Burgu

Në Burgun e Prishtinës, në vitin 1966, fragment nga romani në dorëshkrim,”Vegimtari” i autorit, Ahmet Qeriqi II

Puna në kantierin e burgut  ishte shumë e rëndë.

Brenda rrethit të punëtorisë së madhe  ndodhej një punëtori e vjetër e prodhimit të dyerve dhe dritareve. Të burgosurit që dinin mjeshtri punonin në prodhim, ndërsa të tjerët sistemonin dhe ofronin materialin e drurit. Ndodhte që për një dërrasë, për të cilin kryemjeshtri mendonte se i duhej për ndonjë punë të caktuar, paraprakisht urdhëronte të largoheshin  nga vendi  një apo dy metra kub dërrasa. Urtanit fillimisht i caktojnë të punojë me një të burgosur moshatar, të cilin e quanin, Zenel. Ai nuk tregonte përse e kishin dënuar, as për sa kohë. Ishte hokatar nga natyra, edhe pse  i ri, dukej se ishte kalitur nëpër burgje. Në kohën kur duhej ngritur dërrasa apo pjesa e shtafnës, ai zakonisht orientohej nga ana më e lehtë, ndërsa ankohej se e kishin dëmtuar fizikisht duke e detyruar të tërhiqte  pesha të rënda.

Zeneli i kishte thënë Urtanit se shumica e të burgosurve, ishin spiunë.

Ndërkohë, derisa po bisedonte me Zenelin, brenda në kantier futet një kamion i madh, i ngarkuar me dërrasa, fosne 5 centimetra të trasha, ndërsa katër  metra të gjata. Tërë kamionin duhej ta shkarkonin dy apo tre të burgosur. Zeneli, sapo e sheh kryepunëtorin, të cilin e quanin “Zekë spiuni”, po ashtu i burgosur, i cili drejtohet kah kamioni, i zë ijët me dorë dhe shtiret sikur ka shtrëngim në stomak. Urtani nuk i dinte “forat” e Zenelit.

– Hej, ju të dy!- ejani sa më shpejtë, ua bën me dorë kryepunëtori, Urtanit dhe Zenelit.

– Unë po vij por Zeneli është i sëmurë, nuk mundet! – ia kthen Urtani

– Kush të tha ty se nuk mundet. Sa herë që sheh kamionë të ngarkuar ai e kap barkun me dorë dhe shtiret.

– Po vjen apo po i tregoj policit?- i ngërmohet…

– Tregoi nënës tënde, edhe policit!- ia kthen Zeneli me zemërim.

Kryepunëtori pa bërë zë niset në drejtim të dhomës në hyrje të kantierit, ku rrinte polici kujdestar.

– A të thashë se krejt janë spiunë, e ky qenë është krye-spiuni i thotë Urtanit dhe shtrihet  mbi një dërrasë duke improvizuar ngërqe në stomak.

Pa vonuar, kryepunëtori që e quanin Zekë, vjen së bashku me policin, i cili në dorë mbante pendrekun. Zekë Hysakaj dikur kishte qenë polic, por në gjendje të dehur kishte vrarë dy kolegë të vet, një polic shqiptar dhe një malazias. E kishin dënuar tetë vjet. Edhe pse i burgosur ai gëzonte shumë privilegje, ndërsa brenda pavijonit sillej më me egërsi se milicët.

– Përse nuk je paraqitur te mjeku në mëngjes nëse je i sëmurë?-pyet milici, Iliq  të burgosurin Zenel që po improvizonte.

-Në mëngjes isha fare mirë, por ky, bën me dorë në drejtim të Zekës, më detyroi të hiqja njëzet dërrasa të rënda, për një dërrasë të njëjtë me atë të parën. Dhe, tash nuk mundem më. Më mirë shkoj në qeli.

– Shpejt në kamion!- iu ngërmohet polici të dyve.

Urtani i afrohet Zenelit me qëllim që t`i ndihmojë për t`u ngritur.

– Hip lart ti, ka kush kujdeset për të!- thotë polici derisa Zenelit i mëshon në shpinë me pendrek.

– Ose e kryen punën që ta kanë caktuar ose t`i theva brinjët! -i ngërmohet.

Zeneli ngrihet me ngadalë duke i mbajtur ijët me dorë. Ne çastin kur kapet për kanatën e kamionit, i rrëshqet dora dhe befasisht përplaset në platonë e betonit. Pavarësisht se më parë mund të kishte improvizuar, nga përplasja  kishte mbetur në vend dhe iu kishte ndalur fryma. Urtani kërcen nga kamioni për t`i dhënë ndihmë. Ende pa e kapur për krahu Zenelin, i cili po përpëlitej nga përplasja, polici Iliq e godet në shpinë me pendrek.

