Nasim Haradinaj pas vizitës në Hagë: Thaçi e ish-krerët e UÇK-së janë të fortë, të qetë dhe optimistë

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka bërë të ditur se ka vizituar ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke thënë se gjendja e tyre fizike dhe shpirtërore është e mirë, përkundër rrethanave të rënda në të cilat ndodhen. Haradinaj ka theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po e përballojnë procesin me vendosmëri dhe me një moral të lartë. “Unë sot jam shumë i relaksuar, sepse po kthehem nga shokët e mi në vizitë. Ata më kanë dhënë forcë, i kam parë shumë mirë, të fortë dhe me shëndet të mirë. Çka është më kryesorja, janë optimistë dhe të fortë”, u shpreh Haradinaj. Sipas Haradinajt, edhe pse proceset ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së po zvarriten, ata “po e mbajnë qëndrimin e luftëtarit” dhe mbeten të bindur në pafajësinë e tyre. Ai ka shtuar se qëndrimi i tyre i fortë moral është “një mesazh për bashkëluftëtarët dhe për gjithë popullin që beson në drejtësinë e luftës së UÇK-së”. Përkrahësit e krerëve të UÇK-së prej kohësh kanë shprehur pakënaqësi ndaj zgjatjes së proceseve dhe vendimeve të përsëritura për paraburgim, duke e cilësuar këtë si trajtim selektiv dhe politikisht të motivuar ndaj figurave kyçe të luftës së fundit në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Europian sërish paralajmëron Shqipërinë në lidhje me të ashtuquajturat Pasaportat të arta

Mbi 6 mijë shtetas të Kosovës me leje qëndrimi në Shqipëri, kryeson bashkimi familjar

Mbi gjashtë mijë shtetas të Republikës së Kosovës po qëndrojnë aktualisht në territorin e Republikës …