjes me Danimarkën shqetëson organizatat për të drejtat e njeriut

Një vit pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve danezë në Qendrën Korrektuese në Gjilan, organizatat për të drejtat e njeriut dhe monitoruesit e sistemit korrektues në Kosovë vazhdojnë të shprehin shqetësime serioze për mungesën e transparencës dhe komunikimit publik. Kritika të ashpra ka dhënë edhe Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke e quajtur marrëveshjen jo serioze dhe të dëmshme për sistemin korrektues dhe për familjet e të burgosurve vendorë. Ai ngriti shqetësimin për distancën që mund të krijohet mes të paraburgosurve dhe familjarëve të tyre nëse ata transferohen në qendra më të largëta. Shala gjithashtu theksoi mungesën e informacionit mbi profilin e të burgosurve danezë që do të transferohen në Kosovë, duke shtuar se Danimarka, si një shtet me kapacitete të mëdha, nuk ka arsye të jashtëzakonshme për ta transferuar këtë kategori të të burgosurve në një vend tjetër. Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka ofruar ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi. Raporti i fundit i Amnesty International ka përmendur gjithashtu këtë marrëveshje, duke e cilësuar si një rast me konsultime publike të kufizuara dhe transparencë të pamjaftueshme, ndërkohë që shqetësimet për mbipopullim dhe standarde të pamjaftueshme janë ende të pranishme në sistemin korrektues të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Elhame Muqolli: Fëmijët e vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, të mos mbesin vetëm numra të panjohur

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershori, e mbijetuara e masakrës së Poklekut, Elhame Muqolli …