-Çka bëra unë që më godet, – Urtani  i drejtohet policit, pa menduar për pasojat, ndërsa ai, e godet edhe më të fortë. Disa të burgosur të tjerë, po shikonin vjedhurazi, se ç po ndodhte me Urtanin dhe Zenelin.

Urtani kishte mbetur si i vrarë, dhe nuk bënte tutje. Tashmë po e kuptonte se ishte e ndalura t’ i ndihmosh shokut të burgut, në prani të milicëve.

-Nuk ke të drejtë të sillesh kështu me njerëzit,- unë nuk e refuzova punën, shpërthen i revoltuar sa nga dhembja e pendrekut, aq edhe nga zemërimi dhe dhembja për shokun që kishte mbetur pa frymë.

– T`i tregoj unë të drejtat tua, thotë dhe e godet për të tretën herë.

Derisa Urtani kishte mbetur pranë kamionit, i rrahur dhe i poshtëruar në prani të dhjetëra të burgosurve, një i burgosur i moshuar i shkon në ndihmë, Zenelit. Vetëm pasi e shtrijnë në shpinë e vjen fryma. Zeneli, nuk po improvizonte më. Ai përveç goditjes mizore me pendrek, për pak kishte shpëtuar gjallë nga përplasja e shkujdesur, mirëpo kishte pëlcitur ashtin e  krahut të dorës së majtë.

Polici kishte urdhëruar Urtanin që të ecte përpara.

Tri ditë e kishin mbajtur në vetmi, por nuk e kishin ndëshkuar.

Ndërkohë Urtani kishte kërkuar të bisedonte me drejtorin e burgut për padrejtësinë, që sipas tij ia kishte punuar polici kujdestar, i cili e kishte rrahur pa asnjë arsye. Mirëpo askush nuk e kishte përfillur kërkesën e tij.

Ditën e katërt, gardiani që quhej Stevo, e nxjerr nga vetmia dhe e kthen sërish në pavijonin gjysmë të hapur.

– Më me dëshirë do të qëndroja këtu, -i kishte thënë gardianit, një burrë plak të cilin po e shihte për herë të parë.

– Më mirë do të ishe në shtëpinë tënde, mor bir! -por këtu nuk ta merr kush para sysh dëshirën. Pas pak kishte shtuar: Bën përpjekje ta ulësh krenarinë, sepse ajo nuk të ka hije në burg. Sjellja e gardianit plak i kishte ngjallur një çikë shpresë. Mbase nuk janë të gjithë si mizori Iliç, mendonte derisa ecte krahas milicit plak.

Urtanin sërish e kishin kthyer në pavijonin  gjysmë të hapur. Nga të burgosurit kishte mësuar se Zenelin e kishin shtrirë në spital, meqë  nga përplasja prej kamionit e kishte lënduar rëndë krahun. Po ashtu nga  ajo ditë ia kishin ndërruar vendin edhe policit Iliq. Shumica e të burgosurve e kishte mirëpritur kthimin e Urtanit në Pavijon. Nuk kishte folur me të vetëm kryepunëtori që quhej, Zekë Hysakaj dhe dy të burgosur të tjerë, që silleshin me indiferencë ndaj gjithë të burgosurve por vazhdimisht ishin bashkë, për çka edhe përfliteshin me dyshime, për “ashiki”.

Ditët në pavijonin e hapur kalonin me shpejtësi. Puna ishte e rëndë por ushqimi ishte i mirë. Për çdo racion mund të merrje bukë aq sa mund të haje. Në gjellën e përgatitur për drekë kishte edhe një copë të madhe të mishit. Të burgosurve që punonin iu lejonin të blinin edhe gjësende të tjera, nëse kishin të holla.

Urtani iu kishte adaptuar kushteve të punës, edhe pse ishte ende i ri dhe i hajthëm. I mbante mëri të burgosurit të quhej Zekë, i cili nuk kishte ndërruar aspak qëndrimin e tij të pështirosur ndaj të burgosurve. Edhe ai nga ana e tij e kishte hetuar se Urtani e shikonte vëngër. Një ditë derisa po bisedonte me të burgosurin,  Dali Mani, një djalosh llapjan i zhvilluar fizikisht, kryepunëtori Zekë iu drejtohet:

– Ju të dy, duhet t`i largoni nga vendi ato shtafnet atje dhe t`i palosni mbi listela, sepse ashtu si janë shkarkuar njëra mbi tjetrën,  nuk thahen.

