Brickos

Ahmet Qeriqi

Në Burgun e Prishtinës, në vitin 1966, fragment nga romani në dorëshkrim,”Vegimtari” i autorit, Ahmet Qeriqi I

Në orët e vona të pas ditës së 1 nëntorit të vitit 1966, Urtan Malmiri paraqitet para dyerve të Burgut të Qarkut, në Prishtinë, ku një vit më parë, kishte qëndruar vetëm tri ditë. Por pasi aktugjykimi për vendimin ishte bërë i plotfuqishëm duhej të mbante dy muaj burg nga një vit sa ishte dënuar me kusht, që në rast se brenda dy viteve, akuzohej për ndonjë vepër penale, do të mbante pjesën tjetër.  Në kohën kur e kishin dënuar kishte qenë i mitur dhe dënimi për të mitur, sipas ligjeve të asaj kohe, kishte më shumë rrethana lehtësuese.

Burgun e Prishtinës e kishin projektuar italianët të cilët edhe kishin kryer shumicën e ndërtimeve gjatë kohës të qëndrimit të tyre për tri vjet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në  Kosovë. Ndërtesa ishte konstruktuar në gjysmë të rrethit. Korridori ndodhej në anën e jashtme, ndërsa qelitë në anën e brendshme të rrethit.

Dritaret e vogla me grila po ashtu ishin në anën e jashtme. Në to, nuk mund të depërtonte dielli për shkak se në anën lindore ishte godina e lartë e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, e cila ishte ndërtuar në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore.

Burgu kishte katin përdhes dhe katin e parë. Në secilën gjysmë të gjysmërrethit ndodhej nga një shëtitore trekëndëshe, si dhe  një banjë primitive, ku të burgosurve u  lejohej të pastroheshin dy herë në muaj.

Urtanin e fusin po në atë qeli ku kishte qenë një vit më parë. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Në këndin nga dritarja ishte po ai dyshek i lerosur, të cilin ku di kush e kishte lënë para sa e sa viteve. Dikush kishte lënë edhe një jorgan, që  ishte bërë si myshema nga papastërtia. Nuk kishte batanije as çarçafë.

E kishte kapluar një ndjenjë e thellë e trishtimit derisa po mendonte se pikërisht në atë dhomë duhej të ngryste gjashtëdhjetë ditë. Po ç` ishin ato ditë në krahasim me ditët, muajt e vitet e atyre që ishin dënuar nga 10 e 15 vjet. Të burgosurit e Lëvizjes Revolucionare të Adem Demaçit, të cilët i kishin arrestuar në qershorin e vitit 1964 i kishin shkapërderdhur  nëpër burgjet e Jugosllavisë. Në burgun e Prishtinës ndodheshin vetëm të burgosurit për vepra të tjera penale, si dhe ata që ishin dënuar  për kundërvajtje të ndryshme.

Dysheku i lerosur ishte e vetmi vend mbi të cilin flinte natën. Ose mbi të, ose në dyshemenë e betonuar. Jorgani ia shtinte kruptë kur e shikonte. Ishte mbështjellë në setrën e tij të hollë por nga të ftohtit nuk e zinte gjumi. Me sy mbyllur kishte tërheqë jorganin e pa pastër dhe me te ishte mbuluar deri në brez. Sapo ishte ngrohur paksa e kishte zënë gjumi…

Krejt njëjtë sikur një vit më parë…

I dukej se ndodhej në një  guvë të humbur të një vendi të largët. Nuk kishte asnjeri pranë. Nuk dinte se për ku ishte nisur dhe ku e kishte humbur rrugën. Vendi përreth ishte tërë gurë formash e trajtash të ndryshme. Disa nga format i dukeshin si shtatore me figura njerëzish…

Tek-tuk vërente ndonjë skelet njeriu. Duke ecur gjithnjë në thellësi të guvës, dhe duke hulumtuar daljen, vëren një  tubë të madhe të skeleteve, të cilët  ndriçonin si stalagmitë, në mungesë të dritës. Më tutje kishte parë një si tempull të madh. Nuk e merrte dot me mend se si mund të kishte ndërtuar dikush tempull nën tokë. Bën tutje te tempulli dhe futet në të. Nuk kishte as dyer as dritare. Ishte si  një lloj pagode hinduse. Nuk kishte kryqe, por as shenja të tjera dalluese të ndonjë faltoreje të caktuar. Futet brenda dhe mbështetet për murin e një këndi. Përballë vëren një skelet të gjatë të një saurusi parahistorik. Afrohet dhe për habinë e tij të papritur skeleti fillon të lëviz ritmikisht, duke nxjerrë tinguj të hollë, si tinguj zilesh të deleve. Ishte frikësuar nga melodia ritmike e zileve, e cila sa vinte e bëhej më e shpejtë dhe më  zhurmuese…

Zgjohet befasisht  nga krisma e fuqishme e goditjes në një hekur.  Meqë në burg nuk kishte zile elektrike, gardiani kujdestar me një rrangallë hekuri godiste  fuqishëm grilat e  metalta të derës së korridorit. Ishte mbase edhe një lloj përdhunimi i veçantë, i shpikur qëllimshëm për t` ua bërë të burgosurve jetën edhe më të zezë dhe më të padurueshme, për çdo ditë që nga momenti i zgjimit në orën 5.oo të mëngjesit.

