Në ditën e parë të aktiviteteve, në shënim të 20-vjetorit të “Epopesë së Vërrinit” sot në orën 10.00, mbahen homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, në orën 11.00 vendosen buqeta lulesh te shtatorja, në Shadervan, ndërsa në orën 11.30 mbahet akademia përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës, “Xhemali Berisha”, në Prizren. Gjatë ditës kurora lulesh do të vendosen edhe te lapidari i dëshmorëve në fshatrat Kushnin dhe në Lez, në orën 12.40. Në orën 13.15 mbahet gara e pehlivanëve në fshatin Lez. Edhe në dy ditët në vijim, më 2 dhe 3 shtator, do të vendosen kurora lulesh te lapidarët në Hoqën e Qytetit, Jeshkovë, Lybeqevë, Poslisht dhe Billushë, njofton Këshilli organizativ i OVL UÇK në Prizren. Gjatë Epopesë së lavdishme të Vrrinit nga 1 deri 5 më 5 shtator të vitit 1998, në luftë kundër forcave serbe ranë 28 pjesëtarë të UÇK-së.