– Kush je ti këtu që urdhëron?- ia kthen Urtani tërë zemërim.

– Ti e di mirë kush jam, dhe mos më detyro të shkoj te gardiani, ia kthen Zeka.

– Shko ti ma mirë në të nanës tande, -ia kthen idhshëm llapjani, i cili po ashtu i mbante mëri Zekës, që po largohej kokulur dhe pa bërë zë.

Ndërkohë Urtani dhe Daliu merren vesh që të fillojnë zhvendosjen e shtafneve, në vendin e caktuar,  me qëllim që nëse kthehej  Zeka me ndonjë polic, të mos pranonin se kishin folur me të, pasi që nuk i kishte dëgjuar askush.  Pa vonuar Zeka dhe një polic, të cilin e quanin, Turku, kthehen te vendi ku po punonin ngeshëm, Urtani dhe Daliu.

– Me demek qashtu, a? Niher po thuni jo, masandej po punoni pej zori, thotë milici  që e quanin turk, duke u krekosur.

– Ne po punojmë ku na kanë caktuar punën, ia kthen Urtani.

Pasi polici dhe kryepunëtori Zekë largohen, Urtani dhe Daliu fillojnë t`i palosin shtafnet në vendin paraprak. Merren vesh, që në rast se Zeka do të kthehej, të ziheshin me fjalë duke e akuzuar se ashtu kishte urdhëruar vet, vetëm për mërinë që mbante ndaj tyre. Një orë para mbarimit të punës ditore Zeka e heton se shtafnet sërish ishin kthyer në vendin paraprak. Pas pak së bashku me dy policët, Turkun dhe Stevon kthehet në vendin ku punonin Urtani dhe Daliu.

– Çka ja keni ba kështu? -Iu drejtohet turku.

– Po ky Zeka njëherë na thotë çitni andej, herën tjetër kthehet e thotë, ktheni sërish në vendin e parë. Ju po i besoni, ndërsa ky po luen me ne, shpjegon Urtani.

– Pse bre  po rreni ndër sy ? -Iu drejtohet Zeka i sëkëlldisur.

– Nuk po rrejnë jo! ndërhyn një i burgosur tjetër, i cili si duket e kishte kuptuar hilen e Urtanit dhe të Daliut. Ai iu shpjegon gardianëve se nga këndi ku po punonte, aty afër, kishte vërejtur se Zeka po i mundonte me qëllim që këta të akuzoheshin se nuk po i kryejnë urdhrat e tij.

Polici Stevo i drejtohet Zekës.

– Nëse këta dy po rrejnë, a do thotë kjo se edhe ky i treti po rren.

– Edhe ai po rren, të gjithë po rrejnë. Këtyre vetëm milici Iliq iu vjen hakut, dërdëllis Zeka, pa menduar se ishte pikërisht milicim Stevo që e kishin  emëruar në vend të Iliqit.

– Nisu  përpara, e urdhëron kryepunëtorin Zekë polici plak, i cili sillej me drejtësi ndaj të burgosurve ndërsa Turku tërë mrrola fillon të ngërdhesh dhëmbët, duke i shikuar vëngër Urtanin dhe Daliun.

Ata ia  kishin punuar Zekës, me ndihmën e një të burgosuri, që flitej se kishte 12 vjet që po e mbanin në burg. Prej asaj dite, Zekë spiunin sikur e thërrisnin të gjithë, e caktojnë të punojë me një kantier tjetër. Mirëpo në mbrëmje  flinte në fjetoret e përbashkëta të burgosurve. Shumica e të burgosurve i kishin mëri Zekës, por kishte edhe të tillë që e përkrahnin, sepse ai iu jepte cigare dhe nuk i detyronte të punojnë punë të rënda. Ata që e urrenin ishin shumicë dërrmuese.

Dy  javë më vonë, ishte kthyer në Pavionin gjysmë të hapur edhe Zeneli. Krahun e kishte në gips. Meqë ende trajtohej si i paaftë për  punë, e caktojnë në detyrë  të rojës, te kuzhina, e cila ishte afër fjetores.

