Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, ka theksuar se siguria në Kosovë mbetet një nga prioritetet kryesore të Aleancës, ndërsa misioni i KFOR-it vazhdon të jetë angazhimi më i madh ushtarak i NATO-s në botë. Ajo deklaroi se prania e shtuar e trupave, e cila u rrit me rreth 1000 efektivë pas tensioneve të vitit 2023, synon garantimin e paqes, lëvizjes së lirë dhe krijimin e kushteve për dialog politik mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Sekerinskës, KFOR-i bashkëpunon ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe forcat serbe për të përmbushur mandatin e tij në ruajtjen e stabilitetit. Ajo nënvizoi se edhe pse fokusi i ministrave të jashtëm të NATO-s mbetet mbështetja e Ukrainës dhe rritja e kapaciteteve të mbrojtjes, shumë prej tyre kanë theksuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për sigurinë euro-atlantike. Sekerinska rikujtoi se prania ushtarake mund të krijojë siguri, por paqja afatgjatë mund të arrihet vetëm përmes dialogut politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
