Në nder të Ditës së Flamurit, ditëlindjes së Komandant Adem Jasharit dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në fshatin Ngucat u përkujtuar dhe u nderua trashëgimia e lirisë, sakrifica dhe atdhedashuria e brezave që e bënë të shenjtë këtë ditë të historisë sonë kombëtare.
Aty sot u vendosën pllakat përkujtimore në nderim të bacës Qazim Maliq Shala dhe familjes Hajrush Destan Gashi, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugën e lirisë së Kosovës.
Në aktivitet morën pjesë; Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, njëherit kreu i Nismës Socialdemokrate, Komandant Çeliku – Fatmir Limaj, Kryetari i O.V.L. UÇK-së, Dega Malishevë, z. Metush Kryeziu, përfaqësues të strukturave udhëheqëse të fshatit Ngucat, familje dëshmorësh, veteranë, invalidë të luftës dhe shumë bashkëvendës.
Në fjalët e tyre të rastit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, duke nënvizuar se Ngucati mbetet vend i sakrificës dhe i krenarisë kombëtare, ku kujtesa për të kaluarën vazhdon të forcojë lidhjen tonë me lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Komuna e Malishevës falënderon të gjithë pjesëmarrësit për respektin, bashkëpunimin dhe nderimin e kujtesës së figurave dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.