Një javë pas kthimit të Zenelit në Pavijon, Daliu dhe Urtani kishin biseduar se si do t`ia punonin spiunit. Pas shumë bisedimesh ishte pranuar versioni i Zenelit. Meqë fjetoret nuk mbylleshin me qelës as gjatë natës, për shkak të daljen në WC, Zeneli kishte shfrytëzuar rastin kur në to nuk ndodhej askush, dhe në ditën e caktuar i kishte derdhur një govatë ujë të pistë në shtratin e Zekës. Pastaj e kishte mbuluar shtratin me çarçaf dhe batanije. Meqë Zeka rrinte deri në orët e vona të natës në kuzhinë, së bashku me policët kujdestarë, ai kishte hyrë në dhomë pasi kishin fjetur po thuajse të gjithë të burgosurit përveç Urtanit,  Daliut dhe ndonjë tjetri, të cilët duhej të përmbushnin pjesën tjetër të planit, meqë flinin në të njëjtën dhomë.

Në kohën kur Zeka ishte shtrirë në shtrat heton dyshekun e lagur dhe të ftohtë. Ngrihet duke sharë dhe e kyç dritën elektrike, edhe pse ishte e ndaluar të ndriçohej dhoma në kohën e fjetjes.

– Fike atë dritë se është koha e gjumit, kishte bërtitur një i burgosur, ndërsa Zeka kishte shikuar shtratin e cili lëshonte një erë të keqe.

– Kush e ka ndezur dritën? pyet Daliu. Ndërkohë zgjohen edhe disa të burgosur të tjerë.

– Kush më ka pshurrë në shtrat nënën ia q… thotë Zeka duke kërcënuar.

– Vet je pshurrë mor pleh, pin raki deri në dy pasmesnatës. E sheh si po i vjen era dhomës, bre shtazë, ia kthen i burgosuri, Dan Statoci i  cili po vuante vitin e 12-të dhe të fundit të burgut.

– Ti ma ke kurdisur, i drejtohet Daliut, Zeka i mllefosur.

Daliu kishte kërcyer nga krevati dhe ishte në drejtim të Zekës. Dikush nga të burgosurit e kishte fikur dritën. Urtani, nga prapa ia kishte hedhur batanijen në kokë,  ndërsa disa të burgosur të tjerë kishin filluar të godasin pamëshirshëm. Zhurma, britmat, sharjet, ishin dëgjuar edhe në fjetoren tjetër. Pas disa minutave kishte intervenuar roja kujdestare e policëve të pavijonit. Në kohën kur tre policë kishin hyrë në fjetore, të gjithë të burgosurit ishin shtrirë nëpër shtretërit e tyre.

Zekë Hysakaj qëndronte shtrirë në dysheme, i mbuluar me batanije dhe i përgjakur. Gardianët e kishin tërhequr për krahësh  Zekën dhe e kishin mbyllur me dry dhomën e fjetjes nga frika se të burgosurit mund të iknin nga pavijoni. Gjysmë orë më vonë, jepet alarmi. Dhjetëra policë kishin depërtuar në fjetoren numër 2. Kishin urdhëruar të burgosurit që askush të mos ngrihej në këmbë, ndërsa nga dy policë me pendrekë ishin pozicionuar nëpër radhët e shtretërve. Fillimisht e kishin shikuar vendin ku ishte sulmuar Zekë Hysakaj. Pastaj e kishin kontrolluar secilin të burgosur, për të vërtetuar ndonjë shenj apo gjurmë gjaku. Në dorën e Daliut kishin zbuluar gjurmë të gjakut. Po ashtu gjurmë të gjakut ishin zbuluar edhe te dy të burgosur të tjerë. Pas një kohe polici kujdestar thërret emrat e të burgosurve. Nga mesi i tyre nxjerrin jashtë: Dali Manin, Dan Statocin, Urtan Malmirin, Hak Ruhanin dhe Milaz Prekën. Të pestit i ndajnë dhe  i ngujojnë nëpër qelitë e burgut.

Herët në mëngjes organet e SPB-së kishin filluar hetimet për të zbuluar organizatorët që e kishin rrahur, Zekë Hysakajn, i burgosur por edhe agjent shumë i besuar i sigurimit. Plani nuk ishte zbuluar. Pesë të burgosurit, të akuzuar për rrahje tinëz, dhe me pasoja fizike për të dëmtuarin Zekë Hysakaj, i dënojnë nga dhjetë ditë, vetmi në qeli. Po atë ditë i kishin ndëshkuar fizikisht të pestit. Dhjetë ditë më vonë, të gjithë i kthejnë në pavijon, ndërsa spiunin Hysakaj, e kishin dërguar në një burg tjetër. Dy ditë pas lirimit nga vetmia Urtan Malmiri, kryen dënimin e parë, dy muaj burg  dhe kthehet në Malmir.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …