Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe I

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe I

Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëlltyrës së Adem Jasharit dhe Familjes së tij në poezinë e sotme shqipe. Pas luftës së Kosovës janë shkruar shumë tekste letrare, historike, kulturore e madje filozofike mbi paradigmën e heroizmit dhe rënies së Familjes Jashari, në të vërtetë mbi mitin e rënies legjendare të saj për lirinë e Kosovës.

Prej kërkimeve të gjertanishme, me pikësynim heroin Adem Jashari dhe Familjen e tij në poezinë bashkëkohore shqipe, kemi vënë re se për aktin e madhërishëm të tyre janë shkruar shumë krijime poetike nga krijues që jetojnë në hapësirën shqiptare dhe nga ata në diasporë. Kemi vënë re gjithashtu se për Familjen Jashari në përgjithësi dhe Adem Jasharin në veçanti janë shkruar poezi, poemtha dhe poema epike-historike, këngë dhe poezi lirike, nga krijues me përvoja të ndryshme letrare, të hershme dhe të vonshme, ndërsa emrat më të njohur të cilët kanë artikuluar deri me tash edhe vlera të veçanta letrare e artistike janë: Agim Vinca, Zenun Gjocaj, Adem Zejnullahu, Adem Gashi, Ilir Shaqiri, Bedri Islami, Ajet Shala etj.

Përgjithësisht, pjesa më e madhe e krijimeve poetike të gjertashme me këtë temë bartin në vargje rrëfimin historik dhe artistik të ngjarjeve me figuracion e shprehshmëri të veçantë dhe mjete të arrira gjuhësore-stilistike. Pavarësisht nga këto vlera, kryevepra në krijimtarinë shqipe për heroizmin e Familjes Jashari në përgjithësi dhe shëmbëlltyrën e Adem Jasharit në veçanti ende nuk është shkruar.

Fjalët kyçe: Familja Jashari, Adem Jashari, poezia, kënga, heroizmi, shpehshmëria artistike

         Hyrje

Akti madhështor i luftës dhe flijimit të Familjes Jashari, 20 vjet pas, në  artet letrare përgjithësisht dhe në artin poetik, prozaik dhe dramatik veçanërisht, kemi pritur që deri më tash të arrijë maja të realizimit letrar artistik, tradicional dhe modern njëherazi. Si asnjëherë më parë, nga Skënderbeu e këndej kuptimi i simbolit të qëndresës dhe heroizmit, identitetit kombëtar dhe Atdheut, nuk merr përmasa të tilla sa me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Familjen e tij.

Po të bëhet një sintezë sado skematike e historisë së letërsisë shqipe, nuk është vështirë të shihet se ajo në të vërtetë është letërsi e periudhave pak a shumë historike, e Lëvizjeve Kombëtare, e shkrimtarëve dhe e heronjve të saj. Në të vërtetë më shumë se histori e zhvillimeve gjithëpërfshirëse të Ilirisë, letërsia shqipe është biografi e personaliteteve të saj: Teutës dhe mbretërve të tjerë, që në realitet, më shumë se mbretër shfaqen si heronj tragjikë të kësaj epoke; periudha e mesjetës, më parë se sa me pamje të tjera u kurorëzua me veprën e Marin Barletit për Skënderbeun; periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila më parë se sa me vlerat e tjera kombëtare të kohës u kurorëzua me kryeveprat e Jeronim de Radës e Naim Frashërit për Skënderbeun dhe bëmat e tij, shëmbëlltyra e të cilit rishfaqet pandërprershëm gjatë shekullit XIX – XX me një varg veprash artistike, të llojeve dhe gjinive të tjera të realizimeve estetike.

Një zhvillim tipik të kësaj natyre e kanë edhe letërsitë e tjera të popujve të vegjël dhe madje edhe të popujve të mëdhenj, letërsia e popujve fqinje dhe e popujve më të largët, të cilët vështirë heqin dorë nga shenjat e përveçme, me të cilat ndërtojnë historinë e tyre apo bëjnë kthesat e mëdha historike në jetën dhe zhvillimet e tyre.

Pavarësisht nga shenjat dalluese të popujve me të cilat ata shfaqen në skenën e përbotshme, bardët e kujtesës së tyre – shkrimtarët, krijojnë edhe vepra të veçanta të artit letrar, me të cilat ata identifikojnë periudha të caktuara, të mëdha a të vogla, historike dhe i shpirtëzojnë ato me plot ndjenja dhe përjetime të veçanta.

Autorë dhe poezi përkushtuese

Letërsia shqipe e fillimit të shekullit XXI e kishte dhe e ka një shembull brilant në jetën e saj, që të kurorëzojë një a më shumë vepra të saj, dhe madje një a më shumë gjini a lloje të shkrimit, mbështetur në bëmat e pashembullta dhe madje më tragjiket dhe vetëflijueset në historinë njerëzore: heroin sa real aq edhe mitik – Adem Jashari dhe flijimin e Familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Ç’vend zë deri më tash heroi ynë Adem Jashari në këtë raport personalitetesh letrare dhe ngjarjesh historike e artistike të vendit të tij? Cila është fizionomia interesante jetësore dhe heroike e tij në poezinë e sotme shqipe? Cila është rruga e vështirë, por e ndershme deri në flijim dhe cila është odisejada e vërtetë e kësaj rruge të mospajtimit të tij dhe të Familjes së tij me regjimin shtypës e, që reflekton dhe do të duhej të reflektonte ende në krijimtarinë letrare artistike? Sa krijimtaria e deritashme letrare për këtë temë të madhe ndikon në vetëdijen e lexuesit, në formimin e tij ideor, etik dhe estetik?