Dita në burg fillonte herët. Pas zgjimit niste shpërndarja e ushqimit. Për “kafjall” të burgosurit i takonte një  gotë kafe e elbit, pa asnjë gram sheqer, sepse sheqerin që parashihej për kafe,  thuhej se  e kontrabandonte kryekuzhinieri dhe gardianët. Buka 400 gramë jepej në drekë, për 24 orë. Në mesditë zakonisht lëng fasuleje dhe tek-tuk në kalanicë edhe ndonjë kokërr e vogël e saj. Në mbrëmje, qull, ose kaçamak, që përgatitej  të mbeturat e ushqimeve të drekës.

Brenda në qeli, në kibllën e qeramikës, ishte këndi  kryhej nevoja e vogël dhe nevoja e madhe. Vetëm kur kiblla mbushej plot gardiani lejonte të burgosurin që ta derdhte në nevojtore.  Ishte fat i madh po të ndodhej  vet në qeli, sepse njeriu nga vetvetja  neveritet më pak.

Në orët e mbrëmjes ishte hapur dera e qelisë. Sipas rregullit, kur gardiani hap derën i burgosuri duhej të qëndrojë në këmbë, kokulur dhe duart lidhur nga prapa. Urtani nuk e kishte përfillur rregullin, ndërsa gardiani serb ia kishte tërhequr vërejtjen  duke e paralajmëruar se herën tjetër do ta ndëshkonte.

-Është burg këtu apo shtëpia jote? Këtu ka rregulla dhe ato duhet të zbatohen me përpikëri, dëgjon ti?

Urtani si zakonisht në raste të tilla nuk përgjigjej në pyetjet e gardianit, por as kundërshtonte.

Pas pak në qeli, i përcjellë nga gardiani   fut një burrë rreth të tridhjetave. më pas milici e mbyll derën me rrëmbim duke e përplasur fuqishëm.

-Unë jam Toma, nga Janjeva, thotë i sapoardhuri, i cili ia zgjat dorën.

Urtani  tregon emrin e vet, po ashtu i bën me dije se e kishin dënuar dy muaj burg.

Toma ishte shtathedhur. Në kokë mbante një qeleshe të bardhë. Kishte mustaqe të zeza e të përdredhura me majat përpjetë. Trupin e bëshëm e kishte veshur me tirq të rinj, të zezë. Shtatin e kishte përthekuar me një xhurdi. Ishte një malësor me veshje të  kohës që ende mbahej, sidomos në stinën e dimrit që kishte filluar para kohe.

-Më zu belaja pa pritë e pa kujtue, mor vëlla, i drejtohet Urtanit.

Dy shkie ma sulmuan motrën, Tonen 22 vjeçare. Në mbramje sapo ra terri hynë në shtëpi dhe deshtën ta rrëmbejnë. Për fat të saj e për taksirat të tyre, në momentin ku ata po e tërhiqnin zvarrë nga shtëpia, unë u gjeta te dera. Dy ditë më parë pata shkuar te një mik, ndërsa motra kishte mbetur vetëm me babën plak, që po dergjet në ditët e fundit të jetës dhe nanës që ecë me një patericë. Edhe ajo me patericën e saj mundohej t’i ndihmonte Tonës. Mora  sëpatën te ahuri dhe iu zura pritë, në dalje të oborrit. Të parin, Bozhën e Radiqit e shitova në vend, me një të rame në kokë, ndërsa Ivica, një hrvat i dreqit fillon të ikë. I lëshohem vrap dhe pa kaluar 100 metra e zë dhe e përplasa për tokë. Mujsha mos me vra qenin, sepse mu dorëzue, dhe më përbejti në Krisht, por kur e kujtova sesi me ato duar të pista kishte tërhequr motrën time për flokësh, e kishte përplasur për tokë nënën time,   mbylla sytë dhe e qarta. Ia çava kokën, si me kanë pjepën.

Rrëfimi i Tomës e kishte tmerruar, por edhe i kishte dhënë zemër, Ndihej krenar se po shihte një shqiptar, i cili kishte vrarë dy shkije dhe as donte të dinte për ta. E kishin prekur në nder dhe ai kishte vepruar sipas ligjit të mbrojtjes së nderit të  familjes.

Pasi kishte ndezur një cigare, ai kishte fsharë  thellë dhe i iu kishte drejtuar Urtanit:

– Po ti mos vëlla, çka ke ba ti, që të paskan ngujuar në ket farë humneret?

– Nuk kam bërë gjë. Më dënuan sepse unë, dhe disa si unë, kërkojmë më shumë të drejta, kërkojmë liri dhe barazi me të tjerët.

– Ashtu, a, domethënë për politikë të kanë dënuar?

– Si të thuash, ç`është e vërteta  asgjë nuk kemi bërë veç fjalëve, por e pësuam, humba shkollën dhe ja tani edhe burgu, por nuk merakosem.

– Jo mor vëlla mos ta ndien! Nuk qenke dënue për marre as për bracni. Qenke i ri fare dhe dy muaj burg  kalojnë shpejt. Po Tomë zezën nuk di se sa vjet kanë me e dënue.

– Nuk kanë pse  të dënojnë, ti je vetëmbrojtur? Ia kthen Urtani.

– Po, sa i përket Bozhës, sepse atë e vrava brenda oborrit po, atë farë qen, Ivicën, e kam mbytë 100 metra larg shtëpisë. Dhe qe besa, do ta kisha ndjekun tanë natën dhe kurrë pa ia marrë shpirtin nuk e kisha lanë… Po por sipas ligjit të këtij hyqymeti, kjo vepër është e dënueshme.

– Po ama ti e vrave përdhunuesin e motrës, dhe po atë moment, jo pas një jave apo pas një muaji!- thotë Urtani, duke u munduar të tregonte se ai tashmë kishte përvojë edhe në ligjet…

– Po mor vëlla, po! Ashtu është, po të përfillet e drejta, por e drejta për shqiptarë nuk vlen. Hyn shkau në shtëpi me ta dhunue motrën e shtëpinë dhe të thonë, nuk ke pasur të drejtë t`ia marrësh shpirtin mbasi ka arritur të ikë. Kjo do të thotë të hyn i huaji në shtëpi ta  dhunon motrën apo gruan dhe ti nuk ke të drejtë të mbrohesh?

– Më mirë po e vuaj burgun, se me pas’ pësue motra jeme, si bija e Jak Miriqit. Një vit më parë  dy veta, e ndoshta këta dy qenat kanë kenë, se rasti nuk u zbulue deri sot, e dhunuen të bijen e Jakut, Dilën e shkretë, e cila nga dhuna e turpi e humbi të folunit. Jaku i mjerë e çoi në Zagreb për ta shërue, po Dila nuk flet. Tash e bane murgeshë në një kishë të Zagrebit…

– Jo mor, jo! Toma, i ka pleqnue punët vet, si ujku,- thotë dhe ngrihet në këmbë. Në shpirtin e tij vlonte ndjenja e ligjshme dhe e natyrshme e vetëmbrojtjes. Madje, natyra ia kishte falur të gjitha, forcën fizike, por edhe gjykimin realist. Po të mos kishte forcë dhe vendosmëri, të dy dhunuesit mbase do ta kishin vrarë atë, ndërsa motrën do t`ia kishin dhunuar, po mendonte Urtani. Për herë të parë, po e kuptonte se sa e nevojshme ishte edhe forca fizike, krahas mendjes dhe gjykimit të shëndoshë. Po kur e shikonte veten të dobët dhe ashtu i hajthëm sikur ishte, nuk kishte si të mos dëshpërohej.

 Vetëm katër ditë kishte qëndruan në një qeli me Tomë Jakun. Ditën e pestë gardiani e hapë derën dhe e urdhëron Urtanin që sa më parë të dalë në korridor. Përshëndetet me Tomën dhe niset në drejt derës, e cila çonte në rrethin e brendshëm të burgut.

– Prej sot do të qëndrosh në mesin e këtyre të burgosurve, nëse punon ashtu sikur duhet dhe nuk bën probleme, këtu do të jesh derisa të kryesh dënimin, në të kundërtën, të kthejmë në qeli!  i thotë gardiani të cilin e quanin Iliq.

Në momentin e takimit me një duzinë të burgosurish të panjohur, po mendonte se shumë më mirë  kishte qenë po ta kishin lënë me Tomën, në qeli se sa në pavijonin gjysmë të hapur.

Një polic plak e evidenton në njësitin e punës dhe i tregon shtratin në një dhomë të vogël. Objekti tredhomësh ishte i ndërtuar prej drurit. Dy dhomat anash ishin fjetore, ndërsa dhoma e mesit ishte një si kuzhinë dhe vendi ku rrinin të burgosurit pas orarit të punës. Në dukje të parë të gjithë i dukeshin si fytyra të njohura, por asnjërin nuk mund ta thërriste në emër.

– Hej, djalosh shka je hutue bre!- eja ulu këtu? dëgjon një zë nga mesi i të burgosurve, të cilët po bëheshin gati për t’u nisur në kantierin e punës.

– Si e ke emrin? pyet ai.

Urtani i tregon.

– A po më njeh mua? I thotë pas pak, duke buzëqeshur.

– Ndoshta edhe jemi parë, por nuk po më bie ndër mend, ia kthen Urtani duke e shikuar me vëmendje.

I burgosuri me të cilin  njoftohet, quhej Zaim dhe ishte nga fshati Petrash, në afërsi të Malmirit. Edhe pse  më i moshuar, ai e njihte Urtanin dhe babanë e tij, Zanin, me të cilin kishte punuar në Shkup, pas tërmetit. Për shkak të rrahjes dhe therjes me thika me disa fshatarë të tij, ai së bashku me dy vëllezër ishte dënuar me burg. Urtani i tregon Zaimit për çfarë vepre e kishin dënuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …