Përkundër se marrëveshja për shkëmbim të energjisë elektrike ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it vazhdon të mbetet formalisht në fuqi, tash e pesë muaj nuk ka pasur asnjë transaksion energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Korporata Energjetike e Kosovës konfirmon se gjatë vitit 2025 nuk është realizuar asnjë shkëmbim me homologët shqiptarë, ndërsa viti 2024 është përmbyllur me një obligim prej 3,384 MWh që KEK-u i ka KESH-it. Sipas të dhënave, depozitimet nga Shqipëria drejt Kosovës kanë rënë edhe gjatë dimrit të fundit – nga 6,320 MWh në dimrin e mëparshëm në vetëm 4,927 MWh këtë vit. Ndërprerja e shkëmbimeve lidhet ngushtë me funksionalizimin e Bursës Shqiptare të Energjisë – ALPEX, që ka riformatuar mënyrën e alokimit të energjisë dhe përdorimit të linjave të interkoneksionit Kosovë-Shqipëri. Kapacitetet e lira tani i kushtëzon tregu dhe jo më marrëveshjet bilaterale. KEK dhe KESH sqarojnë se përparësi i është dhënë pjesëmarrjes në bursë, ku energjia nuk shkëmbehet më me parimin “megavat për megavat”, por sipas çmimeve dhe disponueshmërisë në kohë reale.
