Ndërtimi i Entit Special në Zborc përjetëson diskriminimin ndaj personave me probleme të shëndetit mendor

Ndërtimi i objektit të ri të Entit Special në fshatin Zborc të Shtimes, me një vlerë investimi prej miliona eurosh, ka nxitur reagime të fuqishme nga banorë, aktivistë dhe profesionistë të shëndetit mendor. Kundërshtuesit e projektit e cilësojnë atë si një hap prapa në trajtimin dhe integrimin e personave me probleme të shëndetit mendor, duke akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e Komunës, Qemajl Aliu, për një qasje diskriminuese dhe të dëmshme. Aktivisti Bind Skeja theksoi se ky projekt nuk i shërben pacientëve, por vetëm i largon edhe më shumë nga komuniteti dhe jeta sociale: “Personat me probleme të shëndetit mendor, tashmë të izoluar nga familjet dhe shoqëria, po dërgohen edhe më larg, në periferi. Ata do të jetojnë aty, të mbyllur, pa mundësi integrimi. Kjo është përjetësim i diskriminimit, jo rehabilitim,” tha ai. Banorët e fshatit Zborc e kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre përmes protestave dhe një peticioni me rreth 200 nënshkrime, duke kërkuar nga kryetari Aliu ndërrimin e lokacionit. Ata paralajmërojnë se vendimi i komunës jo vetëm që dëmton pacientët, por edhe cenon të ardhmen e fshatit. Në këtë kontekst, përgjegjësia bie mbi kryetarin Aliu, i cili akuzohet se po e çon përpara një projekt të dështuar në thelb dhe të dëmshëm në praktikë.

Kontrolloni gjithashtu

Mitrovica e Veriut: Shfaqen fletushka me thirrje për vendosjen e flamujve serbë

Në Mitrovicën e Veriut, këtë mëngjes janë shpërndarë fletushka me mesazhe nacionaliste, përmes të cilave …