NATO kërkon nga Serbia drejtësi për grupin e Banjskës dhe sulmuesit e KFOR-it në Zveçan

NATO ka ripërsëritur thirrjen ndaj Serbisë që të ndjekë penalisht përgjegjësit për dhunën e vitit 2023 në Kosovë, përfshirë grupin paramilitar që kreu sulmin në Banjskë dhe ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it në Zveçan. Një zyrtar i aleancës, në prag të samitit të NATO-s që nis nesër në Hagë, deklaroi për mediat se Serbia ka përgjegjësi të qartë për të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre akteve të dhunshme. “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, tha zyrtari, duke përmendur dy ngjarje kyçe: sulmin ndaj trupave të KFOR-it në maj 2023 në Zveçan dhe sulmin vdekjeprurës në Banjskë në shtator të po atij viti. Zyrtari theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për aleancën dhe se NATO nuk do të lejojë krijimin e vakumit të sigurisë.  “Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë në veri – ky ishte përforcimi më i madh në dekadën e fundit”, deklaroi zyrtari. Samiti dyditor në Hagë do të fokusohet në rritjen e investimeve në mbrojtje, përforcimin e kapaciteteve industriale dhe mbështetjen afatgjatë për Ukrainën. Pritet që presidenti amerikan Donald Trump të kërkojë nga aleatët rritje të shpenzimeve ushtarake në nivelin e 5% të PBB-së.

Kontrolloni gjithashtu

Nisma sinjalizon gatishmëri: Limaj i hapur për takime me të gjithë liderët politikë

Nisma sinjalizon gatishmëri: Limaj i hapur për takime me të gjithë liderët politikë Deputetja e …