Në Gjykatën Speciale, në Hagë, për të tretën ditë me radhë, ka vazhduar dëshminë Sylejman Selimi, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai deklaroi se sa ka qenë vetëm komandant zone, nuk ka ditur se si ka qenë i organizuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit, avokatit Rodney Dixon. Kur u bë komandant i përgjithshëm, filloi të mësojë diçka më shumë rreth Shtabit dhe se kishte raste që personat herë shkonin në mbledhje e herë jo. Ai u pajtua që ky ishte një organizim rastësor dhe se gjatë gjithë kohës nuk komunikohej me njëri-tjetrin. Sylejman Selimi deklaroi se nga G2-shi, Kadri Veseli kaloi në Shërbimin Informativ Civil në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Si komandant zone dhe si komandant i përgjithshëm nuk kam qenë asnjëherë në takime me Kadri Veselin. Sylejman Selimi u pajtua me avokatin e Kadri Veselit që akuzuarin nuk e kishte thirrur apo nuk ka folur ndonjëherë me të, ndërkohë që kishte mbledhje sa ishte vetë komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