Nuk ka dyshim se Adem Jashari dhe Familja e tij zë vendin më të rëndësishëm në Panteonin e vlerave të Atdheut, por a duhet arti ynë letrar t’i bëjë më të gjera këto relacione: ballkanike, evropiane dhe mbarëbotërore, sepse lufta dhe flijimi biblik i tij i ka kaluar kaherë kufijtë e atdheut! Mirëpo, që nga rënia e Familjes Jashari, krijimtaria letrare – poetike, qoftë e identifikuar me Adem Jasharin, qoftë me Familjen e tij, përgjithësisht nuk ka munguar, madje disa prej krijimeve poetike gjatë luftës janë kthyer në këngë dhe janë bërë motiv i ushtarëve ndër beteja dhe demonstruesve në sheshe qytetesh. Sot do theksuar se faqet e internetit janë të mbushura me poezi kryesisht me vlera modeste të realizimit artistik kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, nga autorë më pak a më shumë të njohur dhe madje nga nxënës shkollash, të cilat i kanë shkruar në prag të ditës së Flamurit dhe Festave të Nëntorit e Marsit përgjithësisht.

Në referimin tonë, po i identifikojmë disa prej shkrimtarëve, krijimeve të tyre poetike, përjetimeve të brendshme, përfytyrimeve për heroin dhe përgjithësisht vlerave ideore e tematike, si dhe realizimeve artistike e estetike të vargjeve tyre. Do theksuar se pjesa më e madhe e këtyre krijimeve poetike është identifikuar nga pjesëmarrësit e Konkursit ndërkombëtar letrar kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, të organizuar më 2008, prandaj në një mënyrë a një tjetër përfaqësojnë përzgjedhjet më të mira të krijimeve të autorëve të tyre, sado që në pikëpamje të peshës artistike, siç do të shprehej studiuesi i kësaj fushe Agim Vinca kemi ‘më shumë vargime sesa poezi’ (Vinca, 1997, f. 67) a realizime artistike të llojeve të tjera shkrimore.

Duke parë përgjithësisht krijimtarinë letrare të gjertanishme sipas nivelit artistik mund të konkludojmë se vepra letrare: romane, novela, tregime, drama dhe poema me karakter antologjik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij ende nuk janë shkruar, ashtu sikur ende nuk janë shkruar vepra të gjinive dhe llojeve të kësaj natyre as për Luftën e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj, prandaj ende nuk mund të priten studime mbi këtë temë, por studime mund të bëhen besoj për poezi më të realizuara dhe më të artikuluara për kah shprehja poetike, si dhe për vlera estetike të filmit, muzikës dhe artit pamor.

Adem Jashari dhe Familja e tij janë ajo pasuri ndjenjore e të gjithë krijuesve që ofrojnë më shumë se një simbolikë. Ai personalisht e tejkalon, madje edhe sakrificën e njohur në mitologjinë e antikitetit për Prometheun. Sakrifica e tij dhe e familjes së tij përshkon një dimension të panjohur deri më tash madje edhe në mitologjinë dhe historinë e sakrificave të vetëdijshme kolektive, si kusht për të ndryshuar gjendjen e një populli të robëruar. Për shpëtimin e Prometheut (Ademit), nuk  mjaftonte vetëm një Kiron (Colonnina, 2005, f. 304), duheshin më shumë, prandaj sakrifica e tij merr dimensione të tjera, më tragjike se ato që i njeh historia dhe madje mitologjia e kujtesës njerëzore: sakrificën kolektive nga gjyshi te nipi, sakrificën e tre brezave, njëkohësisht!

Në trajtimin tonë kishim parasysh kryesisht poezinë dhe poemën e dërguar për Konkursin e lartcekur kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, si dhe poezi të tjera të publikuara nga krijuesit shqiptarë kudo që jetojnë: Agim Vinca, Adem Zejnullahu, Ragip Gjoshi, Riza Lahu (Tiranë), Bedri Islami (Shkodër), Ilir Shaqiri, Ajet Shala (Zvicër), Namik Selmani (Berat), Hyqmet B. Hasko (Tiranë), Myrteza Mara (Vlorë), Mevlyde Mezini Saraçi, Flori Bruqi, Ismet M. Hasani, Zymber Elshani, Nezir Myrta, Rizah Sheqiri (Suedi), Ali R. Berisha, Rrustem Geci (Zvicër), Arif Molliqi, Agim Gashi (Francë), Xhabir H. Alili (SHBA), Etlevë Durmishi (Tiranë), Halil Xani, Shefki Ollomoni (Suedi), Julia Gjika (SHBA) etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …