Për çka e porositi Enver Hoxha, Ksenofon Nushin, para se të vendosej në postin e ambasadorit të Shqipërisë, në Greqi

Për çka e porositi Enver Hoxha, Ksenofon Nushin, para se të vendosej në postin e ambasadorit të Shqipërisë, në Greqi

Ksenofon Nushi ka treguar në shënimet e tij se Më 5 shtator të vitit 1982, para nisjes për në Greqi ishte takuar  shokun Enver Hoxha ai gjatë këshillave i kishte thënë:

Çeno, më tha, do të shkosh në Greqi dhe duhet ta dish se detyra jote atje është sa e rëndësishme aq edhe delikate.

Ne jemi për miqësi me popullin grek dhe dëshirojmë që marrëdhëniet midis të dy vendeve tona të marrin zhvillim të mëtejshëm, aty ku kemi interes reciprok. Me Greqinë duhet të arrijmë të kemi një situatë sa më normale. Vitet e fundit ka një rritje të dashamirësve të Shqipërisë socialiste atje, por krahas kësaj rritjeje, në Greqi ka edhe armiq të shumtë, si nga radhët e reaksionit grek, ashtu edhe te ndonjë prej qeveritarëve të sotëm.

Me Greqinë kemi të pazgjidhur çështjen e “Ligjit të luftës”. Ne do të kërkojmë që ata ta heqin këtë ligj, por po shikojmë se ata nuk po e heqin dhe nuk do ta heqin sa janë amerikanët dhe kleri ortodoks grek, që nuk i lejojnë. Lëvizja panepiriote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kthyer në një lëvizje antishqiptare, kurse në Greqi kjo po merr një pamje tjetër dhe Kongresi Panepiriot, që u mbajt gjatë muajit gusht në Janinë, nuk ndoqi rrugën që ishte përcaktuar në SHBA, por, përkundrazi, atje u paralajmëruan vorioepiriotët që të mos e ngrinin çështjen e Vorio Epirit se, përndryshe, do të merreshin masa karshi tyre duke i nxjerrë nga salla. Ekzistenca e “Ligjit të luftës” është anakronike. Këtë e thonë si grekët, por edhe shumë të huaj të tjerë, të cilët janë shprehur edhe publikisht nëpërmjet artikujve që kanë shkruar në shtyp. Populli shqiptar asnjëherë nuk i ka bërë ndonjë të keqe popullit grek. Për këtë flet historia dhe vetë grekët këtë e dinë mirë.

Ne bëjmë dallim midis arvanitasve që janë grekë, por që kanë gjak shqiptar, dhe suljotëve që janë shqiptarë. Janë pikërisht shqiptarët që luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre për pavarësinë e Greqisë në revolucionin e vitit 1821, në një kohë kur shumë shtete të tjera e tradhtuan revolucionin e popullit grek. Pikërisht në këtë revolucion spikatën me figurën e tyre prijësit suljotë Boçari, Xhavella, Bubulina etj.

Nuk është populli shqiptar që sulmoi Greqinë në vitin 1940 dhe këtë e dinë të gjithë. Sidoqoftë edhe nëse nga grekët nuk hiqet “ligji i luftës” nuk i bëhet dëm Shqipërisë, por në të kundërtën, dëm ka Greqia. Prandaj, qeveritarët e sotëm socialistë të Greqisë duhet të tregohen realistë dhe duhet ta heqin këtë ligj absurd, që nuk mbahet në këmbë. Këto mendime, në rast se hapet biseda, t’ua thuash qeveritarëve grekë me buzëqeshje, por edhe me prudencë.

Mundet të hapësh edhe vetë biseda me personalitete të ndryshme, që janë dashamirës të Shqipërisë, që ato që do t’u thuash ti t’ua çojnë në vesh personaliteteve më të larta të Greqisë.

“Ligji i luftës” duhet hequr. Ne nuk kemi frikë nga kjo gjendje. Për më tepër të gjithë duhet ta dinë se populli shqiptar nuk ka patur frikë as nga perandoritë, as nga superfuqitë, apo fuqi të tjera dhe aq më pak akoma do të ketë frikë nga dhespotët grekë. Atyre, ndoshta, kështu ua do puna, por edhe ne t’ua bëjmë të njohur qëndrimin dhe vendosmërinë tonë.

Një historian i njohur rusomadh i shekullit të kaluar, specialist i dëgjuar i historisë së Bizantit, ka shkruar se “grekët e rinj janë prosllavë”. Kjo ka një domethënie të madhe dhe nënkupton se edhe priftërinjtë grekë bëjnë punën e tyre në këtë fushë. Grekët do të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Ne kemi interes të madh që marrëdhëniet tona me Greqinë të jenë sa më normale, të qeta dhe të mos kemi asnjë problem me ta.

Shoku Enver më foli më pas për problemin e pikës kufitare të Kakavijës. Është një pikë shumë e vogël në gjithë hapësirën e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Pse është një çështje e vogël ajo zgjidhet kollaj, por, para së gjithash, grekët duhet të heqin pengesën e madhe, “ligjin absurd të gjendjes së luftës”. Kur ta bëjnë këtë edhe ne do të hapim Kakavijën. Edhe ne duam që të zhvillohen marrëdhëniet dhe shkëmbimet tregtare me Epirin, që edhe ky i fundit të zhvillohet, por duhet t’u thuhet grekëve se për këtë gjendje që ekziston deri më sot “nuk jemi ne shkaktarë, por ju”. Disa herë kemi lejuar të kalojnë grekë nga kjo pikë kufitare. Do të vazhdojmë të lejojmë, por, nëse janë si Xhavella me shokë, ata nuk do t’i lejojmë.

Në rast se do të pyeteni në lidhje me problemin e fesë, t’u thuhet se heqjen e fesë e ka vendosur vetë populli shqiptar dhe se, beson apo nuk beson, kjo është puna e tij. Kur është pyetur një plakë minoritare për problemin e fesë nga një gazetar grek që vizitoi minoritetin, ajo i tha se të gjithë këto të mira që po gëzoj sot nuk m’i dha feja, por Partia. Në Shqipëri nuk ka grekë apo turq, por ka shqiptarë. Unë jam shqiptar, me gjithë emrin që kam. Tek ne ka emra të tillë si Leonidha, Odhise, Perikli, Spiro, Thoma etj, por të gjithë ata që i mbajnë këto emra janë shqiptarë. Jemi pikërisht ne që i zbatojmë më mirë se kushdo tjetër të drejtat e njeriut.

Në Shqipëri janë rreth 50.000 minoritarë grekë. Ata gëzojnë të gjithë të drejtat që gëzojnë edhe shqiptarët. Këtë ua garanton Kushtetuta jonë. Ne u ruajmë gjuhën greke dhe kërkojmë që ajo të zhvillohet edhe më tej, sepse ajo është gjuha amtare e popullit të minoritetit. Këtë e kërkon internacionalizmi proletar, e kërkon Partia e Punës e Shqipërisë, sepse është gjuha e mëmës, të cilën fëmijët duhet ta mësojnë dhe të mos e harrojnë kurrë. Krahas kësaj minoriteti shtohet gjithmonë dhe ai trajtohet si i gjithë populli shqiptar. Është gjithashtu fakt se, çdo masë që merret në Shqipëri për ngritjen dhe përmirësimin e nivelit të jetesës, para së gjithash e gëzon minoriteti.

Na intereson të dimë se sa çamë janë në Greqi, ku jetojnë dhe se a kanë qenë ndonjëherë në Çamëri, pasi, pas genocidit të ushtruar në Çamëri, një pjesë e popullsisë u shpërnda nëpër Greqi. Po shqiptarë të tjerë a ka? Sa janë dhe ku janë të shpërndarë? Qeveritë greke kanë mohuar ekzistencën e minoriteteve etnike dhe linguistike në Greqi dhe e paraqesin atë si një vend me popullsi homogjene, sepse edhe minoritetin turk në Thrakë e paraqesin si grekë, që kanë përqafuar islamizmin dhe janë kthyer në myslimanë. E vërteta është se disa studiues grekë, të pa indoktrinuar nga nacionalizmi, pranojnë se në Greqi ekzistojnë disa minoritete, midis të cilëve është edhe ai shqiptar. Deri në vitin 1951 statistikat thonë se në Greqi banonin rreth 35.000 shqiptarë, ose 0,45% e popullsisë së Greqisë në atë kohë. Nga të dhënat që kemi patur për çamët del se e gjithë popullsia shqiptare që ka banuar në atë zonë dhe jeton në Greqi, është detyruar të konvertohet nga myslimanë në ortodoksë. Për grekët çdo ortodoks është grek dhe e kanë sanksionuar edhe në kushtetutën e tyre. Nisur nga këto fakte, mendohet se shqiptarët duhet të jenë edhe më shumë në numër. Ndaj shqiptarëve në Greqi vazhdojnë padrejtësitë e mëdha. Dhe kanë sy e faqe të na kritikojnë ne për të drejtat e njeriut.

Të shfrytëzojmë kontradiktat që ka Greqia. Ajo ka mosmarrëveshje të theksuara me Turqinë. Opinioni turk vazhdimisht informohet pozitivisht për Shqipërinë, megjithëse sistemet tona shoqërore janë të ndryshme dhe sot atje në fuqi është një regjim shumë reaksionar. Regjimi i ushtarakëve në Turqi nuk do ta dijë për atë që thuhet, se aleancat revolucionare kanë lidhje me Shqipërinë. Shkrimet pozitive për Shqipërinë në shtypin turk vazhdojnë megjithëkëtë. Pra, në Turqi ka një situatë shumë të favorshme për ne. Këtë situatë duhet të dimë ta shfrytëzojmë në interesin tonë, duke ndjekur qëndrimet e ndryshme të qeverisë greke dhe mbi këtë të bëjmë hapa të matur.

Jemi të kënaqur nga zhvillimi i sotëm i marrëdhënieve kulturore dhe i shkëmbimeve tregtare me Greqinë. Ne kërkojmë që këto marrëdhënie në të ardhmen të rriten edhe me shumë, duke i dhënë rëndësi edhe zonës së Epirit. Por kjo do të realizohet në rast se grekët do të heqin “Ligjin e gjendjes së luftës”.

Interesi ynë e do dhe e kërkon, që kurdoherë të kemi situata të qeta. Ne nga ana jonë nuk do të vëmë asnjë pengesë. Raportet e tua Çeno duhet të jenë sa më të sakta. Gjatë bisedës shoku Enver më shpjegoi, se në një mbledhje të Eterisë, ku merrnin pjesë udhëheqësi i Revolucionit Grek, Ipsillanti, si dhe Marko Boçari, Xhavella, Bubulina e të tjerë, Boçari propozoi që të bashkohej me ta në luftë kundër Perandorisë Osmane edhe Ali Pashë Tepelena. Aliu pranoi, por nuk bëri pjesë në Eteri.

I thashë shokut Enver se, në lidhje me pjesëmarrjen e shqiptarëve në revolucionin grek, kam lexuar një studim mjaft interesant të Dhimitër Grillos. Kujtoi një këngë shqip për rezistencën e suljotëve, e cila përfundonte me atë se “po të rronte Bubulina, do ta merrte për grua”.

Gjithashtu, shoku Enver më tregoi për mbështetjen e madhe që ka patur Baba Çeni, xhaxhai i shokut Enver, nga të krishterët dhe minoritarët në Gjirokastër, kur ushtarët grekë hynë në qytet në vitin 1916. Në atë kohë ai ishte në krye të Bashkisë së Gjirokastrës.

Më 14 shtator 1982 u vendos që të nisesha për në Greqi. Kishim pritur tre javë për të parë se çfarë vendimesh do të merrte Kongresi Panepiriot, që u mbajt në Janinë. Kur u pa se vetë kongresi nuk iu nënshtrua urdhrave që jepeshin nga CIA amerikane, atëherë u nisa me më shumë siguri.

(http://www.gazetadita.al/greket-sipas-enver-hoxhes-ditari-i-ksenofon-nushit-porosite-qe-i-dha-enveri-ambasadorit-qe-do-te-shkonte-ne-athine-ne-shtator-te-82-tri-ceshtjet-themelore-per-te-cilat-ai-interesohej)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …