Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa ka trajtuar edhe çështjen e Ferronikelit. Kreu i Qeverisë bëri të ditur se ka pasur një takim me përfaqësues të Ferronikelit, AKP-së si dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në përpjekje për tejkalimin e krizës në këtë fabrikë. Sipas kryeministrit, “ka kërkesa që të zvogëlohen tarifat e energjisë elektrike, ose të lirohet Ferronikeli të bëjë vet importimin e energjisë elektrike”. Mustafa shtoi se është interes strategjik që të tejkalohen problemet e kësaj kompanie që punëson rreth 1 mijë punëtorë. Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për klasifikimin e vendeve të punës të nëpunësve civil në Kosovë. Po ashtu është miratuar edhe projektligji për performancën energjetike në ndërtesa, projektligjin për ndihmë shtetërore dhe disa projektligje tjera.
