Ndërron jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani

Me dhimbje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish të burgosurit politik, luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurës së njohur politike, Ilmi Ramadani.

Ilmi Ramadani, për dekada të tëra i përkushtuar ndaj idealeve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, u shqua për qëndrueshmërinë, guximin dhe vizionin e tij në shërbim të kombit. Ai kaloi vitet më të vështira të jetës nën persekutimet dhe burgosjet e regjimit serb, por kurrë nuk u thye, duke mbetur simbol i rezistencës dhe sakrificës.

Me shpërthimin e luftës çlirimtare, ai iu bashkua radhëve të UÇK-së, duke dhënë kontribut të çmuar në kauzën për lirinë e Kosovës. Pas përfundimit të luftës, vazhdoi aktivitetin e tij politik e shoqëror me përkushtim të palëkundur për të mirën e vendit dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.

Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh te familja, miqtë, bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në sakrificën dhe idealin kombëtar.

Redaksia e Radios Kosova e Lirë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, bashkëveprimtarëve dhe gjithë opinionit të gjerë publik për humbjen e këtij atdhetari e personaliteti të shquar.

Lavdi jetës dhe veprës së Ilmi Ramadanit!

Kontrolloni gjithashtu

Peter Sorensen: Normalizimi Kosovë–Serbi i domosdoshëm për njerëzit në terren

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se normalizimi …