Musa Shabani: Kosova është një nga vendet që ka një gamë dhe potencial të shumëllojshëm për zhvillimin e sektorit minerar

Musa Shabani: Kosova është një nga vendet që ka një gamë dhe potencial të shumëllojshëm për zhvillimin e sektorit minerar

Fjalimi i kryesuesit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Musa Shabani mbajtur sot në  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në Konferencën Ndërkombëtare dy ditore “Gjeoshkencat, roli i tyre në zhvillimin e qëndrueshëm”

Te nderuar pjesëmarrës, përfaqësues te institucioneve akademike, përfaqësues institucional, studiues te nderuar te pranishëm, zonja e zotërinj.

Fillimisht dua te falënderojë këshillin organizativ per organizimin e kësaj konference, me rendësi te veçantë per zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social por edhe per avancimin e ideve shkencore e projekteve profesionale.

Industria minerare historikisht ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e njerëzimit, që nga etapat e hershme të zhvillimit e deri në ditët e sotme. Pa dijen për nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve qe ka planeti as qe do te munde te mendohej zhvillimi teknologjik dhe industrial. Akoma edhe sot kjo industri vazhdon të jetë e rëndësishme për zhvillimin shoqërisë dhe modernizimin e saj. Tani më kjo industri ka avancuar aq shume sa kërkimet gjeologjike me metodat e reja çdo dite kryhen edhe ne planetët dhe galaksitë jashtë sistemit tonë diellor. Po ashtu edhe nxjerrja dhe përpunimi ka arritur ne një stad tjetër duke përdorur teknologji gjysme robotike dhe robotike qe munde ta quajmë KOHA e Robotikës dhe Teknologjisë se Informacionit. Kjo është sfida e këtij shekulli, por kjo duhet të jetë edhe fokusi i institucioneve të arsimit të lartë të gjeoshkencave në mënyrë që të përgatiten gjeneratat e reja për krijimin dhe përdorimin e teknologjive të reja mbi këto parime të zhvillimit të industrisë, për të ruajtur hapin me zhvillimet globale.  

Kosova  është një nga vendet që ka një gamë dhe potencial të shumëllojshëm për zhvillimin e sektorit minerar, ajo posedon mbi 12,5 miliard ton rezerva të linjitit, mbi 60 milion ton rezerva të Pb, Zn, të shoqëruara me Au, Ag, elemente të çmuara, me potencial të rezervave të Mg dhe Fe-Ni, Al,Cr mineraleve industriale, mineraleve ndërtimore, ujëra gjeotermale, ujëra minerale dhe me perspektiv për kërkimet e naftës dhe gazit, bazë ligjore solide, dhe mbi të gjitha me resurse humane të një gjenerate të re paraqet një mundësi të favorshme për zhvillimin e industrisë minerare.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është i përkushtuar në zbatimin e Legjislacionit Minerar, Strategjisë Minerare te Republikës së Kosovës, Politikave Qeveritare që ndërlidhen  me sektorin e Minierave, të cilat janë dokumente që krijojnë mundësi reale për zhvillimin e biznesit, shfrytëzimin racional të resurseve minerale në harmoni me mbrojtjen e mjedisit.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale aktualisht menaxhon me 655 subjekte minerare prej te cilave; 184 Licenca Hulumtimi, 203 Licenca Shfrytëzimi dhe , 268 Leje për aktivitete te veçanta.

Lista e rentave minerale e aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në disa pika është më e favorshme se në shtetet e rajonit.

KPMM-ja nga viti në vit ka shënuar progres në rritjen e të hyrave nga renta minerare, kjo si një indikator që tregon rritjen e investimeve në sektorin minerar. Të hyrat kanë arritur ne mbi 31 mil € në viti.

Kosova ka një traditë të vjetër në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve. Sipas gjetjeve të punimeve të vjetra minerare nxjerrja dhe shfrytëzimi i xeheve në Kosovë daton që nga koha e Ilirëve dhe vazhdon me disa ndërprerje deri në ditët e sotme.

Pra tradita minerare ekziston në Kosovë dhe kjo është një përparësi për investitorët e mundshëm. Po ashtu edhe shkollimi për kuadro të Minierave dhe Gjeologjisë ka një traditë mbi 40 vite dhe kemi një numër të konsiderueshëm të personelit teknik të minierave, inxhinierëve të minierave dhe Inxhinierëve të gjeologjisë, dhe një staf akademik solid Profesorësh të minierave dhe gjeologjisë.

Numri i të punësuarve në sektorin minerar që prej vitit 2000 ka ardhur në rritje dhe aktualisht në këtë sektor janë mbi 14000 të punësuar.  Shumëllojshmëria e zhvillimit te sektorit minerar pritet te ndikoj ne rritjen punësimit, e që është e pritshme që kjo rritje do të jetë më e madhe në bizneset përcjellëse.

Kosova me  potencialin e resurseve humane, resurseve minerale, traditën nxjerrëse, transparencën, ka nevojë për partneritet për  investime në miniera. Besojmë se kjo konferencë do ta rrisë bashkëpunim, dhe shkëmbimet e ideve te cilat do te ndikojnë pozitivisht në fushën e hulumtimit, nxjerrjes, përpunimit te mineraleve me çka do te mundësohej rritje e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësim i mëtutjeshëm i mirëqenies sociale.

 

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …