Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se nuk i kanë ndarë kësaj partie 240 mijë euro që, sipas tij, i takonin gjatë kohës së bashkëqeverisjes. Murati tha se këto mjete i takonin Lëvizjes për Bashkim për shkak se kishin dy deputetë në Kuvend, por ato nuk janë ndarë kurrë nga Vetëvendosje gjatë bashkëpunimit disa-vjeçar. “Shkoi keq pastaj. Ishte problemi i financave që ata nuk na i dhanë. Dhe njerëzit neve na thonin: ‘Po pse po prisheni për pare?’. Po pse ai s’po t’i jep 240 mijë euro?”, deklaroi Murati. Ai theksoi se këto mjete i takonin subjektit që përfaqësonte dhe se mungesa e tyre ishte një nga shkaqet kryesore të përçarjes mes dy partive. Murati përmendi se koalicioni me Vetëvendosjen ka qenë problematik që nga fillimi, duke përfshirë mënyrën e hartimit të listave dhe trajtimin gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tij, Lëvizja për Bashkim u injorua dhe u privua nga përfaqësimi i merituar në listë. Murati përfundoi duke theksuar se Vetëvendosje e shfrytëzoi Lëvizjen për Bashkim si numër politik dhe nuk e trajtoi si partnere të barabartë në bashkëpunim.
